“Na thanë se kishte pësuar aksident, më vonë…”- Rrahja brutale e çiftit të moshuar në Fier, flasin familjarët: Autori ishte dehur, njeri problematik

Oct 14, 2024 | 11:06
SHPËRNDAJE

24 orë pas rrahjes së çiftit të moshuarve në Povelcë të Fierit, familjarët dhe bashkëfshatarët e tyre ende janë të shokuar. 

dhuna ne fier

Në dëshminë e saj për media fqinja e të moshuarve tregon se fillimisht dëgjoi zhurmë dhe doli menjëherë për të parë se çfarë po ndodhte teksa ka parë 80-vjeçarin të shtrirë përtokë të mbuluar me njolla gjaku.

“Pashë vetëm atë (Namik Rustemin) të shtrirë, asnjë gjë tjetër. I moshuari në gjendje më të rëndë, erdhi policia dhe ambulance, iu dha menjëherë ndihma e shpejtë”, tha fqinja.

Ndërsa nusja e djalit tregon se fillimisht i thanë se kishte pësuar aksident për të mos i trembur, ndërsa më pas mësuan për ngjarjen. Ajo pohon se autori ka qenë në gjendje të dehur, ndërsa thekson se edhe pse ka qënë person problematik në zonë, me çiftin e të moshuarve nuk ka patur asnjëherë më parë probleme.

“Ishim në punë, na morën në telefon dhe na njoftuan. E ka shtypur makina na thanë, për të mos na tronditur. Kur erdhëm këtu na thanë se e ka goditur një person. Nuk e di cili ka qenë shkaku, vjehrra ka qenë me të kur ndodhi ngjarja.

 Nuk kanë patur konflikte. Autori ishte i dehur, ka qenë problematik, por me këta pleqtë jo. Vajti te pleqëria, te ata që ishin në punë të tyre në dyqan.

Çifti ka tre çuna dhe një vajzë. Dyqanin kanë vite që e kanë dhe asnjëherë nuk kanë patyur probleme”, tha nusja e djalit të çiftit.

Dyert e dyqanit ushqimor vijojnë të jenë të mbyllura, ndërsa i moshuari Namik Rustemi, vijon të mbetet në intubim në Spitalin Rajonal të Fierit, kurse bashkëshortja e tij ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Njoftimi i policisë për ngjarjen:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier arrestuan  shtetasin Ilir Nukaj, 47 vjeç, banues në fshatin Povelçë, Fier, person me precedent penal për krime ndaj personit.

Në fshatin Povelçë, në ambientet e jashtme të dyqanit ushqimor në pronësi të shtetasit Namik Rustemi, shtetasi Ilir Nukaj, për motive të dobëta ka goditur me grushta në pjesën e kokës, shtetasin Namik Rustemi, 80 vjeç dhe bashkëshorten e tij, shtetasen A.R, 77 vjeçe.

Si pasojë e dhunës shtetasi N.R, ndodhet i shtruar dhe intubuar në spitalin rajonal Fier në gjendje të rëndë, në kujdesin e mjekëve. Ndërsa shtetasja A.R pasi ka marrë mjekim është larguar drejt banesës së saj.

Materialet procedurale do të  referohen në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprën penale ‘‘Plagosje e rëndë me dashje’’.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura