Në respekt të drejtësisë për një padrejtësi nuk duhet ta lemë Salianjin të shkojë në burg

Sep 28, 2024 | 8:30
SHPËRNDAJE

NGA NDRIÇIM KULLA NDRIÇIM KULLA

Jo më kot ne i themi regjim, klikës që sot ka ardhur në pushtet prej bandave të krimit dhe drogës. Populli ndoshta me vonesë, por e ka kaluar limitin e durimit dhe nga dita në ditë po bëhet më realist, për regjimin që e ka pushtuar. Regjimi tashti ka bërë kaq “përparime” të mëdha në rrugën e së keqes, saqë po vetësugjestionohet, se qeverisje pa këtë klikë nuk mund të ketë më në Shqipëri. Si u arrit deri në një fund të tillë, ku të gjitha institucionet të binin një nga një në dorën e një njeriu dhe të arrinte deri në atë pikë, saqë ky njeri të lëvizë të gjitha fijet e dënimit, të shpërndarjes së pasurisë, të shkatërrojë vlera dhe të rikthejë antivlera, të largojë njerëz nga puna dhe të emërojë të tjerë sipas doktrinës së tij autoritarisë, të zbukurojë stolira dhe poshtë tyre t’i bëjë varrin Shqipërisë.

Pse e burgosën gjykatat e regjimit Ervin Salianjin? – mund të pyesë çdokush. Sepse denoncoi një trafikant droge, duke kontribuar për rikthimin në normalitet të shtetit të rrëmbyer nga bandat e krimit dhe korrupsionit. Në kuadrin e strategjisë së trysnisë politike të autoritarizmit. Të demoralizojë opozitarizmin në prag të betejës elektorale. Për 8 muaj qytetarët shqiptarë do shkojnë në kutitë e votimit. Opozita që kaloi rubikonin e grabitjes së vulës dhe fitoi mbi një padrejtësi të madhe, në raport me pluralizmin dhe demokracinë, ka mundësi potenciale që regjimin ta përmbysë dhe të fitojë pushtetin. E ka të gjithë të drejtën e mohuar në mënyrë të dhunshme për ta arritur këtë fitore. Përleshja e dominuar nga padrejtësi të mëdha me pushtetin autoritarist është mbresëlënëse, edhe pse larot e penës që komandohen nga paratë e incineratorëve, po përpiqen pa sukses që ta relativizojnë atë. Ervin Salianji ka disa vite që merret me politikë dhe si i ri me talent në frontin opozitar, ka shfaqur një përkushtim dhe gjallëri që ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të demokratëve, por edhe të shtresave të tjera të shoqërisë. Ata po e godasin sot Ervin Salianjin në fillin e të gjithë përndjekjes politike të opozitës shqiptare. Kryetari i opozitës shqiptare gjendet në kushtet e izolimit shtëpiak për afro një vit, si i burgosur politik. Kryetarit të Bashkisë së Himarës iu rrëmbye mandati me një proces ligjor të montuar politikisht dhe në fund rezultoi po si i dënuar politik. Ish-Presidenti dhe aktualisht kryetari i Partisë Lirisë është nën një hetim politik. Kryetari i Partisë Republikane ndodhet sërish nën një proces politik penal. Ky mandat qeverisës është mandati i konsolidimit të diktaturës dhe i represionit politik. Kuraja dhe epërsia e talentuar e Saljanit kishte filluar t’i trembte seriozisht ujqërit e tërbuar të regjimit.

“Toidhjo” – thonë grekët për ngjashmëri të tilla të pafytyra. Toidhjo, si kopja e tij origjinale Enver Hoxha, që e ka ringjallur në të gjitha tiparet, sjelljet politike, hipokrizinë dhe hakmarrjen ndaj kundërshtarëve. Enver Hoxha ia merrte këngës në delir “Për ty atdhe”, kur gjykatat e satrapit komunist dënonin rivalët e tij, sigurisht po me urdhër të tij. Historia shpesh gjen strehë dhe përsëritet, dhe në këtë rast ajo është një përsëritje e gjallë. Enver Hoxha e gjeti forcën për të shkatërruar çdo ide kundërshtare te diktatura që ndërtoi, te dredhitë e tij proverbiale, te Stalini i “dashur”, te Maua dhe në fund, te bunkeri i madh me 28 mijë kilometra e me errësirë të plotë që krijoi. Spektakolar në majat e vetive diktatoriale me paraardhësin e tij, Edi Rama e ka gjetur aleatin e së keqes që i jep mundësi dhe fuqi, siç është vëllai i tij i vogël dhe rrjeti i tij famëkeq. Avazin e muzikës së krimeve dhe padrejtësive të tij me simbolikën “Për ty” e pamë te mesazhi i tij, që shprehte padurimin për dënimin Ervin Salianjit. Ai nga udhëtimet e tij globale dhe në këtë rast nga Nju Jorku, u shpreh i çliruar për “dënimin e shpifësve”.

Ervin Salanji nuk u dënua për shpifje, por për një denoncim kriminal në shërbim të interesit publik. Ervin Salianji u dënua përmes një procesi të manipuluar politik me një vit burg, i cili i përgjegjshëm për sfidat e mëdha të luftës hakmarrëse me këtë, që tashmë është transformuar plotësisht në regjim, iu tha kundërshtarëve se beteja elektorale do bëhet më e fortë nga burgu. Në respekt të drejtësisë për një padrejtësi, ne nuk duhet ta lemë Salianjin të shkojë në burg! Ky është një burgim politik. Duhet t’u vëmë barrikadë me çdo rezistencë burgimeve politike, derisa drejtësia sorosiane po vazhdon me qërimin e hesapeve për llogari të pushtetit! Ne duhet të jemi në momentin më të madh të reflektimit! Nuk mund të rrimë më gjatë dhe të diskutojmë se çf arë bën kjo drejtësi dhe çfarë bën ky regjim. I kanë bërë të gjitha derisa kanë përmbysur demokracinë dhe kanë pushtuar drejtësinë. I dimë mirë ne, se ne po i kalojmë kurrizin tonë. I dimë mirë edhe ndërkombëtarët oportunistë, që u kanë rënë kambanave të regjimit për 12 vjet me radhë. S’kemi çfarë të kërkojmë më prej tyre. Përvojat e historisë na kanë dhënë këshilla me bollëk se çfarë duhet të bëjmë. Gjithashtu, parimet dhe normat ndërkombëtare të demokracisë dhe lirisë.

Nuk duhet ta përqendrojmë më vëmendjen të fiksuar majtas apo djathtas, çfarë thotë Brukseli dhe çfarë thotë Uashingtoni. Disa për agjenda personale aty, më shumë na kanë dëmtuar se na kanë ndihmuar në këtë krizë, madje edhe duke e penguar rotacionin tonë. Kjo është e provuar dhe s’ka më nevojë për dilema. Brukseli dhe Uashingtoni do na dëgjojnë kur do na shohim në rrugë të zemëruar, duke u ndeshur realisht me diktaturën. E vërteta është me ne në çfarëdo ballafaqimi dhe askush nuk mund të ketë fuqinë ta përmbysë këtë të vërtetë të madhe, kur pushteti burgos si pa gjë të keqe drejtuesit opozitës, për t’i nxjerrë me procese të montuara politikisht jashtë zgjedhjeve dhe për të fituar kështu pushtetin. Sot unë lëviz i lirë, por nuk është e pamundur, duke marrë parasysh me çfarë po ndodh, se edhe unë së bashku me çfarë kam bërë për këtë vend të jem i burgosur i ndërgjegjes me një akuzë të prodhuar prej regjimit. Ky është regjim totalitar dhe në regjimet totalitare nuk ka më drejtësi të shtetit ligjor, por drejtësi shtetërore. Për ne, nuk ka më asnjë kuptim të vazhdojmë të themi: “Kjo është diktaturë, kjo është qeveri e bandave, këtu bëhet luftë klasash, këtu vjedhja s’ka ndëshkueshmëri etj., etj.”.

Kemi një dekadë plot që i themi me fakte dhe prova, por diktatura ja ku është, para nesh. Atëherë çfarë duhet të bëjmë? Duhet të ngrihemi dhe të ndeshemi realisht me diktaturën. Edhe pse ajo fryhet për forcën e saj, ajo është një kalbësirë e krimit, drogës dhe korrupsionit, që nuk mund t’i rezistojë veçse një kohë të shkurtër zemërimit tonë. Por në këtë luftë duhet t’i shpiem betejat deri në fund. Retorika në ditët në vijim, derisa t’i rikthejmë nivelin demokracisë së gjunjëzuar, të bëhet mundësisht më e heshtur. Komunikimi ynë me regjimin duhet të jetë shprehja e një force të guximshme e një mosbindjeje civile. Fillimisht kjo kërkon një organizim të palodhshëm me çdo njeri, me çdo organizatë dhe me çdo auditor. Por, edhe njerëzit vetë me iniciativën e tyre duhet të përfshihen në këtë luftë me regjimin dhe të shqetësohen më shumë.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura