Mosdënimi i krimeve të diktaturës, pafuqia jonë për të vërtetën!

Aug 23, 2024 | 11:01
SHPËRNDAJE

agim-baci

NGA AGIM BAÇI

“Cila ishte ajo forcë që bëri bashkë inteligjencën e vendeve ish-komuniste, madje edhe elitën në mjaft shtete perëndimore, për të mbështetur apo simpatizuar regjimet totalitare, kriminale, që shfarosën miliona të pafajshëm?”. Kështu pyeste politologu dhe filozofi francez, Chanta Millon-Delsol lidhur me pafuqinë e shumë vendeve ish komuniste për të zbardhur të shkuarën.

Një pyetje që sot, në “Ditën e Shiritit të Zi”, që është Dita Evropiane e Kujtesës për viktimat e regjimeve totalitare, ka nevojë ta rishtrojmë për të pohuar atë që nuk mundëm dot ta zbardhnim në këto 34 vite ndryshimesh politike.

Ashtu siç kemi nevojë të mos i shmangemi pyetjeve edhe pyetjeve të tjera: A kemi ditur të përballemi me të shkuarën tonë nën diktaturë? A e kemi parë të shkuarën nën rrëgjimin komunist si fragment, si një lajthitje çasti që mbetet vetëm në një pjesë të historisë sonë, apo si diçka që ka vijuar të na ndikojë në përditshmërinë tonë edhe sot?

Në Shqipërinë e pas vitit 1990, nga dëshira për të vrapuar drejt asaj që na kish munguar në diktaturë, u praktikua ajo që sociologu Zigmunt Bauman e quan “vetëshfajësim historik”. Në Shqipëri vetëshfajësimi historik u mbështet më së shumti përmes sloganeve “ashtu ishte koha” apo “gjithkush nga ne mund të kishte gabuar” – qëndrime këto që çuan një pjesë të shoqërisë shqiptare deri në refuzim për të dëgjuar çfarë kish ndodhur realisht gjatë diktaturës, duke e lënë të keqen të bredhë lirisht rreth nesh. Si pasojë e këtij “vetëshfajësimi” u krijua, në jo pak raste, ideja sikur debati mbi të shkuarën është thjesht një çështje historie dhe se i përket vetëm studiuesve të historisë apo politologjisë, dhe jo të jetë një çështje e debatit mbarëshoqëror mbi pasojat e asaj së shkuare.

Për pasojë, Shqipëria mbetet ndër vendet e rralla ish diktatoriale që nuk ka të penduar, e për pasojë nuk ka as nga ata që duhej të ishin falësit e ish-xhelatëve të tyre. Kjo për faktin se ne nuk kaluam dot në një gjyq moral, ku atyre që me vetëdije iu bashkuan mbështetjes së regjimit dhe bënë apo duartrokitën krimet makabre, në emër të mbrojtjes së atij sistemi, t’i jepej mundësia e rrëfimit dhe pendesës.

Veprimi i qeverive dhe parlamenteve të pas vitit 1991 në Shqipëri, që mbështetën sloganin “bashkëfajtor-bashkëvajtjes”, sollën shifra alarmante të zgjerimit të nostalgjikëve të ish diktaturës. Mjafton sondazhi i vitit 2016 nga OSBE,  ku 45 për qind e të anketuarve vlerësonin pozitivisht figurën e ish-diktatorit, për të ringritur alarmin lidhur me vlerësimin e së shkuarës, ndërkohë që ende shumë familje nuk dinë eshtrat e të vrarëve apo të varurve pa gjyqe, apo me fakte të sajuara në bodrumet e ish sigurimit.

Por, a jemi vonë ne për të debatuar për të shkuarën tonë, siç pretendon një pjesë e shoqërisë? Sociologët që janë marrë me studimet e krimeve, duke iu referuar nazizmit, fashizmit, e sidomos regjimeve totalitare që shfarosën miliona qytetarë, kryesisht të pafajshëm, shprehen se, nëse nuk e shohim atë të shkuar kriminale si një tentativë e përhershme e së keqes, si një tentativë për të përmbysur vlerat shoqërore, atëherë do të jemi nën rrezikun e asaj të keqeje vazhdimisht.  E për aq kohë sa nuk e mendojmë se ajo e shkuar nga ka tërhequr zvarrë në rrugëtimin drejt një shteti të së drejtës, për shkak se nuk u përballëm me të vërtetat e forta të saj, atëherë nostalgjikët nuk do ngurrojnë që nesër të rishohim një sistem të tillë, ose që imiton atë.

Një përgjigje lidhur me moszbardhjen e së shkuarës e ka dhënë nobelisti polak Çesllav Milosh, në librin e tij “Mendja e robëruar” kur shprehej se: “është dëshira jonë e brendshme për të mos besuar se njeriu mund të arrijë në krime aq të tmerrshme që u panë në diktaturat totalitare”. Pra, kemi harruar që fara e së keqes për një shoqëri fshihet pas harresës.

Fatkeqësisht, pavarësisht sjelljes së kujtesës përmes botimeve, aktiviteteve dhe studimeve nga Instituti i Studimeve të Pasojave të Krimeve të Komunizmit (ISKK) dhe aktorë të tjerë që vijojnë të flasin për të shkuarën, ne vijojmë të mund të rrezikojmë ta rishkruajmë historinë pa shumë nga dëshmitarët e së shkuarës. Ky moslexim i së shkuarës me të gjitha të vërtetat rrezikon të humanizojnë të keqen, duke e bërë normale atë që ka ndodhur me gjyshërit dhe prindërit tanë.

Sipas filozofovë, ata që tentojnë ta pengojnë të shkuarën, që të shkruhet me gjuhën e krimeve që kanë ndodhur, kërkojnë që ta rishkruajnë sipas orekseve të tyre, me qëllim që të kontrollojnë të ardhmen sipas të njëjtës ideologji.

Kjo është pasoja kur ne si shoqëri rrezikojmë të kalojmë të shkuarën me “krimet e askujt”, duke mbetur e vetmja shoqëri që nuk kemi të penduar, e, për pasojë, as ata që mund të falnin ata që në emër të diktaturës bënë krime për ta mbajtur gjallë atë sistem çnjerëzor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura