Në burg për koncesion 100 mln euro të sterilizimit, biznesmeni Ilir Rrapaj me pranga në duar dhe i rrethuar nga policët në Komisionin Hetimor për Shëndetësinë

Nov 11, 2024 | 9:40
SHPËRNDAJE

Biznesmeni Ilir Rrapaj ka mbërritur me pranga në duar dhe i rrethuar nga policët në Komisionin Hetimor për Shëndetësinë.

SPAK i ka dhënë leje Ilir Rrapajt, i cili është në burg për koncesion 100 mln euro të sterilizimit, që të lirohet për pak orë nga qelia për të dëshmuar në Komisionin Parlamentar për Check Up dhe Sterilizimin.

Ilir Rrapaj1

Thirrja e dëshmitarëve për të sqaruar rrethana të ndryshme që lidhen me çështjen:

  • Ora 9.30 Ilir Rrapaj
  • Ora 14.00 Anila Denaj
  • Ora 16.00 Altin Fani
  • Ora 18.00 Umbro Staccini
  • Ora 19.00 Elisabetta Anzanello
  • Ora 20.00 Giorgio Tardioli

Në burg për koncesionin e sterilizimit janë edhe ish-zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj, si edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja.

Prej tre vitesh SPAK ka nisur një hetim në lidhje me kete koncesion. Ilir Rrapaj ishte një biznesmen i panjohur në qarqet e biznesit në Shqipëri deri në vitin 2013. Para se socialistët të vinin në pushtet, ai ishte pronari i një agjencie ndërmjetësimi si edhe i një kompanie modeste ndërtimi me qendër në Peruxhia të Italisë.

Një kompani që rezultonte të kishte vetëm një të punësuar në Itali, teksa arriti të fitonte në Shqipëri një tender kaq të lakmuar prej rreth 100 milion dollarësh.

Por çfarë është kontrata e sterilizimit?

Ajo është një prej katër projekteve të PPP nne mbështetje buxhetore në shëndetësi që e ka zanafillën në mandatin e parë qeverisës të kryeministrit Edi Rama. Kontrata u firmos në vitin 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare SaniService –aksionerët e së cilës janë Investital LLC dhe kompanitë italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.

Paketën më të madhe të aksioneve në këtë koncesion e zotëron Investital LLC- një kompani e vogël e themeluar me kapital 1 mijë euro në Kosovë nga Ilir Rrapaj. Sipas të dhënave të publikuar nga BIRN pak kohë më parë rezulton se Rrapaj u kthye në Shqipëri pas zgjedhjeve të vitit 2013 dhe para se të fitonte koncesionin, vendosi kontakte të shpeshta me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Elektrobisturia është pjesë e njërit prej seteve kirurgjikale, që kompania koncesionare “SaniService” i shet Ministrisë së Shëndetësisë për çmime që variojnë nga 16 mijë lekë deri në 45 mijë lekë (me TVSH) për çdo ndërhyrje.

Kontrata e Partneritetit Publik Privat për sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale është në vitin e shtatë të operimit, dhe ka shënuar rritje të ndjeshme të kostove të parashikuara.

Anëtarët e komisionit që përgatiti studimin e fizibilitetit për koncesionin e sterilizimit i thanë Prokurorisë se qendra nuk ishte vënë në punë prej tetë vitesh për shkak të mungesës së stafit të trajnuar. Ata e përdorën atë si një argument më shumë se pse shërbimi duhej dhënë me koncesion.

Rrapaj fiton koncesionin 100 milion euro të sterilizimit

Për më shumë se një dekadë, Ilir Rrapaj drejtoi një kompani të vogël ndërtimi me vetëm një të punësuar, të regjistruar në një zonë të qetë rezidenciale në qytetin e Peruxhias të rajonit Umbria në Itali, të cilën e themeloi së bashku me dy të afërm të tij në vitin 2000 me një kapital të vogël prej 1500 eurosh.

Megjithatë, pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e qershorit 2013, emigranti me origjinë nga fshati Rexhepaj i Vlorës u kthye në Shqipëri dhe vendosi kontakte me kreun e shëndetësisë shqiptare, Ilir Beqaj, me të cilin ka pasur takime të shpeshta ku kanë marrë pjesë edhe biznesmenë italianë, të interesuar në tregun e shërbimeve mjekësore.

Dy vjet pas rikthimit në atdhe, me anë të një kompanie të regjistruar në Kosovë, Rrapaj është shpallur fituesi kryesor i një kontrate koncesionare prej 100 milionë dollarësh në një tender të kontestuar.

Nëpërmjet kompanisë së tij Investital LLC, e cila ka një kapital prej 1000 eurosh dhe është e regjistruar në Prishtinë, Rrapaj zotëron 40 % të aksioneve të një bashkimi kompanish italiane, të cilat fituan tenderin për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale.

Ortakët e Rrapajt në konsorcium janë tre kompani nga rajoni i Umbrias, përfshirë “Servizi Italia”, e cila ka një eksperiencë 35-40 vjeçare në fushën e sterilizimit dhe mbetjeve spitalore, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.

Konkurrent në tender kanë qenë gjithashtu një grup tjetër operatorësh ekonomikë Italianë si:”S.S.I”, “Mario Gugliemo” dhe “Brema Ambiente”, të përfaqësuar nga kompania “Action Laundery” me qendër në Durrës.

Konsorciumi humbës pretendon që shpallja fitues e konsorciumit në të cilin Rrapaj ka shumicën e aksioneve është e paligjshme, pasi ai ka dhënë një ofertë që tejkalon fondin limit. Ajo e ka ankimuar vendimin e Komision të Vlerësimit të Ofertave, KVO të Ministrisë së Shëndetësisë në Komisionin e Prokurimit Publik, KPP.

KPP-ja ka kërkuar rivlerësimin e vendimit fillestar të KVO-së, por kjo e fundit ka marrë një vendim të dytë, duke e shpallur përsëri grupin e kompanive ku përfshihet Investital LLC si fitues.

Të dhënat e mbledhura nga BIRN sugjerojnë se konsorciumi i emigrantit shqiptar, Ilir Rrapaj ka pasur kontakte të vazhdueshme me ministrinë e shëndetësisë dhe ministrin Beqaj që nga viti 2013.

Mbetet e paqartë se çfarë roli luan kompania Invetital Ll.C në konsorcium, duke qenë që ka vetëm 1 të punësuar, kapital minimal dhe në dukje zero eksperiencë në fushën e mjekësisë.

I pyetur nëpërmjet telefonit për marrëdhënien e tij me Ilir Rrapajn, ministri Beqaj në fillim mohoi ta njihte. Pasi BIRN i dërgoi ministrit disa fotografi ku ai shfaqej me biznesmenin nga Peruxhia, Beqajt iu rifreskuar memoria, duke pranuar se “kishte njohje me z.Ilir Rrapaj.”

“Pas interesimit tuaj, nga hulumtimi i dokumentacionit lidhur me koncesionin me objekt ‘Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale…’, rezulton se z. Ilir Rrapaj është përfaqësues i një prej kompanive, pjesëtare të një prej konsorciumeve ose Operatorëve Ekonomikë (OE) që kanë paraqitur interes për këtë procedurë prokurimi,” u shpreh Beqaj.

Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë mohon që oferta e konsorciumit ku përfshihet Rrapaj të jetë mbi fondin limit të tenderit duke i cilësuar akuzat si “shpifje.”

Rrapaj nga ana tjetër refuzoi t’i komentonte kontaktet e tij me ministrin Beqaj, duke u mjaftuar me pretendimin se procedura e dhënies së koncesionit kishte qenë sipas tij e suksesshme.

beqaj-rrapaj-561x400 (1)

Tenderi i dyshimtë

 

Procedura e koncesionit 10 vjeçar me vlerë 9.6 miliardë lekë është hapur në 13 shkurt 2015, me një vendim të ministrit Ilir Beqaj.

Objekti i kontratës së partneritetit publik-privat ka për qëllim ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë sterilë, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale dhe ambienteve.

Ky shërbim parashikohet të ofrohet në spitalet universitare dhe rajonale të vendit, apo dhe spitale të tjera, sipas planit të racionalizimit spitalor në Republikën e Shqipërisë.

Vlera e fondit limit të koncesionit është arritur pas një studimi fizibiliteti të ndërmarrë nga një komision i posaçëm, i ngritur nga Ministria e Shëndetësisë.

“Është marrë në studim viti 2013 dhe është vlerësuar numri total i ndërhyrjeve kirurgjikale dhe janë përllogaritur përafërsisht shpenzimet e kryera në blloqet operatore, kryesisht në spitalet rajonale dhe ato universitare, të cilët kanë aktivitet të shkuar kirurgjikal,” tha Ministria e Shëndetësisë, në përgjigje të një kërkese për informacion nga BIRN.

“Ky koncesion do të trajtohet sipas formulës “Pay and Use,” e cila nënkupton se, kompania që do të kryejë shërbimin do të paguhet për njësi, që në këtë rast është ndërhyrja kirurgjikale,” shtoi ajo.

Ministria sqaroi më tej se analiza e situatës ishte kryer pasi kishte mbledhur informacion nëpërmjet një pyetësori dhe kishte arritur në përfundimin që sistemi i menaxhimit, sterilizimit dhe mirëmbajtjes së sallave kirurgjikale apo instrumenteve kishte probleme serioze.

Sipas ministrisë, menaxhimi ishte shumë i kushtueshëm për shkak të numrit të lartë të punonjësve të përfshirë dhe shumësisë së makinerive të përdorura në çdo bllok operator.

Me datën 4 Maj 2015, Ministria e Shëndetësisë ka zhvilluar procedurën e prokurimit për koncesionin dhe në datë 26 Maj, autoriteti kontraktues ka publikuar renditjen e operatorëve ekonomikë.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka shpallur konsorciumin e përbërë nga Investital Llc, Servizi Italia S.p.a, U.Jet S.r.l dhe Tecnosanimed të parët me 73.89 pikë dhe në vendin e dytë konsorciumin e përbërë nga “Action Laundry,” S.S.I”, “Mario Gugliemo” dhe “Brema Ambiente” me 42.83 pikë.

Sipas “Action Laundry” përllogaritet që konsorciumi i udhëhequr nga “Servizi Italia” S.p.a, që u klasifikua i pari, e ofroi shërbimin për 1 vit në vlerën e 1 miliardë lekë, kundrejt ofertës 753 milion lekë të ofruar nga grupi i operatorëve të udhëhequr nga “Action Laundry”, që u rendit e dyta.

Kompania me qendër në Durrës pretendon se diferenca për 1 vit kap vlerën 250 milion lekë, ose për 10 vjet një vlerë prej 2.5 miliardë (17.8 milionë euro).

Më 8 qershor, bashkimi i operatorëve i udhëhequr nga Action Laundry ka paraqitur një ankesë në KPP duke kundërshtuar renditjen e operatoreve në procedurën e koncesionit si dhe kualifikimin e konsorciumit tjetër, të përfaqësuar nga Servizi Italia S.p.a.

Me datë 22 qershor, KPP-ja pranon pjesërisht ankesën e Action Laundry dhe i kërkon Ministrisë së Shëndetësisë të rivlerësojë ofertat, pasi vëren se mbledhja e pikëve në vlerësimin e parë ka gabime matematikore.

Anëtarët e KPP në vendimin prej 46 faqesh argumentonin se:… “Në respekt të parimit të transparencës dhe barazisë si dy ndër parimet kryesore të zhvillimit të procedurës së dhënies së koncesionit, autoriteti kontraktor (Ministria e Shëndetësisë) ka gabuar në mbledhjen aritmetike të pikëve në total… Sa më sipër, Komisioni i Prokurimit Publik gjykon se autoriteti kontraktues në rivlerësimin e procedurës duhet të kryejë edhe mbledhjen e saktë aritmetike të pikëve dhënë operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në këtë procedurë…”

Pas këtij vendimi detyrues, procedura e mbledhjes së pikëve është mbajtur në datën 28 shtator 2015, dhe pikërisht në atë ditë është shpallur fituesi ku sërish ka qenë bashkimi i operatorëve “Servizi Italia”. Por çuditërisht, këtë herë kjo kompani ka marrë më shumë pikë se në vlerësimin e parë.

Nga 73.98 pikë që kishte në vlerësimin e parë, tani ishte vlerësuar me 91.03 pikë. Pra me një diferencë prej 22 pikësh më tepër.

Në anën tjetër, bashkimi i operatorëve që përfaqësohej nga “Action Laundry” ka marrë 45 pikë, nga 42.83 që kishte marrë në rivlerësimin e parë.

Sipas “Action Laundry,” rivlerësimi i dytë i pikëve nga Ministria e Shëndetësisë ka qenë sërish i pasaktë dhe i dyshimtë, pasi pikët akorduar konsorciumit të drejtuar nga Servizi Italia janë rritur ndjeshëm.

“Konkretisht në rivlerësimin e dërguar, oferta e shoqërisë “Servizi Italia” SPA rezulton përsëri e renditur në vendin e parë, por nga 73.98 pikë që kishte në vlerësimin e mëparshëm, tani çuditërisht është vlerësuar me 91.03 pike,” Action Laundry i tha BIRN.

“KVO-ja ka gabuar në vlerësimin me pikë të ofertës tonë, e cila rezulton të jetë oferta fituese e procedurës, sepse në finale shoqëria jonë për të njëjtin shërbim të kërkuar nga Autoriteti Kontraktor ka ofruar vlerën 753.500.000 lekë, ndërkohë që shoqëria ” Servizi Italia” SPA ka ofruar vlerën 1.003.780.000 leke,” shtoi ajo.

Action Laundry gjithashtu nënvizon që oferta e konsorciumit të drejtuar nga Servizi Italia për një periudhë 10-vjeçare tejkalon dhe fondit limit prej 9.6 miliardë lekësh.

E pyetur nga BIRN, Ministria e Shëndetësisë i hodhi poshtë pretendimet e “Action Laundry” si të pavërteta.

“Nuk është e vërtetë që oferta e “Servizi Italia” është mbi fondin limit. Këtë spekulim, e ka bërë konkurrenti tjetër, i cili ka vendosur në mënyrë arbitrare volumet vjetore të çdo grupndarjeje të llojit të ndërhyrjes kirurgjikale,” tha Ministria në një përgjigje me postë elektronike.

“As në realitetin e shërbimit kirurgjikal në Shqipëri, dhe as në dokumentat e tenderit të garës së koncensionit nuk ekziston e dhëna se realizohen çdo vit 15 mijë ndërhyrje kirurgjikale me intesitet të lartë. Në realitet, ndërhyrjet me intesitet të lartë janë disa herë më pak. Rritja artificiale e volumit të grupndërhyrjeve me çmim të lartë për njësi është kryekëput e pasaktë,” shtoi ajo.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë konkurrenti që është ankuar, ka “shpikur qëllimisht një shpërndarje të pavërtetë të ndërhyrjeve kirurgjikale, me qëllim krijimin e një situate të paqenë në vlerën vjetore të furnizimit të set-eve të instrumenteve kirurgjikalë të sterilizuar dhe materieleve mjekësore njëpërdormëshe të ofertës fituese.”

Ajo shtoi që vlera prej 1 miliardë lekë që pretendohet se është kosto e vjetore e shërbimit të ofruar nga Servizi Italia është e pavërtetë, por nuk saktësoi se cila është kosto e këtij shërbimi.

Pas shpalljes së vendimit të KPP-së me datë 10 korrik, kompanitë Investital Llc, Servizi Italia S.p.a, U.Jet S.r.l dhe Tecnosanimed, kanë regjistruar një kompani të re për të operuar me koncesionin, të quajtur SaniService Sh.p.k.

Edhe pse me shumë pak eksperiencë se partnerët e tjerë italianë, kompania e Rrapajt, Investital Llc merr 40 % të aksioneve të kompanisë së re SaniService Sh.p.k, Servizi Italia S.p.a 30 %, Tecnosanimed 15 % dhe U.Jet S.r.l 15 %.

Investimi i Rrapajt nëpërmjet e Investital Llc për të kontrolluar 40 % të kompanisë me koncesionin 100 milionë dollarësh është vetëm 8 mijë euro.

rrapaj-beqaj2-600x400

Lidhjet midis Ilir Rrapajt dhe Ilir Beqajt

I lindur në vitin 1972, Rrapaj ka emigruar në Itali në vitet 90’ dhe është vendosur në rajonin e Umbrias. Më 17 prill 2000, ai regjistron në Peruxhia kompaninë Ali Pashë Tepelena SAS, një kompani në kategorinë e “artizanatit” me vetëm një të punësuar dhe një kapital prej 3 milionë liretash, të cilat më vonë konvertohen në 1549, 38 euro.

Ilir Rrapaj zotëron 50 % të aksioneve të kompanisë dhe 50 për qind kontrollohen nga i afërmi i tij Mitat Rrapaj, i cili në vitin 2007 ia dhuron ato shtetases Italiane Elisa Bulagna.

Lidhja e Rrapajt me fushën e shëndetësisë është e paqartë, edhe pse ai pretendon të këtë mbaruar studimet për mjekësi. Megjithatë, më 22 nëntor të vitit 2013, Rrapaj merr pjesë në nismën “Thuaj Po Shqipërisë”, të mbajtur në pallatin e Brigadave në Tiranë.

Fotot të siguruara nga BIRN tregojnë se në këtë konferencë që mblidhte profesionistët shqiptarë të shëndetësisë në vende të ndryshme të botës, Rrapaj përveç ministrit Beqaj ka takuar dhe kryeministrin Edi Rama.

Mbas konferencës në nëntor të vitit 2013 dhe shpalljes së koncesionit për sterilizimin e seteve dhe sallave kirurgjikale në shkurt të këtij viti, Rrapaj dhe përfaqësues të kompanive të tjera italiane, pjesë të konsorciumit fitues kanë pasur një numër takimesh në Tiranë dhe Itali me ministrin e shëndetësisë Ilir Beqaj.

Në dhjetor të vitit 2013, ministri Beqaj dhe zëvendës ministri i shëndetësisë Klodian Rrjepaj vizitojnë rajonin e Umbrias në Itali me ftesë Qarkut të Umbrias dhe Universitetit Shtetëror të Peruxhias.

Gjatë vizitës, Beqaj nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Peruxhias, po ajo që bie në sy është prezenca e Ilir Rrapajt dhe e ortakëve të tij italianë gjatë takimeve.

Beqaj e viziton disa herë rajonin e Umbrias në vitin 2014. Në dhjetor të këtij viti ai nënshkruan një memorandum bashkëpunimi me Qarkun e Umbrias, ku Rrapaj është gjithashtu prezent në takimet zyrtare, në krah të ministrit Ilir Beqaj.

“Modeli i shëndetësisë në disa rajone të Italisë, i cili është rrjedhojë e një reforme që Italia e ka filluar që në vitin 1978 na shërben si pikë referimi,” tha Beqaj gjatë nënshkrimit të Memorandumit në Tiranë me presidenten e Qarkut të Umbrias, znj. Catiuscia Marini.

Beqaj shtoi Memorandum i Bashkëpunimit është paraprirë edhe nga një Protokoll Bashkëpunimi i nënshkruar më 18 dhjetor 2013 mes :”Universitetit të Bologna-s dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me “Polo Biomedical Umbria” – e cila numëron më shumë se 20 kompani të Umbria-s të sektorit shëndetësor e biomjekësor – në mënyrë që të zhvillojnë bashkëpunimin dhe kooperimin në sektorët e logjistikës spitalore, të inxhinierisë klinike dhe shkencave veterinare.”

Tre kompanitë fituese të koncesionit për pajisjet kirurgjikale, Servizi Italia S.p.a, U.Jet S.r.l dhe Tecnosanimed janë pjesë e “Polo Biomedical Umbria,” por mbetet e paqartë nëse Protokolli i Bashkëpunimit ka luajtur ndonjë rol në procedurën e prokurimit.

Kompania e Rrapajt, Investital Llc është regjistrua në Prishtinë në korrik të vitit 2014. Në faqen e saj zyrtare, ajo përshkruhet si një agjenci investimesh, me interesa në sektorin e industrisë, turizmit dhe shëndetësisë.

Duke komentuar fotot ku shfaqet përkrah Ilir Rrapajt, ministri Beqaj pranoi që biznesmeni nga Peruxhia në të paktën një okazion zyrtar ishte i ftuar i ministrit të shëndetësisë.

“Fotoja e parë duhet të jetë shkrepur në restorantin “Sofra e Ariut” në Tiranë, në një darkë që Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, shtroi për nder të Ambasadorit Italian, z. Massimo Gaiani, dhe një grupi përfaqësuesish të Rajonit të Umbrias, këshillit drejtues akademik të Universitetit Shtetëror të Peruxhias (Università degli Studi di Perugia) dhe dhomës tregtare Confimi Impresa (Konfederata Italiane e Sipërmarrjeve Industriale të Vogla dhe të Mesme),” tha Beqaj.

Ai shtoi në një komunikim të dytë se nga nëntori 2013, deri në dhjetor 2014 ishte takuar katër herë më biznesmenin Ilir Rrapaj, në cilësinë e tij si përfaqësues Confimi Impresa.

I kontaktuar nga BIRN, Ilir Rrapaj u shpreh se fitues të koncesionit për setet kirurgjikale ishin shpallur kompanitë më të mira, duke përmendur “Servizi Italia”.

I pyetur mbi akuzat e Partisë Demokratike se në këtë koncesion një mik i kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Beqaj ishte shpallur fitues, Rrapaj tha se: “nuk më interesojnë këto gjëra dhe nuk merret me politikë,” duke shtuar se ky koncesion ka për të qenë “një sukses.”/BIRN

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura