“Ne nuk jemi kundër”- Vladimir Putin: Ky shtet mund të organizojë bisedimet e paqes me Ukrainën

Dec 26, 2024 | 21:48
SHPËRNDAJE

Presidenti rus Vladimir Putin tha të enjten se Rusia është e hapur ndaj një propozimi sllovak për të organizuar bisedimet e paqes me Ukrainën për t’i dhënë fund një konflikti që ai tha se Rusia ishte e vendosur ta çonte deri në fund.

putin fico

Presidenti Putin, i cili këtë javë priti Kryeministrin sllovak në Kremlin, tha se Robert Fico, një kundërshtar i hapur i mbështetjes së Bashkimit Evropian për Ukrainën, i ka sugjeruar Moskës mundësinë që të organizojë bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës në vendin e tij.

Presidenti rus tha se autoritetet sllovake “…do të ishin të lumtura të ofronin vendin e tyre si një platformë për negociata. Ne nuk jemi kundër, nëse bëhet fjalë për këtë. Pse jo? Meqenëse Sllovakia mban një pozicion kaq neutral”.

Sllovakia shihet si pjesë e grupit në rritje me vendet anëtare të BE-së nga Evropa Qendrore dhe Lindore, të cilët janë skeptikë ndaj mbështetjes për Ukrainën dhe mbështesin negociatat me Rusinë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka kritikuar vazhdimisht Sllovakinë, e cila kufizohet me Ukrainën, për tonin miqësor që Kryeministri i saj Fico përdor ndaj Rusisë që nga kthimi i tij në pushtet pas zgjedhjeve të vitit 2023.

Presidenti Putin ka thënë vazhdimisht se Rusia është e hapur për bisedime për t’i dhënë fund konfliktit me Kievin, por se megjithatë do t’i arrijë qëllimet e saj në Ukrainë.

Ai tha të enjten se Rusia mund të përdorë sërish raketën e re balistike hipersonike me rreze të mesme veprimi të njohur si Oreshnik, por nuk po nxitonte ta bënte këtë.

“Ne nuk e përjashtojmë mundësinë e përdorimit të saj si sot ashtu edhe nesër, nëse është e nevojshme”, thotë Presidenti Putin.

Nëse është e nevojshme, tha Presidenti Putin, Rusia mund të përdorë armë më të fuqishme me rreze të mesme./VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura