“Ndëshkim të ashpër për fajtorin”- Taulant Balla reagon për plagosjen e policit në Himarë: Kush ngre dorë mbi efektivët kryen krim të rëndë

Aug 16, 2023 | 10:00
SHPËRNDAJE

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar ndaj plagosjes së policit në Himare, Redin Çaushajt, i cili u qëllua me thikë nga një person, ndërsa hyri për të ndarë sherrin.

Balla-Gjirokaster-7-675x450

Balla kërkoi një hetim të ngjarjes, ndërsa theksoi se fajtori duhet të ndëshkohet ashpër. Sipas tij, kush ngre dorë mbi policinë kryen një krim të rëndë.

Sa i takon gjendjes shëndetësore, Balla u shpreh se mjeket po bejne gjithcka dhe sipas tyre efektivi po shfaqe permiresime.

“Prej mbrëmë, pak para mesnate, një nga djemtë e rinj dhe të përkushtuar të Policisë së Komisariatit Himarë, Redin Çaushaj, po lufton për jetën në Reanimacion e Spitalit Vlorë.

Mjekët dhe infermieret e këtij spitali kanë bërë më të mirën dhe gjendja shëndetësore e Redianit, edhe pse vazhdon e rëndë, po shfaq përmirësime dhe paraqitet e stabilizuar në parametrat jetikë për momentin.

Redin Caushaj mban detyrën e inspektorit në Policinë e Shtetit dhe dje edhe pse jashtë orarit të shërbimit është përpjekur të bëjë detyrën duke ndërhyrë për shuarjen e një konflikti mes dy shtetasve, siç jam informuar menjëherë mbrëmë nga Drejtori i Përgjithshëm.

Në këtë përpjekje të punonjësit të policisë, njëri nga shtetasit e ka goditur me armë të ftohtë duke e plagosur rëndë. Autori i këtij krimi është arrestuar sot në të gdhirë nga forcat tona të Policisë së Shtetit dhe pres nga Prokuroria Vlorë të bëjë një hetim të plotë, të pavarur dhe një ndeshkim të ashpër për fajtorin.

Kushdo që guxon të ngrejë dorë kundër një punonjësi policie duhet ta dijë mirë se po kryen një krim të rëndë kundër shtetit. Do të flas në një moment të dytë sot për këtë çështje.

Redini do të vazhdojë të qëndrojë në Reanimacioin e Spitalit Vlorë, pas konsultimit që patëm me mjekët dhe drejtuesit e Spitalit”, shkruan Balla.

balla

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura