Presidenti Bajram Begaj ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili u shua në Spitalin “Evangelismos” të Athinës mëngjesin e sotëm.
Kreu i Shtetit, në një postim në rrjetet sociale, shprehet se Shqipëria sot humbi udhëheqësin shpirtëror dhe figurën e shquar të Kishës Ortodokse Autoqefale.
“Gjatë udhëheqjes së tij, Fortlumturia e tij ka udhëhequr Kishën me mençuri, përkushtim dhe dashuri për njerëzit, duke kontribuar në forcimin e saj dhe në krijimin e një rruge të re për besimin ortodoks shqiptar, veçanërisht pas periudhës së vështirë të kaluar. Ai ishte një shembull i palodhur i përkushtimit shpirtëror dhe një udhërrëfyes për të gjithë ata që e ndoqën”, shkruan Presidenti Bajram Begaj.
Kreu i Shteti i ka shprehur ngushëllimet Kishës Ortodokse Autoqefale, si edhe për gjithë besimtarët, që humbën atin dhe kryebariun e tyre, një udhëheqës të dashur dhe të nderuar.
Postimi i plotë:
Shqipëria humbi sot Fortlumturinë e tij, Kryepiskopin e Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasin, udhëheqësin shpirtëror dhe figurën e shquar të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Gjatë udhëheqjes së tij, Fortlumturia e tij ka udhëhequr Kishën me mençuri, përkushtim dhe dashuri për njerëzit, duke kontribuar në forcimin e saj dhe në krijimin e një rruge të re për besimin ortodoks shqiptar, veçanërisht pas periudhës së vështirë të kaluar. Ai ishte një shembull i palodhur i përkushtimit shpirtëror dhe një udhërrëfyes për të gjithë ata që e ndoqën.
Në këtë moment të dhimbshëm, shprehim ngushëllimet tona më të thella për Kishën dhe për gjithë besimtarët, që humbën atin dhe kryebariun e tyre, një udhëheqës të dashur dhe të nderuar. Trashëgimia e Fortlumturisë së tij do të mbetet gjithmonë e gjallë në zemrat e atyre që e nderuan dhe e donin.
Lutemi që Zoti t’i dhurojë prehjen në tendat e të drejtëve dhe qoftë kujtimi i tij i përjetshëm!
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al