MOTO GP/ Horge Martin në majën e botës, spanjolli fiton titullin për herë të parë në histori

Nov 18, 2024 | 13:09
SHPËRNDAJE

Horge Martin është kampioni i ri i botës në Moto GP. Piloti i Dukati Pramak kurorëzoi ëndrrën, teksa dje fitoi titullin e parë në karrierë në klasin më të lartë të motoçiklizmit, pas suksesit që kishte arritur në vitin 2018 në Moto 3.

9e17e9e5-c74b-4f7e-a472-c923493ceacf

Për Françesko Banjajan nuk mjaftoi triumfi në garën e fundit të sezonit, në Çmimin e Madh të Solidaritetit në Barcelonë, event që zëvendësoi Valencian e goditur nga përmbytjet katastrofike. Peko dominoi në Katalonjë, por Martin u rendit i treti, duke mbrojtur kreun e renditjes me 10 pikë më shumë se rivali italian që drejton markën zyrtare të Dukatit.

Vendi i dytë në Barcelonë shkoi për Mark Markezin, me spanjollin që mbyll gjithashtu një sezon pozitiv, por protagonisti dhe festa ishte e gjitha për “Martinatorin”. Ndonëse me më pak gara të fituara, vetëm 3, ndaj 11 të Banjajas, 26-vjeçari madrilen ka zhvilluar një sezon fantastik, duke u treguar konstant në paraqitjet e tij, për të gabuar më pak se rivali.

SPANJOLLI: LE TË NISË… “FIESTA”

Në qiellin e shtatë pas suksesit, Horge Martin tha edhe fjalët e para si kampion i botës në Moto GP: “Është fantastike dhe nuk gjej fjalë për ti përshkruar emocionet. Jam i shokuar. Ky titull është për familje time dhe për të gjithë ata që më kanë mbështetur. Në xhiron e fundit i kisha sytë me lot dhe gati nuk shikoja fare për të drejtuar. I falënderoj të gjithë njerëzit e mi. Ka qenë një rrugë shumë e gjatë, me rrëzime dhe dëmtime, por tani jemi këtu për të festuar. Falënderoj gjithashtu të gjithë tifozët, ndërsa kjo fitore është edhe për Valencian. Unë kërkoj gjithnjë të përmirësohem, por tani është momenti për të festuar”, deklaroi Martin, i cili i jep lamtumirën Dukatit Pramak duke i dhuruar titullin kampion, ndërsa vitin tjetër do të bashkohet me Aprilian. Një hakmarrje kjo edhe ndaj Dukatit zyrtar, që disa muaj më parë zgjodhi Mark Markezin.

“Dy vite më parë kur Dukati vendosi të mos më afronte, i thashë skuadrës Pramak, të rrimë të qetë, se do ta fitojmë titullin së bashku këtu dhe kështu ndodhi. I falënderoj shumë që më dhanë mundësinë për të konkurruar për titullin kundër një piloti të jashtëzakonshëm si Banjaja”, përfundoi Martin.600

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura