Në vend të një homazhi…

Sep 20, 2024 | 8:30
SHPËRNDAJE

NGA XHEVAT MUSTAFA Xhevat Mustafa

Gerti Bogdani, shans i djegur për PD, apo nuk meritonte më shumë…?

Duke u bazuar te ngushëllimet dhe vlerësimet e sinqerta më të larta si njeri, si një nga drejtuesit e PD në Tiranë, si ish-deputet… për ikjen shumë të parakohshme nga kjo jetë të Gerti Bogdanit, duke nisur nga Berisha dhe figura të tjera qendrore të PD, shumëkujt logjikshëm mund t’i lindin disa pyetje: përse ky njeri me gjithë këto vlera e kontribute nuk u mbështet, nuk u investua dhe nuk u propozua masivisht në PD që të ishte një nga figurat më të larta drejtuese të saj? Përse jo, edhe si pasardhësi dhe zëvendësuesi i Berishës, edhe pse nuk kishte pjekurinë e përvojën politike dhe karizmën e tij?

Por, nëse thellohemi në analizë e argumente, Gertin e favorizonte fakti se ngritja e tij në postin më të lartë partiak mund të vlerësohej si e logjikshme dhe e pranueshme, sepse ai do të vinte pas disa viteve si kryetar i Forumit Rinor të PD-së! Pa harruar edhe se karriera e tij në krye të këtij forumi nga disa drejtues në parti e struktura civile pranë saj, është vlerësuar jo pozitive apo jo e suksesshme, sidomos për mos vendosjen e raporteve të ngushta e të drejtpërdrejta me studentët e universiteteve dhe organizime të tyre rinore, dobësi apo hapësirë që e shfrytëzoi më mirë PS-ja dhe Ramaqeveria, sidomos këto vitet e fundit, me plotfuqizimin financiar, edhe nga përfitimet apo “dhurimet” prej oligarkisë, prej kanabizim-kullëzimit, përgjithësisht prej “burimeve” korruptive …!

Apo nuk kishte vend për Gerti Bogdanin në listën e drejtuesve të “moçëm” e të parapëlqyer nga Berisha ose në “gardën e vjetër” të drejtuesve demokratë, edhe pse disa prej tyre e kishin “tradhtuar” e braktisur edhe në ditë të vështira e ishin “vetëvrarë” politikisht, nga “flirtet” me Soros e OJQ të tij në Tiranë, me “vëllezër socialistë”, me oligarkë edramistë… Apo, me tendera, koncesione, PPP, leje ndërtimi…, edhe me erë e gjurmë korrupsioni nga disa ministresha socialiste dhe nga Erion Veliaj…?

Edhe sipas gjykimit tim subjektiv, pa pasur miqësi e bashkëpunim me Gertin e duke pasur informacion të bollshëm për gabimet e tij të rritjes dhe pjekurisë si politikan dhe drejtues si dhe për kritikat gjatë viteve, kur kryesonte Forumin Rinor të PD-së, nëse PD do të ishte në të vërtetë apo plotësisht Parti Demokratike, duhej ta bënte aktin e gjetjes së një vendi të denjë për Gertin në majën e piramidës së saj drejtuese, plotësisht në të mirë të saj, sidomos për këto vitet e fundit tejet të vështira e deri sot! Përse nuk e bëri, duke e ndihmuar që të reflektonte ndjeshëm edhe ndaj gabimeve të tij të rinisë, më së shumti rrjedhoja të mungesës së përvojës së drejtimit të një strukture partiake e veçanërisht, që të largohej nga lidhjet me miq e mikesha plotësisht të përfshirë në rrjetin sorosian apo pranë tij, sidomos financiarisht, sa qe në drejtimin e FRPDsë…?

Justifikimi i vetëm që mund të pranohet si i sinqertë është qenia në dijeni, së pari nga mjekët në kryesinë e PD-së të problemit të rëndë që kishte Gerti në zemër e që nuk i siguronte jetëgjatësinë e dëshiruar prej atij, familjes, shokëve dhe miqve të tij të shumtë si dhe dashamirësve dhe votuesve të tij në disa fushata elektorale. Tani që Gerti na braktisi shumë dhimbshëm e pa mundësi zëvendësimi të plotë për nga vlerat që mbarte, kontributet që dha e perspektivën që kishte, është shumë vonë për ta përmbytur me vlerësime, për më tepër disa edhe me superlativa si dhe me pengmbetje…!? Edhe lotët e sinqertë të atyre që e kishin dhe “e dogjën” këtë shans e mundësi, mund të quhen në mënyrë figurative “lot të akullt” apo sipas shprehjes së moçme, “lot krokodili”!

Po sipas meje, pas familjes, me ikjen tepër të parakohshme nga kjo botë të Gerti Bogdanit, humbësja më e madhe është Partia Demokratike! Pas saj, edhe Shqipëria, mbarë klasa politike shqiptare. Në mënyrë figurative: shpirti i Gertit ka gjetur dyert hapur e vend të bollshëm në parajsë! Ndërsa PD është akoma dhe nuk dihet s deri kur në ditë të vështira, në këtë vend, që Edi Rama, me qeveri; me Xhorxh dhe Alex Soros e Charles McGonigal, me Biden-Blinken-Yuri Kim-Escobar, me SPAK, GJKKO, sidomos për atë, e ka bërë “ferr tokësor” politik e ligjor…!

Nuk mbetet tjetër veçse të arkivohet edhe gabimi me të shumëvlerin e të ndjerin Gerti Gogdani në “thesarin” e gabimeve të PD-së, më së tepërmi “dhurata”, pa apo me dashje, për PS-në e individualisht për Edi Ramën!? Shumica e demokratëve kanë arsye e të drejtë edhe për “urimin”: mos u bëftë ky gabim, jo 100% pa dashje e rastësisht, edhe me shanse e raste të tjerë, si ky, që fatmirësisht janë akoma në gjirin e ekipit drejtues të PD-së e në grupin e saj parlamentar! Një prej tyre është edhe Tomor Alizoti! Por, edhe Tomori nuk është i vetëm dhe pa shokë e shoqe të denjë, që i vlejnë, i duhen dhe mund t’i japin shumë Partisë Demokratike, demokracisë, Shqipërisë…!

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura