Në nderim të figurës së ish-deputetit Gert Bogdani, Partia Demokratike ka shpallur ditë zie ditën e enjte, datë 19 shtator 2024.
Me anë të një njoftimi zyrtar, zyra e shtypit të PD thotë se të gjitha aktivitetet e Partisë Demokratike në datat 18 dhe 19 shtator në të gjithë territorin do të anulohen.
“Në të gjitha selitë e Partisë Demokratike flamuri kombëtar dhe flamuri i PD do të ulen në gjysmështizë dhe në orën 12.00 do të mbahet një minutë heshtje në të gjitha selitë e Partisë Demokratike”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë që ish-deputeti i PD-së u nda papritur nga jeta mesditën e sotme (18 shtator) dhe dyshohet për shkak të një arresti kardiak.
Bogdani po pinte kafe me miqtë e tij në një hotel në Tiranë kur ka shfaqur probleme shëndetësore. Ai u ka thënë se kishte vështirësi me frymëmarrjen dhe është larguar për në tualet.
Por, sipas burimeve për Panorama.al, kur Gerti Bogdani nuk është kthyer në tavolinë, miqtë e tij janë shqetësuar dhe kanë shkuar në tualet. Ata kanë hapur derën me forcë dhe e kanë gjetur të shtrirë në tokë pa ndjenja.
Më pas, është njoftuar ambulanca dhe ish-deputeti u dërgua në spitalin e QSUT ku mori ndihmën mjekësore, por nuk arriti që të mbijetojë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al