Kryeministri Edi Rama është pyetur nga qytetarët gjatë takimit në New Yok nëse propozimi për krijimin e Shtetit Sovran të Bektashinjve do të hidhet në referendum apo do votohet vetëm në Parlament.
Për kreun e qeverisë tha se miratimi i kësaj nisme do të kalojë në një sërë procesesh, të cilat duhet të jenë konform Kushtetutës së vendit.
Rama u shpreh se kjo nismë do të diskutohet dhe do të shikohen të gjitha aspektet legjislative. Në përgjigjen e tij kryeministri pohoi se nuk do të ketë referendum për ketë çështje, por nuk përjashtoi konsultimet dhe diskutimet.
“Shqipëria ka një Kushtetutë dhe ti e di shumë mirë dhe në bazë të Kushtetutës dhe mbi bazën e ligjeve ndërkombëtare ne do të votojmë një proces që do të jetë konform Kushtetutës dhe konform ligjeve ndërkombëtare, pa asnjë diskutim, sepse kjo nuk është një gjë që e thashë unë dhe u bë. Kjo ka një proces, do të diskutohen gjërat, do të shihen të gjitha aspektet legjislative dhe pastaj në fund, unë besoj që do të triumfojë arsyeja.
Në këtë gjë po ju them ka vetëm të mira, çdo gjë mund të ketë ato të vetat, por në këtë gjë unë nuk shoh asnjë gjë që mund të thuash “jo po se kjo”. Asnjë, zero, që të mos flas për të mirat e tjera që sjell për Shqipërinë e për shumë e shumë gjëra nga pikëpamja e vizibilitetit, nga pikëpamja e interesit, atraksionit etj. Le të mos flasim për këto.
Po flas vetëm për interesin tonë kombëtar dhe për trashëgiminë tonë historike, kulturore kombëtare. Kështu e shoh unë”, u shpreh Rama.
BATUTAT
Gjatë fjalës së tij, Rama nuk kurseu dhe batutat me kundërshtarët teksa tha se duhet të lexojnë për Urdhrin Bektashi, duke filluar nga librat e Naim Frashërit.
Po me batutë, Rama tha se Naim Frashëri nuk ka qenë agjenti i Soros, apo i blerë nga Aleksandër Vuçiç.
“Unë do t’ju sugjeroja kujtdo ndër ju që është i interesuar dhe kujtdo tjetër që është i interesuar, të hapë librat e historisë së Urdhrit Bektashi, duke filluar nga Naim Frashëri. Nuk besoj se ka qenë agjent i Soros-it, nuk e besoj, por edhe mund të ketë qenë. Unë nuk e besoj se ka punuar për Soros-in Naim Frashëri, nuk ma ha mendja që të ketë qenë i blerë nga Vuçiç.
Edhe mund ta ketë blerë që atëherë, por unë nuk e besoj. Ta fillojnë nga Naim Frashëri e të shohin pastaj gjithë si ka rrjedhur historia e këtij Urdhri dhe pasi ta lexojnë do kuptojnë që këtu bëhet fjalë për një pasuri kombëtare, këtu bëhet fjalë për një thesar që ne nuk mund ta lëmë që të tretet. Kaq e thjeshtë është kjo! “Jo po se po të bëhen këta kështu, atëherë do duam dhe ne”.
Po çfarë doni ju? Po çfarë do duan këta të tjerët? Të gjithë i kanë qendrat e tyre, disa kanë një, disa kanë disa, ortodoksët kanë qendrat e tyre, janë të ndara sipas zonave të tyre. Fan Noli krijoi Kishën Autoqefale, por nuk tha “Hajde se po e bëjmë shtet më vete” pikërisht për faktin se Kisha Autoqefale Shqiptare ishte pjesë e gjithë rrjetit. Pjesa e komunitetit mysliman ka gjithë ato referenca dhe për këtë arsye ka dhe gjithë ato mbështetje që i merr, kurse këta janë si jetimë dhe janë jetimët e Shqipërisë, nuk janë as të një shteti e as të një shteti tjetër.
Tani ne Shqipëria, duhet ta lëmë që këta jetimë, në sensin që nuk kanë asnjë lidhje me fuqitë e tjera. Tempulli i tyre, për të ndërtuar tempullin e tyre kam kërkuar unë nga qeveria që të japin një financim. Nuk kanë ata shtete të tjera që i mbështesin, por ama të mos harrojmë që është një Urdhër që ka njerëz në të gjithë botën dhe jo thjesht shqiptarë, ka lloj-lloj. Është një qasje e islamit që ka disa nuanca të vetat etj. Kundërshtia me çdo çmim! “Nuk ka rëndësi se çfarë thotë. E thotë Edi Rama? Nëse e thotë Edi Rama, po e tha ky, kjo është tradhti”. Edhe si përfundim, Naim Frashëri është agjent i Soros!?”, u shpreh Rama.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al