Ndotja e detit të Durrësit, letër-porosi Italisë e Greqisë për anijet

Dec 28, 2015 | 8:27
SHPËRNDAJE

Krimi ekologjik mëngjesin e 7 nëntorit, ku tonelata me naftë ndotën bregdetin e Durrësit, dyshohet të jetë bërë me qëllim nga njëra prej dy anijeve, njëra greke e tjetra italiane.

Ndotja-DurresProkuroria e Durrësit ka dërguar letër-porosi në vendet fqinje (Greqi-Itali), ku u ka kërkuar autoriteteve të ketë akses për të marrë në pyetje ekuipazhet e tyre. Me mbërritjen e letër-porosive, Prokuroria pritet të mbyllë hetimet për ndotjen e konsideruar katastrofë mjedisore, për të cilën provat bëjnë përgjegjës 6 marinarë.

Burime nga grupi hetimor thanë për “Panorama” se dy anijet e dyshuara ishin nisur përkatësisht nga Greqia dhe Italia, ku pak orë para konstatimit të ngjarjes kanë shkelur në ujërat e territorit shqiptar.

Prokuroria ka dalë në konkluzionin se kur kanë kaluar në ujërat tona, anijet kanë kryer pastrimin për të shmangur taksat e larta në portet e shteteve fqinje. Portet e Italisë dhe Greqisë klasifikohen me flamur blu, sa i përket pastërtisë së ujit dhe kanë taksë shumë të lartë për derdhjen e mbetjeve.

“Pas hetimeve intensive, kemi dalë në përfundimin se bregdeti u ndot nga dy, ose njëra prej dy anijeve, që kaluan pak orë para se të konstatohej ngjara në ujërat territoriale shqiptare. Për të shmangur taksat e larta në portet e shteteve fqinje, si Greqia dhe Italia, ekuipazhi ka derdhur në ujërat territoriale mbetjet e hidrokarbureve, të cilat dallgët i sollën në bregdetin e Durrësit. Kemi dërguar letër-porosi në Greqi dhe Itali për të marrë miratimin e homologëve tanë, me qëllim për të marrë në pyetje ekuipazhet e tyre. Jemi të bindur, por pasi të kopsitim provat, do të bëjmë të ditur edhe emrin e anijes”, thanë burime nga grupi hetimor.

Mëngjesin e 7 nëntorit, bregdeti i Durrësit nga “Ura e Dajlanit” deri në “Iliria” u mbulua nga nafta dhe lubrifikante, duke u kontaminuar plotësisht.

Me kalimin e ditëve dhe me ndërhyrjen e strukturave të ndryshme të institucioneve lokale dhe qendrore, bregdeti iu rikthye normalitetit. Për të mbyllur këtë kapitull, prokuroria duhet të verë para drejtësisë shkaktarët e kësaj ndotjeje mjedisore, e cila alarmoi të gjithë qeverinë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura