Në burg për “Sterilizimin”, Klodian Rjepaj la qelinë për të dëshmuar në Kuvend! Ish-zv.ministri i Shëndetësisë, 6 orë para deputetëve! Bëri të paditurin në Komision

Sep 21, 2024 | 7:33
SHPËRNDAJE

Komisioni hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të “check-up” në Shëndetësi vijoi dje seancën dëgjimore me dëshmitarin Klodian Rrjepaj, ishzëvendësministër i Shëndetësisë.

Klodian Rrjepaj-zv-ministri-Ministri-Shendetesise-abuzimi-hetimi-koncensioni-chekapi (5)

Për 6 orë me radhë, ishzv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, ka lanë qelinë e paraburgimit për të dhënë dëshminë e tij para komisionit hetimor parlamentar. Ai u soll me pranga në duar nga ambientet e paraburgimit. Ish.ministri Rrjepaj foli për rolin e tij në dhënien e koncesionit te biznesmeni Ilir Rrapaj, për të cilin tha se ishte i ngarkuar nga rajoni i Umbrias për hartimin e planit të marrëveshjes jo vetëm me Ministrinë e Shëndetësisë, por edhe me ministri të tjera.

Në nisje të mbledhjes, Rrjepaj tha se, “për sa i përket objektit në hetim të këtij komisioni, besoj se duhet të jetë në përputhje me objektin e asaj që hetohet. Të thuash po hetojmë objektin e sterilizimit nuk është e drejtë. Sterilizimi është një shkurtim gjuhësor. I gjithë debati ka ardhur si devijim i përkufizimit të këtij projekti. Do ishte mirë që kur të themi sterilizim, të nënkuptojmë që ka objektin e vetë: ofrimin e veshjeve njëpërdorimshme, dezinfektimin e sallave të operacionit, trajtimin e mbetjeve dhe repartit të sterilizimit. Është mbledhja, tharja paketimi dhe më pas sterilizimi”.

Deputeti i PD-së, Edmond Spaho, tha se, “dakord me atë që projekti është shumë komponentësh, por objekti i hetimit të këtij komisioni nuk është i njëjtë me objektin e hetimit të organit të akuzë. Ne po kryejmë hetim administrativ dhe kjo duhet të jetë e qartë dhe e ndarë”.

Komisioni hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të ‘Check-Up’ në Shëndetësi ka kërkuar të thirren dëshmitarë ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ishzëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, biznesmenin Ilir Rrapaj dhe gjashtë zyrtarë të tjerë, që janë në hetim nga SPAK.

Kryetarja e komisionit, Albana Vokshi tha se, “kemi dërguar shkresë për të gjithë dëshmitarët që janë nën akuza në SPAK dhe në gjykatë dhe përveç Beqajt, për të gjithë dëshmitarët e tjerë na është konfirmuar prania. Komisioni hetimor bazuar në Kushtetutë, por edhe në ligjin për komisionet hetimore parlamentare bëjnë hetimin parlamentar të bazës administrative edhe vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese e ka të theksuar qartë këtë pjesë, pra ndarjen e pushteteve”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të Vokshit, Rrjepaj theksoi se, “pjesa e përgatitur nga ‘Top Consult’ i përkiste vetëm investimit në repartin qendror të sterilizimit i ndodhur në katin e parë të godinës së Spitalit të Urgjencës, investimit qoftë në metër katrorë, qoftë në pajisje të teknologjisë mjekësore. Dorëzimi me çelësa në dorë nuk ka pasur komponentë të këtij projekti. Pjesa e investimit për pajisje teknologjike ishte 0.8 mln euro, ndërsa sa i takon infrastrukturës, ndoshta nuk jam shumë i saktë, por ishte rreth 0.6 mln euro. Por nuk jam shumë i saktë për këtë”, – shtoi Rrjepaj.

Kryetarja e komisionit, Albana Vokshi, e pyeti Rrjepajn nëse ka qenë në dijeni të memos që ish-drejtoresha e QSUT, Ogerta Manastirliu në shkurt 2014, i ka dërguar Ilir Beqajt, ku paraqiste gjendjen aktuale të repartit dhe i ka kërkuar ministrisë ndihmë me trajnimin e stafit. Përgjigja e ish-zëvendësministrit ishte mohuese. Vokshi e pyeti më tej Rrjepajn nëse ka qenë në dijeni të kredisë së dytë me një vlerë mbi 15 milionë euro për vënien në funksionim të repartit të sterilizimit dhe përse sugjeroi PPP-në për projektin.

“Jeni në dijeni të memos që ish-drejtoresha e QSUT, Ogerta Manastirliu në shkurt 2014, si ish-drejtoreshë i është drejtuar Beqajt me një shkresë ku ka paraqitur gjendjen aktuale të repartit, fotot përkatëse, ku në bazë të asaj çka duket, unë besoj që ju jeni në dijeni, janë ambiente moderne të pajisura me aparatura sikurse edhe ju e përcaktoni në memon tuaj, me teknologji avangardë. Në memon tuaj të 25 qershorit 2014 që mban edhe shënimin tuaj, ju keni folur për PPP, pa marrë parasysh kërkesën e ish-drejtoreshës të QSUT, Ogerta Manastirliu. Keni shkuar direkt te PPP, që këtu ju thoni do të sjellë efekte të dukshme, duke ulur ndjeshëm kostot e fshehta. Ekzistonte një qendër me teknologji avangard sipas kësaj shkrese, por mungonte trajnimi i personelit. Ne akoma sot paguajmë kredinë e dytë që u mor për këtë qëllim. Ju po thoni që s’keni dijeni”?!

Rrjepaj u përgjigj se, “unë kam vetëm masterplanin në lidhje me repartin qendror të sterilizimit. Mendoj se duhet lexuar memo si është. Unë them për shkak të mungesës së njohurive, reparti nuk është vënë në punë. Përpos faktit që sterilizimi ishte i vjetruar. Ajo që është zhvilluar më pas, ka sjellë një risi që ka të bëjë me përqendrimin e këtyre shërbimeve dhe përgjegjësitë e reja që kanë dalë. Këtu nuk flasim për kompetenca profesionale vetëm për stafin e sterilizimit, por për përgjegjësinë e një strukture. Nuk është një bashkim mekanik njerëzish që bashkohen në një qendër. Nuk është një trajnim vetëm për autoklavat apo për teknologjinë e re. Duhet thënë se është një koncept krejt i ri dhe për Europën. Përpos faktit që veglat në reparte janë të vjetra, sepse nuk është shërbim klinik, por prodhimi. Pra, qoftë në praktikën profesionale ka sjellë një përqendrim të këtyre strukturave si administrative dhe mjekësore në zinxhir për vlerën”.

Vokshi vuri në dukje se “faza e dytë e kredisë mbi 15 milionë euro është miratuar në nëntor 2014, theksohet se objektivi është vënia në funksionim e repartit të sterilizimit”.

“Ka qenë mungesë informacioni. Nuk keni mbledhur të gjithë informacionin për hartimin e studimit të fizibilitetit?”, iu drejtua Vokshi ishzv.ministrit të Shëndetësisë. Rrjepaj tha se, “nuk kam qenë në dijeni. E kam mbledhur, por nuk mendoj se studimi i fizibilitetit ka lidhje me këtë kredi. Seanca dëgjimore në Komisionin Hetimor me ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rjepaj është shoqëruar edhe me batuta nga ky i fundit.

Nga burgu ai ka shkuar në komision për të dëshmuar për koncesionin e sterilizimit. Në një moment ai tha se, “në burg rri shumë urtë, pasi të tjerët janë më të fortë”.

Rjepaj: “Më fal se kështu e kam zërin, se kam shumë kohë pa folur, shumë kohë pa folur atje në burg, ngaqë janë më të fortë se unë dhe rri urtë”. Ndërkohë ishzv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, ka treguar si është njohur me biznesmenin Ilir Rrapaj. Ai thotë se nuk e mohon njohjen me të dhe thekson nuk njihej në periudhën e shkollës. Sipas tij, me Rrapajn ai është njohur kur ai është kthyer nga Italia.

“Pyetja për njohjen referuar periudhës së shkollës, a e keni njohur më thatë, jo ju thashë. Më pas është pjesa tjetër, ishte iniciativa që erdhi në Shqipëri për nismën ‘Thuaj po Shqipërisë’. Ai më foli, më tha të kam parë në TV, kaq”.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura