Murat Toptani ka qenë i vetmi artist tiranas, bashkëkohës me krijuesit më të hershëm shkodranë e korçarë, që përbënin dy vatrat më të rëndësishme dhe më të hershme të artit shqiptar në fund të shekullit 19-të.
Ndërkohë ai ishte i pari dhe i vetmi skulptor i njohur në ato vite për gjithë artin shqiptar. Vepra e tij e fundit, busti i Skënderbeut, e vetmja që ruhet nga gjithë krijimtaria disavjeçare, sot është e para skulpturë me të cilën fillon arti i Rilindjes në Galerinë Kombëtare. Murat Toptani lindi në Aká (Akyaka në Turqinë e sotme) më 13 korrik të vitit 1866, ku ishte internuar i ati, Said Sermedin bej Toptani, nga turqit për arsye të aktivitetit të tij nacionalist. Atje i ati kishte ndërtuar familje me Hanifenë, vajza e Ahmet Pedis Kartajit, një luftëtar nga Kaukazi, i cili ishte internuar për të njëjtat e arsye me Said bej Toptanin. Të dy kishin luftuar kundër sulltanit, kuptohet, secili për vendin e tij. I rritur në një vatër me frymë nacionaliste do të ndikohej dhe do t’i diktonte ardhmërinë e tij. Në 1878 ai u regjistrua në shkollën “Madamë Fyres”.
Në atë shkollë studionte dhe Asije Frashëri, vajza e Sherif Frashërit, vëllait të madh të Frasherllinjve, e cila më vonë, u bë bashkëshortja e tij. Asija kishte mbetur jetime dhe u rrit nga xhaxhai, Naimi, dhe kjo është arsyeja pse njihej si vajza e madhe e Naimit ose pse e quajnë Murad bej Toptanin si dhëndrin e poetit të madh. Në 1884 Murat Toptani i vazhdoi studimet në shkollën “Sulltanie” (Gallata Saraj), ku mori një kulturë që u reflektua më vonë në gjithë veprimtarinë e tij të larmishme artistike. Në mbarim të shkollës ai zotëronte disa gjuhë të huaja: frëngjisht, osmanisht, arabisht dhe persisht. Pas vitit 1895, Murat Toptani u vendos pothuaj përfundimisht në qytetin e Tiranës, origjinës së tij.
ARRESTIMI
Në atdhe, filloi organizimin me miqtë e veprimtarë patriotë në Tiranë dhe më gjerë se kaq. Në 28 tetor 1897, Murad Toptani u arrestua nga Porta e Lartë. Të gjitha gazetat shqiptare të kohës, të cilat dilnin, sigurisht, jashtë trojeve shqiptare, lajmëruan për një gjë me rëndësi që kishte ndodhur “ato ditë” në Shqipëri. Gjëja me rëndësi ishte arrestimi i Murad bej Toptanit nga Porta e Lartë. Konsulli austriak në Dardanele i shkroi, në 4 mars 1898, konsullit austriak në Shkodër se Murad Toptani, bashkë me Marka Gjonin dhe të tjerë gjendej i burgosur në Dardanele.
Ai dyshonte se ata mbaheshin aty, dhe ende nuk ishin nisur diku tjetër, me ndonjë urdhër nga Stambolli. Aty i mbanin të izoluar, “nuk i lënë që të takohen me njeri”. Më 10 prill, ai i shkroi sërish kolegut në Shkodër për fatin e të burgosurve shqiptarë. Sipas tij, autoritetet e Dardaneleve kishin marrë një urdhër nga ministri i Punëve të Brendshme për t’i dërguar shqiptarët në internim, Murad bej Toptanin në Tripoli (Libia e sotme) dhe kajmekanin Marka Gjoni në Mosul (Irakun e sotëm). Nisja do të bëhej me vaporin e Mahsusasë. Dhe një detaj që flet sa shumë ishte Murad Beu në vëmendjen e austriakëve: “familjarët e Murad Beut janë të dëshpëruar”. Konsulli austriak i Dardaneleve, në 12 maj 1898, duket se ka një shpjegim më konkret për ngjarjen, që mendohet se është një sqarim i autoriteteve osmane për ambasadën austriake: “Arrestimi i Murad Beut nga Tirana ka qenë i arsyetuar me faktin se bënte korrespodencë revolucionare me Dervish Beun nga Elbasani, i cili tash gjendet në arrati dhe me persona të tjerë dhe bënte çdo lloj agjitacioni subversiv, sikurse është provuar me letrat që kanë rënë në dorë të autoriteteve mbretërore”.
Murad Beu u arratis nga internimi në Tripoli dhe u hodh në Itali bashkë me Baba Ahmetin e Koshtenit dhe një tjetër. Në Itali, Murad bej Toptani lëvizi nga një qytet në tjetrin, në kolonitë shqiptare të atjeshme, ku vazhdonte propagandën për çështjen kombëtare. Në tetor 1898 u gjend në Bruksel dhe prej andej, së bashku me Faik Konicën, shkoi në Bukuresht. Murad Toptani është ndër të paktët shqiptarë të shquar, për të cilin ka shkruar, më shumë se njëherë, vetëm fjalë të mira dhe Faik Konica. Sipas tij, Murad Beu ishte “patriot i zjarrtë, mjaft inteligjent… urren sllavët dhe ka simpati për Austrinë”. “Albania” e Konicës shkroi disa herë për Murad Toptanin dhe ai botoi aty disa vjersha.
Nga fundi i vitit 1899 Murad bej Toptani u kthye në Shqipëri, por nuk qëndroi gjatë, sepse u internua deri në 1908, në Konjë, në juglindje të Turqisë së sotme.[1] Mbështet kryengritjen e Kurbinit të udhehequn nga Gjin Pjetër Pervizi, 1906-1912, me të cilin Toptanët kishin miqësi tradicionale. Merr pjesë në Kuvendin e Vlorës si përfaqësues i Tiranës, ku i caktuar nga Ismail Qemali vendos flamurin dhe me atë rast mban një fjalim. Fjalimin e tij të ndezur dhe plot retorikë në 28 nëntor 1912, në Vlorë, e kanë vlerësuar dhe Mit’hat Frashëri dhe baronesha Marie Amelie Frein von Godin, të dy dëshmitarë në ngjarje. Firmosi aktin e mëvetësisë, me siglën “Murad Toptani”. Gjatë Luftës së Parë Botërore hyri vullnetar në ushtrinë austro-hungareze, por dhe perandoria që e kishte përkrahur gjatë përndjekjeve që i bënte Porta e Lartë dhe vetë ai patën fund të hidhur katër vjet më vonë. Në një raport të shërbimit të fshehtë anglez të vitit 1916, lexojmë: “Murad beu: Nga familja e Toptanasve. Kushëri me Esatin, por në konflikt të vazhdueshëm me të; nga kjo shtrëngohet të jetojë jashtë shtetit. Ka ndikim të madh në popullsinë e Shqipërisë së Mesme.” Toptani bashkëpunoi me organet e shtypit të shqiptarëve jashtë atdheut. I detyruar, Muradi emigron në Vjenë. Vdiq në Tiranë, një vit pasi u kthye në atdhe.
VEPRA
“Do të ishte një gjë me interes t’i mblidhte njeriu vizatimet bërë prej Muradit dhe t’i botonte”, – shkroi Mid’hat Frashëri në 1924. Kjo s’ka ndodhur as gati një shekull më vonë. Një bust të Skënderbeut e ka punuar në Napoli më 1898, një në Tiranë në 1917. Më vonë, bustin e Tiranës e riprodhoi në bronz mjeshtri i skulpturës monumentale Odhise Paskali. Busti i gruas së tij, Asijes, është një nga punimet e tij më cilësore artistikisht, dhe ndër të paktat vepra të tij – figurative apo letrare, që nuk ishte politike. Karikatura e Murad Toptanit, e titulluar “Premtimet e Anglisë”, është një krijimet e tij më të mprehta.
Dy kalorës, me vështrimin përpara, shkojnë drejt fatalitetit shaluar mbi kuaj, kapistallët e të cilëve i tërheq një skelet njeriu nga thellësia e greminës. Në Arkivin Qendror të Shtetit, në Tiranë, gjendet një fletë broshure, fleta 14, e cila lartëson veprën patriotike të Murad bej Toptanit. Dokumenti është në gjuhën osmane, në shqip gjendet jo përkthimi, për një shpjegim për përmbajtjen: “Fleta ka një karakter poezie në prozë, ku naltëson veprat patriotike të Murad beut, tue i thanë se ti edhe me të vra me tradhti e me tortura, nuk do të vdesësh, ti me idealin e liris në zemër e me ndjenjat e sakrificës ashtu dhe me vullnetin patriotik do të mbetesh i pavdekshëm e të tjera”. Përcaktimi i këtij teksti anonim duket se është i saktë, veprimtaria patriotike, më shumë se gjithçka tjetër, ka mundësi të rezultojë më jetëgjati në histori. Përpjekjet për çështjen e kombit shqiptar atij i kushtuan vuajtje e dhimbje, iu desh të kalonte prova të shumta e të bënte sakrifica me çmim të lartë, por, në fund, firma në dokumentin e pavarësisë, në 28 nëntor 1912, i hapi portat e përjetësisë.
SKËNDERBEU
Murat Toptani, si mjeshtër me talent dhe prirje që kishte në çdo gjë, e punoi bustin e Skënderbeut në bronz, gjatë qëndrimit në Kalabri, me sa dihet i pari skulptor shqiptar, që i kushtoi një bust heroit kombëtar, ndërsa më vonë në vitin 1917, ai e gdhendi dhe një bust tjetër po për Skënderbeun, e cila ruhet në Galerinë e Arteve në Tiranë. Në dhjetor të vitit 1917, Murat Toptani u kthye përfundimisht në Tiranë. Po atë vit filloi edhe krijimin e një busti tjetër për Skënderbeun që e realizoi në baltë të pjekur. Qysh pas mbarimit në baltë të pjekur (më 1917), në ekspozimin e parë (1931), në ekspozime të tjera e deri në vendosjen përfundimtare në Galeri ky bust ka një histori të veçantë që veç hulumtimeve të studiuesit Prof. Ferid Hudhri, plotësohet edhe me kujtimet e Skulptorit të Popullit Odhise Paskalit, të shkruara posaçërisht për plotësimin e monografisë së Murat Toptanit.
Në korrik të vitit 1898, Toptani u vendos në Brindisi, midis arbëreshëve dhe shqiptarëve që luftonin për çështjen kombëtare. Pasioni për artin dhe sidomos dëshira për të nxjerrë një vepër dinjitoze për figurën e Skënderbeut, që ishte shndërruar në simbol të bashkimit të shqiptarëve, e nxitën Muratin që punën e lënë përgjysmë në Tiranë ta përfundonte në Itali. Mblodhi baltë dhe filloi nga puna. Veç përvojës së deritanishme, nga udhëtimi në Itali, ai ishte pasuruar edhe nga përvoja e mjeshtërve italianë, statujat e të cilëve i vëzhgoi në muzetë dhe sheshet e qyteteve. Ky ndikim ndjehet edhe në veprën e re të Toptanit. Sapo e përfundoi bustin e Skënderbeut, i dërgoi një letër Visar Dodanit në Bukuresht dhe i shpjegon gjatë për krijimin e tij, për mundësinë e riprodhimit në disa kopje, për ti shpërndarë midis shqiptarëve dhe hollësira të tjera. “Këtë bust e kam ba pas një tabloje të Marqer Aulettës e Dora dIstrias e Konfortit. Ishin tri si njëra edhe tjetra. Tabloja e kish pothuaj plak, unë e bëra më të ri, e mvesha me hekur, sikur shikon armikun me sy të egërsuar”.
Letra e mësipërme, përveç të tjerave, na jep edhe njoftimin se, në atë kohë, edhe tre autorë të tjerë kishin realizuar figurën e Skënderbeut në art, nga të cilët njohim më mirë Dora d’Istrian. Për Konfortin (Girando Conforti), V. Dodani në librin e tij shkruan se është një arbëresh i Italisë, një njeri me kulturë të gjerë, që punoi për çështjen kombëtare. Banonte në koloninë e shqiptarëve në Napoli. Për skulpturën e Toptanit botoi njoftim të veçantë edhe gazeta “La nuova Albania” e datës 6 mars 1899 nën titullin “Il busto di Scanderbeg”. Njoftimi i kësaj gazete është i rëndësishëm jo vetëm se është një dokument tjetër që dëshmon për datën e krijimit të bustit, por edhe për faktin se, nga kërkimet e deritanishme, ky është i pari shkrim në gazetat e shekullit 18-të që komenton një vepër arti të realizuar nga artistë shqiptarë.
Pasi tregohet se Toptani e ka skalitur në mermer figurën e Skënderbeut, në gazetë bëhen edhe komente rreth realizimit të veprës dhe vlerave të saj. “Është një Skënderbej po jo prej atyre që kemi parë nëpër telajot, ku paraqitet mjaft i moshuar. Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, këtu na jepet në kulmin e moshës së pjekur, me përkrenare në kokë dhe me vështrim të ëmbël e krenar në të njëjtën kohë. Dhe ne, duke marrë parasysh sakrifica jo të vogla, e pasi kemi kaluar mjaft prej tyre, mund t’ju ofrojmë kopje në terakotë, shumë të ngjashme me origjinalin, e me një vlerë aspak të kushtueshme. Do të bëhen edhe kopje të bustit në madhësi natyrale… Për këtë jemi të sigurt se asnjë shqiptar, asnjë bashki e vendbanimeve shqiptare në Itali, nuk do të donte ta linte ti kalojë ky rast për të mundur tu tregojë të gjithëve që e admirojnë fytyrën e tij që me të drejtë pesëqind historianë dhe biografë e shënojnë ndër prijësit më të shkëlqyer të ushtrive, e që ishte mburojë e vetme kundër pushtimeve të gjysmëhënës, së cilës i rezistoi heroikisht për shumë vjet, pa pësuar asnjë humbje… prandaj dëshirojmë ta shohim të ngritur lart figurën e heroit tonë, mbi kolona e baza graniti, mbi altare…”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al