“Murtaja” nuk i ndahet Realit, 22 dëmtime në 4 muaj

Nov 12, 2024 | 13:54
SHPËRNDAJE

Dëmtimi i rëndë në gju i Eder Militao, këputja e dytë e ligamenteve të kryqëzuar këtë sezon pas Dani Karvahal dhe e pesta e pësuar nga një lojtar i Realit të Madridit në pesëmbëdhjetë muaj, zgjat serinë e keqe të dëmtimeve të skuadrës së bardhë.militaoNë fakt nuk flitet më për një rastësi, por për një “murtajë”, 22 dëmtime në vetëm katër muaj. Gjë që përkeqëson statistikat e viteve të fundit dhe bën që Karlo Ançeloti të tregojë gishtin nga kalendari i ngjeshur. Në pjesën e parë të ndeshjes së të shtunës kundër Osasunës, tre lojtarë u dëmtuan njëherazi.

Një problem i ri muskulor për Rodrigon, një tjetër i tillë për Lukas Vaskez dhe natyrisht dëmtimi më i rëndë ai i Militaos, që vjet kishte këputur ligamentin e kryqëzuar të këmbës së majtë. “Tre dëmtime në pjesën e parë janë mjaft të çuditshme”, tha Ançeloti, i cili e di se ku të tregojë fajtorin. “Ngjeshja e kalendarit nuk i lejon lojtarët të pushojnë. Ata arrijnë në ndeshje më pak të freskët se normalja dhe rreziku i lëndimeve është më i lartë”.

LUKAS E RODRIGO NJË MUAJ JASHTË – Ndërsa për Militaon u bë e qartë që në krye të herës së sezoni kishte përfunduar, te Reali kishte shpresa të vakëta për dëmtimet e Lukas Vaskez dhe Rodrigos. Por jo më larg se dje, shkalla e dëmtimit të tyre është konfirmuar dhe lojtarët do të qëndrojë të paktën një muaj larg fushave, që do të thotë se do të mungojnë në ndeshje shumë të rëndësishme, veçanërisht në Ligën e Kampioneve.

SAGA E DËMTIMEVE – Seria e dëmtimeve të pambarimta të Realit në këtë sezon nis me Eduardo Kamavingën. Francezi pësoi një ndrydhje të gjurit në stërvitje në prag të Superkupës së Europës. Që nga dëmtimi i tij, Reali numëron tashmë 22 dëmtime që kanë bërë që lojtarë të ndryshëm të jenë jashtë fushës në disa ndeshje.

Sa për krahasim, situata me dëmtimet në Madrid është përkeqësuar. Në këtë moment, një vit më parë, Reali numëronte 11 dëmtime Numri i përgjithshëm i të dëmtuarve gjatë gjithë sezonit ishte 37, shifër kjo që është në rrugën e “pluhurosjes” në sezonin aktual. Kamavinga u pasua nga Bellingam dhe Vajeho, edhe ata në gusht me probleme muskulore. Anglezi, qëndroi jashtë fushës për 21 ditë. Në shtator, problemet erdhën për Dani Sebajos me një ndrydhje në kyçin e këmbës, Tçuameni me një problem shputës së këmbës, dëmtime të tjera muskulore për Ferland Medi, Militao, Gyler, Brahim Diaz, Karvahal, Mbape dhe Kurtua.

Situata u përkeqësua në fillim të tetorit kur Karvahal këputi ligamentin e kryqëzuar të gjurit duke mbyllur sezonin. Ançeloti humbi kapitenin. Po atë ditë, Vinicius pësoi një dëmtim në shpatull që e pengoi atë të merrte pjesë me kombëtaren braziliane. Që nga rikthimi pas pauzës së kampionatit në tetor, te Reali ka pasur 6 dëmtime të tjera në vetëm pesëmbëdhjetë ditë. Një dëmtim i dytë muskulor për Kurtua, dy radhazi për Rodrigon, një ndrydhje në kyçin e këmbës për Tçuamenin, një dëmtim muskulor për Lukas Vaskez dhe kapakun ia vuri dëmtimi në gju i Eder Militaos që ka mbyllur dhe ai sezonin.

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura