“Mund të ketë ndryshime kushtetuese”- Xhafaj për komisionin anti-korrupsion: Institucionet e drejtësisë nuk na refuzuan, por shprehën besim ndaj Kuvendit! Opozitës i kemi bërë ftesë, por…

Oct 28, 2024 | 12:46
SHPËRNDAJE

Në një konferencë për media, Fatmir Xhafaj ka folur për komisionin anti-korrupsion që ai drejton, duke thënë se opozitës i kanë bërë ftesë të marrë pjesë, por kanë refuzuar dhe se sipas tij kjo zgjedhje nuk është e drejtë.

Xhafaj tha se edhe në Komisionin për Reformën në Drejtësi, opozita në fillim nuk ka marrë pjesë, por shtoi se u përfshi kur u diskutuan amendamentet kushtetuese.

Mungesa e opozitës në komisionin antikorrupsion?

Xhafaj: Ata kanë zgjedhur një qëndrim të tyre në këtë çështje si dhe në komisionet e tjera. Kuvendi i ka përjashtuar por ata kanë vendet e tyre në këtë komision. U kemi bërë ftesë për të marrë pjesë me ekspertët e tyre, për të shfaqur opinionin e forcave politike që përfaqësojnë.

Kjo nuk është histori e parë. Kështu ka qenë dhe me Reformën në drejtësi. Për gati një vit PD nuk ka marrë pjesë në një vit, por është përfshirë kur janë diskutuar amendamentet kushtetuese dhe në vazhdim. Nuk është një zgjedhje e drejtë në mendimin tim, por është zgjedhje e tyre.

Ndryshime kushtetuese? A do prekin ligjin organik të SPAK?

Xhafaj: Nuk e di ndoshta mund të ketë nevojë nëse e propozojnë ekspertët. Sa shoh unë nuk ka, por debati publik mund të nxjerrë. Nga draftin që kam parë unë, nuk shoh propozime për ndryshime ligjore dhe institucionale.

Por ky është proces, mund të ketë propozime dhe mund të arrihet në përfundime që kur të hartohet plani i veprimit, të ketë dhe të tilla. Nëse do të ketë, nuk ka kufizime për një komision që ti propozojë.

Ndryshime kushtetuese për drejtësisë nuk do të ketë, përveç atyre që kanë kërkuar nga sistemi i drejtësisë. SPAK ka propozuar të ndryshojë ligjin e tij. Institucionet e drejtësisë kanë propozuar 140 nene për ndryshime.

Refuzimi i institucioneve të drejtësisë për pjesëmarrje në komision me ekspertë?

Xhafaj: Sqarimi qe bëri ambasadori i BE ishte i mjaftueshëm. Nuk bëhet fjalë për refuzim sepse nuk refuzohet Kuvendi. Kuvendi është shprehje e vullnetit të popullit. Nga Kuvendi burojnë pushtetet e tjera. Fjala refuzim është e papërshtatshme. Sa i përket çështjes, ata kanë përcaktuar detyrimin kushtetues, ligjor, institucional për të kontribuar në këtë proces.

Nuk ka asnjë tejkalim jashtë rezolutës dhe Kuvendit. Kuvendi bën planin e veprimit ku përfshin të tre pushtetet dhe krijon ligje. Siç bën rëndom kur bën ligje, merr edhe kapacitete shtesë për të prodhuar një reformë të këtyre përmasave dhe ne standardi që propozuam ishte ngritje e grupeve të ekspertëve pa drejtësinë. Pastaj thamë pse pa ta. E u thamë të bëjnë vetë analizën dhe të na e sjellin në komision, pa e përfshirë me pjesën tjetër të grupit. Është shenjë pjekurie.

Ata kanë sjellë amendamente të ndryshme dhe po të shikosh kanë përplasje, sepse s’ka patur konsultim. Ata thanë jo, ne kemi besim te Kuvendi, bëjeni ju dhe sa herë të jetë e nevojshme do jemi aty. Janë zgjidhje të ndryshme.

Për ne ka rëndësi që të bëhet një proces sa më transparent, kur bëhet fjalë për ndryshime të ligjeve. Nuk jemi ne që nxitojmë të ndryshojmë ligje të drejtësisë, por të bëhet me proces transparent. Kjo është e gjithë historia. Është aq e thjeshtë sa nuk e mendoni dot. Ne deshëm të bënim një zgjidhje që tua linim atyre këtë gjë si përgjegjësi që kanë për fatet e sistemit, por ata thanë bëjeni ju sepse kemi besim te Kuvendi. Në fund fare duan të jenë pjesë e tryezës ku do të diskutohet kapitulli i tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura