Në mungesë të një tribunali

Aug 26, 2011 | 10:41
SHPËRNDAJE

AGRON TUFA

Rreth dy javë më parë, në mediat tona të shkruara, opinioni ynë u ndesh me dy gjeste reagimesh publike të natyrës paditëse-akuzuese. Shkrimi i parë, titulli: “Dy profesorë padi Ministrisë”, me autorë dy pedagogë të Katedrës Juridike në shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, akuzojnë Ministrinë e Arsimit se nuk u jepet titulli “Profesor”. Njëri nga këta pedagogë është Kosta Gazeli, një njeri me karrierë kriminale gjatë komunizmit, njëherë si kryehetues, mandej si zëvendëskryetar i degës së tretë dhe të parë në Drejtorinë e Hetuesisë dhe së mbrami, duke shënuar kulmin e kësaj karriere në organet e diktaturës komuniste, si zëvendësdrejtor e drejtor i Drejtorisë së Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Një trajektore konsekuente që portretizon karrierën flagrante të një krimineli tribunalesh! Megjithatë, edukatori Kosta Gazeli, që përhap dijen, moralin dhe përvojën e tij bash në auditorët e asaj Ministrie, ku dikur ka kryer torturat e krimet më çnjerëzore, edhe pas rënies së komunizmit, jo vetëm që nuk iu dorëzua asnjë tribunali, por paskësh pasur një karrierë të re në hapësirat e lirive demokratike, anëtar i KQZ-së në vitin e “paqtë” 1997 dhe fill më pas, zëvendësambasador në Athinë!
Shkrimi i dytë akuzues me titullin “Profesori kriminel”, është shkruar nga Gëzim Peshkëpia, ish-i dënuar politik, biri i shkrimtarit Manush Peshkëpia, të pushkatuar pa gjyq me urdhër të KQ të PPSH më 26 shkurt 1951. Thelbi i shkrimit të z. Gëzim Peshkëpia është habia, tronditja dhe fyerja e thellë se si ka mundësi që një gjakësor i tillë, torturuesi i tij personal në hetuesi, jo vetëm gjendet në elitën e kësaj Ministrie si edukator i auditorëve me studentë, por padit Ministrinë e Arsimit për mosdhënien e titullit shkencor “Profesor”?! Sigurisht, sentenca latine “O tempora, o mores!” është e pafuqishme për çfarëdo habie në këtë rast, dhe kujtesa e njerëzve të torturuar nga Kosta Gazelët nuk është kujtesë peshku. Kështu duhet kuptuar përvoja personale që sjell z. Gëzim Peshkëpia në këtë pasazh të shkrimit të tij, i cili, para se t’i drejtohet ish-persekutorit të tij, i drejtohet haptazi ndërgjegjes sonë:
”Ju pata pagëzuar dhe me nofkën Kasus Klei (ishte viti 1975). Kur ju quajta njëherë, në sy të Nashos, me këtë nofkë, ju u prishët në fytyrë se nuk ju pëlqeu, kurse kolegu juaj, gjithashtu greqishtfolës, më tha: E more, ky Kasus Klei, ti Xho Frezer, bëj njëherë dhjetëshen që të kemi taksur e po qe se del gjallë këtej, kërko revanshin. Të pata rezistuar shumë raunde, por dy herë më hodhe nokaut. Herën e parë mbulova fytyrën, ndërsa ti me një haperkut më hodhe në dysheme, ku nxora dhe copat e lakrës e preshit, o zoti shkencëtaro-kriminel. Nashoja, ironik kur duhej, shtoi: Me gjuhë do t’i lëpish pllakat, ta dish! Sidoqoftë, ma kini borxh atë drekë të pasur që më shkoi kot. Nokauti i dytë pati për pasojë thyerjen e dhëmbit të qenit e çarjen e buzës. Gjaku më rodhi mbi xhaketë e përshkoi kanavacën e jakës, që ishte e shqyer nga ju. Mendova ta shqep në sallën e gjyqit, për t’iu treguar të gjithëve se si isha trajtuar. Por më kot; gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura. Ju kam parasysh, ndërsa fshinit me gazetë dorën e gjakosur nga goja time, shfrynit: Armik i poshtër! Ju thashë: Ah mor qen, a do ta mbante të më qëlloje sikur të isha i lirë? Të qëllonte që ç’ke me të, ju doli zot Nashoja, se ka atë të shkretën këtu dhe vuri dorën te vendi i revoles. Ku i kishit mësuar ato perversitete? Nashoja qëllonte me majat e këpucës te kërcinjtë e këmbëve, ndërsa ju më shkulnit qimet e gjoksit. Si ia bënit me ata që nuk ishin leshatorë? Me siguri, kreativiteti juaj kishte larmi. Estref Kërciku, që kishte eksperiencë hetuesie, ju kapi duart kur e qëlluat. Nuk e ngatë më. Ishit frikacakë. Në koncertin e Katja Cikarellit në Tiranë ju pashë poshtë në holl. Zbrita shkallët me shpejtësi për t’ju dalë para, por u zhdukët sikur ju përpiu dheu. Mos vallë u kujtuat për revanshin?”
Kështu duhet kuptuar akuza e një ish-të burgosuri që sheh xhelatin e tij jo vetëm të bëjë karrierë, por të ketë luksin e arrogancës, t’ju bëjë shantazh ju, të nderuar ministra. T’ju padisë në emër të ligjeve të shtetit demokratik! Unë nuk pashë nga ana juaj asnjë reagim publik në shtyp ndaj akuzave që ju bën vegla e dhunës së diktaturës, ish-kryesigurimsi, e njëkohësisht dijetari që keni zgjedhur në auditorët tuaj. Asnjë reagim, as zyrtar, as nominal. Në vendin tuaj reagoi z. Gëzim Peshkëpia me “kujtesën e pashlyeshme të plagëve”. Por, as pas shkrimit të z. Peshkëpia, për fat të keq, nuk pashë asnjë reagim. Unë e di se vetëdija e shqiptarëve është, tashmë prej kohësh, e topitur nga mosdënimi i krimeve dhe kriminelëve të komunizmit. As kur ua tregojnë publikisht me gisht kriminelët, as kur i gjeni në mijëra shkresa e procesverbale hetimesh në arkiva, të nënshkruara e të vulosura, të vërtetuara, si i thonë, me prova dokumentare. Për fat të keq e kemi prekur tabanin e ftohtë të indiferencës dhe ndjeshmëria jonë, jo se nuk është e jo se nuk ka qenë në nivelin moral të neverisë ndaj kriminelëve të tillë. Por ka zënë rrënjë një skepsis i thellë, e, me sa shohim dhe nga ky rast i fundit, kuptojmë një të vërtetë të trishtuar: ish-kriminelët, përpos se nuk dënohen, atyre, përkundrazi, iu ofrohet një perspektivë e begatë karriere dhe mbulohen me dafina zyrtare, për t’u shndërruar mandej, pashmangshëm, në simbole të vetëdijes qytetare për brezat që vijnë. Një makth antiutopik! Çfarë ere na pret vallë? Apo më mirë: çfarë presim ne prej gjithë kësaj historie të turpshme? Të mbyllim sytë? Të shtupojmë veshët? Të qepim gojën? Të ulim kokën e t’i justifikojmë duke tredhur në vetvete çdo nerv qytetar? Mos vallë kemi kaluar një proces vetëhipnotizimi dhe, ndryshe nga përvojat e kulturave të tjera demokratike, i kemi sajuar vetes rolin e një rasti sui generis shqiptar?
Të nderuar zotërinj ministra! Edhe ju, si të gjithë shqiptarët me arsye të shëndoshë e edukim bashkëkohor, e dini se në vendin tonë asnjë kriminel i diktaturës, asnjë funksionar i ish-Sigurimit nuk u dënua; edhe ju, si të gjithë ne, e dini se këto vegla të zellshme të dhunës kanë bërë një karrierë marramendëse në administratën dhe institucionet e larta të shtetit e të Drejtësisë; edhe ju e dini se emrat e tyre janë përsëritur në mënyrë të vazhdueshme në qindra libra dhe mijëra faqe memuaristike të ish-të dënuarve politikë; edhe ju e dini se emrat e tyre janë realë, konkretë, që jetojnë e gëzojnë shëndet e harlisje të plotë në përditshmërinë tonë të sotme; ata janë jo rrallë protagonistë publikë, i kemi në katedra fakultetesh, në departamente të administratës, punojmë bashkërisht me ta; ju e dini gjithashtu se ndjenja e ndotjes morale është psikologjikisht më e pashqitshme se ndotja e higjienës fizike; ju gjithashtu e dini se Drejtësia ka humbur peshën, autoritetin dhe thelbin e saj duke hezituar të përballet me krimet e Kosta Gazelëve; sikundërse,  mirë e dini edhe ju, që ne jemi vendi i vetëm në gjithë kampin ish-komunist ku ligji i lustracionit dështoi.
Si mund të katandisej më poshtë se kaq imazhi i Drejtësisë?! Ajo nuk ngjan aspak me imazhin antik në të cilin Perëndesha e Drejtësisë, Themis, bija e Uranit dhe Gjeas, paraqitet me sy të mbyllura me shirit të zi, me një peshore në baraspeshë në njërën dorë dhe me bririn e bollëkut në tjetrën. Jo! Ka ndodhur një modifikim i çuditshëm e grotesk me Perëndeshën tonë të Drejtësisë: ajo prej kohësh mban tashmë të lidhur me shirit të zi vetëm njërin sy…, si piratët!
Por ju, të nderuar ministra të vendit tim, në mungesë të tribunaleve që nuk u bënë, keni në dorë të bëni, së paku një gjest, kundrejt provokimit të hapur të Kosta Gazelit, pastërtisht, për nderin tuaj, të institucioneve që drejtoni dhe të asaj ndërgjegjeje të paqetë, të fyer e të provokuar qytetare: kundërpërgjigjuni padisë së ish-sigurimsit Kosta Gazeli, duke e motivuar atë me një material të bollshëm e të pasosur arkivash të ish-Sigurimit të Shtetit, ose lexojeni, në cilësinë e mjaftueshme të akuzës, shkrimin e z. Gëzim Peshkëpia, për të dhënë, së paku, njëherë një shembull se si mund veprohet në mënyrë të ligjshme në shtetin demokratik me një ish-kriminel të diktaturës. Dëshmoni me një gjest të tillë se shteti ynë nuk ka bërë kurrfarë betimi për të mbrojtur kriminelët e komunizmit dhe askush nuk do t’ju paragjykojë. Për më tepër, do t’ju quhet vetëmbrojtje. Përndryshe, Perëndesha e Drejtësisë, me njërin sy të lidhur si piratët, ka mundësi të na nxjerrë dhe gjuhën…

*Autori është drejtor Ekzekutiv
i Institutit të Studimeve të Krimeve
dhe Pasojave të Komunizmit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura