MOVIOLA/ Kartonë pa kriter, Hamiti fal dy herë Hoxhallarin në derbi. Cjapin e korrigjon VAR-i në Rrogozhinë

Apr 30, 2024 | 13:08
SHPËRNDAJE

Në dy nga ndeshjet kryesore të javës së 33-të VAR-i ka korrigjuar dy vendime të pasakta të arbitrave, Cjapit në Egnatia-Vllaznia dhe Hamitit në Tirana-Partizani. Më shumë punë pati gjyqtari lezhjan në “Air Albania”, ku standardi i zgjedhur prej tij për kartonët nuk i përgjigjej shumë një derbi.

WhatsApp Image 2024-04-30 at 12.02.13

Disa nga 15-të të verdhët e dhënë mund të kaloheshin edhe me këshillim. Në një derbi mund të lejohet një futboll pak më burrëror, por edhe ndonjë kontestim më shumë se zakonisht nga ana e lojtarëve në fushë. Në ndeshjet e tjera pati dy kartonë të kuq dhe pretendime për penallti, por vendimet kanë qenë të drejta nga gjyqtarët. Në Rrogozhinë u desh ndërhyrja e VAR-it që Xhemajli të ndëshkohej me karton të kuq nga Cjapi.

TIRANA-PARTIZANI 1-2

Gjyqtarë: E.Hamiti (Lezhë), I.Tartaraj (Fier), E.Burgu (Fushë-Krujë); VAR: K.Barjamaj; AVAR: J.Xhaja (Tiranë)

Tirana-Partizani, e gjykuar nga Eldorjan Hamiti, vendosi rekord me 17 kartonë, 15 të verdhë dhe 2 të kuq. Korrekt te dy të kuqtë, por ai gaboi dy herë me Hoxhallarin, duke i falur të verdhin.

9′ Mici ndërhyn ndaj Rrapajt në zonë, lojtarët e Partizanit kërkojnë penallti, por mbrojtësi heq topin. Hamiti jep këndore me të drejtë, por në të njëjtin aksion i fal të verdhin Hoxhallarit për një ndërhyrje të ashpër ndaj Mba.

45+1′ Keko zbret rrezikshëm, kalon dy lojtarë dhe ndalet nga Hoxhallari me sparkatë. Gjyqtari i jep të kuq, më pas thërritet në VAR dhe anulon vendimin, por nuk jep as faull. Gabim i gjyqtarit, pasi faulli qëndron dhe është për karton të verdhë.

87‘ Jonuzi merr të dytin e verdhë. Vendim i drejtë i gjyqtarit, pasi ndërhyrja e mesfushorit është direkt në kavilje.

90+3′ Maget shënon, heq fanellën dhe feston përballë tifozëve kundërshtarë. Te Tirana pretendojnë për karton të kuq. Vendim i drejtë i drejtë i gjyqtarit që jep të verdhë.

90+7′ Hadroj ndëshkohet me të verdhin e dytë, pas një ndërhyrje ndaj Hoxhallarit. I drejtë Hamiti edhe këtë herë.

DINAMO-LAÇI 0-0

Gjyqtarë: A.Doda, M.Zhazivari, E.Spahiu (Tiranë); VAR: A.Beqiraj, AVAR: D.Maletaj (Tiranë)

Ndeshje pa probleme për gjyqtarët, me dy pretendime për 11-metërsh nga ekipi dinamovit, por që nuk ishin.

70′ Dinamo pretendon për një 11-metërsh, për një prekje të topit me dorë në zonë nga mbrojtësit kurbinas. Vijon lojën kryesori Doda, pranë aksionit. Vendim i drejtë, VAR-i nuk ndërhyn. 88′ Lorenco Vila rrëzohet në zonë pas dyluftimit me Da Limën, gjyqtari vazhdon lojën. Pamjet tregojnë se nuk ka kontakt. VAR-i nuk ndërhyn as në këtë rast.

SKËNDERBEU-ERZENI 1-0

Gjyqtarë: E.Rusta, E.Ganxhi (Elbasan), Xh.Mani (Tiranë); VAR: Enea Jorgji, AVAR: Silvio Dyrmishi (Elbasan)

Ndeshja mes Skënderbeut dhe Erzenit pati dy momente të diskutueshme, ku kryesorja Emanuela Rusta ka marrë vendime të sakta.

68’-71’ Mëllugja ndërhyn ashpër ndaj Juri Merlim dhe gjyqtarja Rusta e ndëshkon direkt me karton të kuq. Një vendim i drejtë, ndërhyrja është shumë e ashpër.

82’ Skënderbeu pretendon për 11-metërsh, për një prekje të topit me dorë në zonë. Pas konfirmimit nga VAR, Rusta vijon lojën. Edhe këtu vendim i saktë.

KUKËSI-TEUTA 0-2

Gjyqtarë: O.Yzeiraj (Patos), A.Shkreta, F.Kolleshi (Tiranë); VAR: I.Myrtja (Shkodër), AVAR: J.Podgorica (Shkodër)

Një ndeshje që pati disa momente të dyshimta dhe pretendime nga të dyja palët, sidomos nga Kukësi, me një penallti kundër dhe një të padhënë në favor.

22′ Daci shënon për Teutën, por ka një dyshim për pozicion jashtë loje. Gjyqtarët e konsiderojnë fillimisht të rregullt, por ndërhyn VAR-i dhe e anulon. Sulmuesi është në pozicion më të avancuar.

64′ Duka godet portën dhe në shtrirje e sipër Kotobelli devijon sferën në këndore. Gjyqtari vazhdon lojën, por pretendojnë për penallti vendasit. VAR-i vijon lojën në një moment shumë të dyshimtë.

87′ Lamçe shtyn me trup Arifin në zonë dhe ka penallti, që duket shumë bujare nga gjyqtari Yzeiraj. Kontakti nuk mungon, por është moment shumë i dyshimtë.

EGNATIA-VLLAZNIA 0-1

GJYQTARË: K.Cjapi, O.Grabova (Fier), N.Rrapaj (Vlorë); VAR: F.Lata (Durrës), AVAR: O.Kuka (Tiranë)

Kryesori Cjapi gabon në rastin e kartonit të kuq të Xhemajlit, duke i dhënë të verdhë, edhe pse ishte shumë afër në atë moment. E korrigjon VAR-i, që e bën të ndërrojë mendje, pasi ndërhyrja është shumë e rrezikshme. Të kota pretendimet e rrogozhinasve në këtë rast.

11′ Xhemajli ndëshkohet me karton të verdhë për një faull në dëm të Krymit, të cilit i shkel këmbën. Gjyqtari Cjapi thirret nga VAR-i të shohë pamjet dhe anulon të verdhin, duke i dhënë të kuq mbrojtësit.

72′ Pretendime nga Egnatia për prekje topi me dorë nga Hakaj, por nuk është kështu.

73′ Balaj shënon golin e dytë për Vllazninë, por ka një pozicion jashtë loje. Vendim i drejtë, pasi kapiteni shkodran është më i avancuar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura