Ndërhyrje në zgjedhjet amerikane? Ambasada ruse në Uashington e mohon: Shpifje dashakeqe, të shpikura për t’u përdorur në luftën e brendshme politike të SHBA

Nov 6, 2024 | 9:23
SHPËRNDAJE

Ambasada e Rusisë në Shtetet e Bashkuara ka mohuar akuzat për ndërhyrjen e Moskës në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, pasi autoritetet thanë se kërcënimet me bomba mashtruese ndaj qendrave të votimit dukeshin se kishin origjinën në Rusi.

rusia

FBI konfirmoi të martën se kërcënimet me bomba në qendrat e votimit në disa shtete ka të ngjarë të kenë ardhur nga domenet ruse të postës elektronike. Megjithëse FBI tha se asnjë nga kërcënimet nuk ishte i besueshëm, ata detyruan mbylljen e përkohshme të disa qendrave të votimit.

Kjo vjen pasi inteligjenca amerikane muajin e kaluar vlerësoi se operativë rusë qëndronin pas një video të rreme që pretendohej të tregonte dikë që shkatërronte fletëvotimet me postë në Pensilvani në fund të tetorit.

Ambasada ruse në Uashington tha se akuzat e SHBA ishin “shpifje dhe të pabaza”.

“Të gjitha insinuatat rreth ‘makinacioneve ruse’ janë shpifje dashakeqe, të shpikura për t’u përdorur në luftën e brendshme politike të Shteteve të Bashkuara,” tha ambasada në komentet e raportuara nga agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novosti.

Ambasada tha se “nuk mori asnjë provë në kontaktet e saj me zyrtarët amerikanë apo edhe ndonjë kërkesë në lidhje me historinë që po promovohej në shtyp”, dhe akuzoi autoritetet dhe mediat amerikane për “histerikë” mbi dezinformimin e dyshuar rus në lidhje me zgjedhjet.

Sekretari i shtypit presidencial rus Dmitry Peskov ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo ndërhyrje zgjedhore nga Moska, duke thënë se akuzat ishin “absolutisht të pabaza”, sipas RIA Novosti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura