Në paraburgim për “Korrupsion” dhe “Pastrim parash”, Gjykata e Lartë refuzon rekursin e ish-kreut të ARRSH, Evis Berberi

Oct 17, 2024 | 15:43
SHPËRNDAJE

Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga ish kreu i ARRSH, Evis Berberi, lidhur me vendimin e Apelit të Posaçëm për masën e sigurisë.

evis berberi

Rekursi u shqyrtua këtë të enjte (17 tetor) në dhomë këshillimi nga treshja e gjyqtarëve Ilir Panda, Medi Bici dhe Albana Boksi.

Beberi ka bërë disa herë kërkesë për zbutje të masës së sigurisë, kërkesë që është rrëzuar nga GJKKO dhe nga Apeli si dhe nga Gjykata e Lartë.

Ish kreu i ARRSH mbahet në qelinë e paraburgimit që prej datës 16 mars të këtij viti. Bashkë me të në pranga u vendos edhe Valter Begaj edhe Ervis Lami.

Ky i fundit u la i lirë pak kohë më parë nga shkalla e parë, por Apeli i Posaçëm e riktheu sërish në qeli, pas ankimimit të vendimit të GJKKO nga Prokuroria e Posaçme.

Nga hetimet e organit të akuzës rezultoi se Berberi gjatë kohës që ka qenë në krye të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë por edhe në krye të ARRSH dha gjashtë tendera për kompaninë e ortakut të tij Valter Begaj dhe më pas fitimet i kalonin kompanisë që ai zotëronte në mënyrë indirekte.

Berberi dhe 2 biznesmenët u arrestuan mbrëmjen e 13 marsit 2024 me urdhë të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. SPAK po heton Berberin për “Korrupsion” dhe “Pastrim parash” ndërsa dy biznesmenët për korrupsion aktiv dhe pastrim parash.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura