Reagime të shumta kanë ardhur pasi Presidenti ende ne detyrë i SHBA-së, Jode Biden, i dha “dritën jeshile” Ukrainës për përdorimin e raketave me rreze të gjatë në luftën ndaj Rusisë.
Pas Zelenskyt, ka ardhur dhe një reagim nga një zyrtar rus, i cili është shprehur se vendimi i Biden do të çojë në një Luftë të Tretë Botërore.
“Vendimi i Uashingtonit për të lejuar Ukrainën të godasë thellë Rusinë me raketa amerikane me rreze të gjatë veprimi mund të çojë në një Luftë të Tretë Botërore”, ka thënë një zyrtar rus, sipas agjencisë së lajmeve TASS.
Vladimir Dzhabarov, nënkryetari i parë i komitetit të çështjeve ndërkombëtare të dhomës së lartë ruse, tha gjithashtu se masa e raportuar nga Joe Biden do të merrte një përgjigje të shpejtë, shkruan Sky News.
Kujtojmë se New York Times raportoi sot se Presidenti amerikan Joe Biden i ka dhënë ‘dritën jeshile’ Ukrainës që të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi të furnizuara nga SHBA për të goditur Rusinë.
Armët ka të ngjarë të përdoren fillimisht kundër trupave ruse dhe koreano-veriore në mbrojtje të forcave ukrainase në rajonin Kursk të Rusisë perëndimore, thanë zyrtarët.
Ky vendim i presidentit Biden përbën një ndryshim të madh në politikën amerikane. Lejimi i ukrainasve të përdorin raketat me rreze të gjatë, të njohura si Sistemet Raketore Taktike të Ushtrisë, ose ATACMS, erdhi si përgjigje ndaj vendimit të befasishëm të Rusisë për të sjellë trupat e Koresë së Veriut në luftë, thanë zyrtarët.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar prej muajsh që këto kufizime për raketat me rreze të gjatë veprimi të hiqen, duke lejuar Ukrainën të synojë zonat brenda Rusisë.
Pas bërjes publike të këtij lajmi, në një fjalim mbrëmjen e sotme, Zelensky tha se “sulmet nuk kryhen me fjalë dhe raketat do të flasin vetë”.
Udhëheqësi ukrainas tha se plani për të forcuar Ukrainën ishte plani i fitores që ai ua prezantoi partnerëve dhe një nga pikat kyçe të tij ishin raketat me rreze të gjatë për ushtrinë ukrainase.
“Sot flitet shumë në media se ne po marrim leje për veprimet përkatëse. Por goditjet nuk bëhen me fjalë. Gjëra të tilla nuk lajmërohen. Raketat do të flasin vetë. Sigurisht që do të flasin,” tha ai sipas Sky News.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al