NGA AKADEMIK, PROF. ANASTAS ANGJELI
Në fillim të viteve ‘90, si një shoqëri e lodhur nga regjimi diktatorial dhe e drobitur nga varfëria, që kishte krijuar ekonomia e centralizuar, të frikësuar nga rregullat morale të atij sistemi, ku fjala e lirë dënohej me burgim, të mbyllur në mënyrë sterilizuese vetëm brenda një kulture të ideologjizuar nga shkërmoqja që kishte shkaktuar lufta e klasave, nga klaustrofobia sociale, që kishte krijuar izolimi, nga ndalimi i lirisë së besimit, që kishte shkaktuar një traumë të përgjithshme, ne thirrëm: “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa!”. Dhe kjo thirrje, tashmë, me hapjen e negociatave, që e ka sjellë më afër se kurrë Shqipërinë me BE-në, po bëhet realitet. Tani që kthejmë kokën pas dhe jemi në stacionin e hapjes së negociatave për disa nga kapitujt, themi: kohë e gjatë, vështirësi dhe pengesa, arritje dhe në disa raste ngecje në vend apo kthim pas, por busulla kombëtare, politike dhe ndërinstitucionale, e tregonte nordin shqiptar kah Bashkimit Europian.
Prandaj, hapja e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian (BE) përfaqëson një moment historik në historinë e post viteve ‘90 të Shqipërisë, duke shënuar jo vetëm njohjen formale të përparimit të saj, por edhe fillimin e një procesi të gjatë dhe të ndërlikuar të integrimit. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është më shumë se një ambicie politike për Shqipërinë; është një domosdoshmëri për arritjen e stabilitetit politik, mirëqenies ekonomike, modernizimit të administratës, kohezionit social, integrimit në tregun evropian, mbështetjen nga strukturat e përbashkëta politike dhe ato të sigurisë, krijimin e një të përbashkëte evropiane etj.. Rëndësia politike e hapjes së negociatave me BE-në përfaqëson një hap vendimtar në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit evropian. Politikisht, fillimi i bisedimeve të anëtarësimit është një njohje e përpjekjeve të Shqipërisë për të përmbushur kriteret e Kopenhagenit, veçanërisht në lidhje me institucionet e qëndrueshme, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe respektimin e mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Negociatat gjithashtu shërbejnë si një forcë shtytëse për reforma të mëtejshme në kuadrin politik, ekonomik dhe institucional të Shqipërisë.
Hapja e negociatave, veç suksesit, është përgjegjësi kombëtare dhe natyrisht, është shumëdimensionale, duke përfshirë jo thjesht nga numri i kapitujve (33) por gjithësinë e zhvillimit të ardhshëm europian të vendit tonë. E këtu, çdo kapitull që do të negociohet, është shumë i rëndësishëm dhe të gjithë kapitujt i shërbejnë një qëllimi: “Shqipërisë Europiane”.
Në këtë këndvështrimi, edhe negociatat për Kapitullin 25 të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, i cili ka si objekt shkencën dhe kërkimin, që është një nga kapitujt që, megjithëse shpesh nuk zë shumë vend në debatet politike, ka një rëndësi të jashtëzakonshme për të ardhmen e Shqipërisë. Ky kapitull luan një rol kyç në përafrimin e Shqipërisë me politikën kërkimore të Bashkimit Evropian dhe në përmirësimin e kapacitetit të saj për të konkurruar në një ekonomi të bazuar mbi njohuritë dhe inovacionin. Duke u fokusuar në zhvillimin e potencialit kërkimor dhe krijimin e një ekosistemi inovativ. Ky kapitull përmban mundësi të mëdha për Shqipërinë për të përfituar nga bashkëpunimi me institucionet dhe projektet shkencore evropiane.
RËNDËSIA E SHKENCËS DHE KËRKIMIT PËR ZHVILLIMIN E SHQIPËRISË
Në kontekstin e integrimit në BE, shkenca dhe kërkimi nuk janë thjesht aspekte teknike të zhvillimit; ato janë faktorë të domosdoshëm për rritjen ekonomike afatgjatë, zhvillimin shoqëror dhe përballjen me sfidat rajonale apo më gjerë. Për një vend si Shqipëria, i cili është ende në proces zhvillimi ekonomik dhe institucional, investimi në shkencë dhe kërkim përfaqëson një mjet të rëndësishëm për të përmirësuar kapacitetin e vendit në inovacion, konkurrencë dhe produktivitet.
Në një ekonomi gjithnjë e më shumë të bazuar mbi dijen, vendet që investojnë në kërkime shkencore të avancuara dhe inovacion teknologjik janë më të afta për të përballuar sfidat ekonomike dhe për të rritur konkurrencën e tyre në tregjet ndërkombëtare. Integrimi i Shqipërisë në politikat në fushë e shkencës të BE-së do të ndihmojë në modernizimin e sistemit arsimor dhe kërkimor të vendit, duke u mundësuar universiteteve dhe institucioneve kërkimore shqiptare të kontribuojnë në zgjidhjen e problemeve komplekse, nga ndryshimet klimatike te shëndeti publik dhe digjitalizimi.
PËRSHTATJA ME ZONËN EVROPIANE TË KËRKIMIT (ERA)
Kapitulli 25, siç e ceka më lart, ka të bëjë me shkencën dhe kërkimin shkencor, çka kërkon që shtetet anëtare të sigurojnë kapacitetet e nevojshme zbatuese, për të ndjekur objektivat dhe aktivitetet e Bashkimit Europian në fushën e kërkimit shkencor dhe zhvillimit teknologjik. Ky kapitull nuk kërkon transpozimin e rregullave të BE-së në rendin ligjor kombëtar. Kapaciteti zbatues ka të bëjë me ekzistencën e kushteve të nevojshme për pjesëmarrje efektive në Programet Kuadër të BE-së. “Politika e BE-së për kërkimin dhe zhvillimin teknologjik (RTD) ka qenë një fushë e rëndësishme e legjislacionit europian, që nga fillimi, dhe u zgjerua në vitet 1980 me një program kuadër europian për kërkimin. Në vitin 2014, shumica e financimeve të BE-së për kërkimin u vunë nën ombrellën e ‘Horizon 2020’, i cili mbulonte periudhën 2014-2020 dhe synonte të siguronte konkurrencën globale të BE-së. Pasardhësi i tij, ‘Horizon Europe’, programi aktual i kërkimit dhe inovacionit të BEsë, u lançua në vitin 2021 për periudhën 2021- 2027. Qëllimi i politikës së BE-së për KZhTnë është të rrisë konkurrencën globale të industrisë së BE-së. Neni 179 i TFBE-së (Treaty on the Functioning of the European Union) thotë se, “Bashkimi do të ketë objektivin të forcojë bazat e tij shkencore dhe teknologjike, duke arritur një zonë kërkimore europiane në të cilën kërkuesit, njohuritë shkencore dhe teknologjia, të qarkullojnë lirshëm”.
Skema “Rrjeti i Zonës Europiane të Kërkimit” (ERANET), u lançua në vitin 2002 për të mbështetur koordinimin dhe bashkëpunimin ndërmjet programeve kërkimore kombëtare dhe rajonale, si dhe programeve të kryera në shtetet anëtare dhe vendet e asociuara përmes rrjeteve, aktiviteteve të përbashkëta dhe “hapjes reciproke” të programeve. Në të njëjtën frymë, BE-ja ka financuar COST (Bashkëpunimi Europian në Shkencë dhe Teknologji), i krijuar për të ndihmuar krijimin e rrjeteve kërkimore për bashkëpunim midis shkencëtarëve në të gjithë Europën (dhe ndërkombëtarisht). “Horizon Europe” është mjeti kryesor për qasjen globale të Europës 2021 ndaj kërkimit dhe inovacionit, i cili synon të mbështesë një mjedis R&I (Research and Innovation), të bazuar në rregulla dhe vlera dhe të sigurojë reciprocitet dhe një fushë loje të barabartë në të gjitha fushat e bashkëpunimit. Si pjesë e qasjes globale dhe me qëllim të rritjes së sigurisë së kërkimit në një kontekst ndërkombëtar të transformuar, në vitin 2022, Komisioni publikoi një paketë mjetesh për trajtimin e ndërhyrjeve të huaja në R&I. Instituti Europian i Inovacionit dhe Teknologjisë (EIT) u krijua në vitin 2008, me synimin për të stimuluar dhe ofruar “innovation leader” në botë, nëpërmjet krijimit të Komuniteteve të Njohurisë dhe Inovacionit (KIC) shumë të integruara.
KIC-të bashkojnë arsimin e lartë, kërkimin shkencor, biznesin dhe investitorët, organizatat publike dhe jofitimprurëse, në mënyrë që të prodhojnë modele të reja inovacioni, që mund të frymëzojnë të tjerët të ndjekin shembullin.”[1] E bëra këtë skanim përmbledhës për të kuptuar së paku dy-tri çështje kyçe. Rëndësia e shkencës dhe teknologjisë në BE, raporti mes anës konkrete dhe asaj legjislative të nevojshme, strukturat e përhershme që ka BE në fushën e shkencës dhe teknologjisë dhe homologimi ynë institucional me to, si dhe grupi i faktorëve që do duhet të përfshihen për zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë. Detyrat në fushën e shkencës dhe teknologjisë janë shumë të mëdha dhe tejet konkrete. Ne duhet të dalim përfundimisht nga klima e diskutimit në lidhje me shkencën dhe duhet të përfshihemi sipas parimeve të BE-së në punën shkencore-kërkimore dhe në zhvillimet teknologjike.
Për këtë duhet një filozofi e re me disa objektiva: ngritja e kapaciteteve të certifikuara, bazë shkencore dhe teknologjike dhe përfshirja në studime rajonale apo më gjerë, që organizon BE. Nëse për të tjerë vende të zhvilluara, drejtuese në shkencë dhe teknologji, flitet për zhvillim të përshpejtuar, për ne është një revolucion i vërtetë. Prandaj integrimi i Shqipërisë në Zonën Evropiane të Kërkimit (ERA), një hapësirë ku studiuesit, institucionet shkencore dhe teknologjia lëvizin lirshëm për të mbështetur rritjen e konkurrencës, inovacionit dhe shkëmbimin e dijes brenda hapësirës evropiane është shumë i rëndësishëm. Integrimi në ERA do të thotë që Shqipëria do të ketë mundësi të përfitojë nga projektet kërkimore bashkëpunuese, si dhe të rrisë mobilitetin e studiuesve shqiptarë që mund të punojnë dhe bashkëpunojnë me ata evropianë. Pjesëmarrja në ERA do të ndihmojë gjithashtu Shqipërinë të përmirësojë infrastrukturën e saj kërkimore dhe të përfitojë nga teknologjitë e reja që po zhvillohen në vendet anëtare të BE-së. Kjo përfshin qasjen në fonde për projekte të mëdha shkencore si ato të programit “Horizon Europe”, i cili është programi më i madh i kërkimit dhe inovacionit në botë, me një buxhet prej miliarda eurosh që do të investohen në hulumtime shkencore.
FORCIMI I INSTITUCIONEVE KËRKIMORE DHE INOVATIVE TË SHQIPËRISË
Një nga përfitimet më të rëndësishme të përafrimit me BE-në përmes Kapitullit 25 është përmirësimi i institucioneve kërkimore dhe inovative të Shqipërisë. Në këtë drejtim, pjesëmarrja në projekte të përbashkëta evropiane dhe qasja në burime financiare të BE-së do të ndihmojnë Shqipërinë të ndërtojë një komunitet shkencor të fortë dhe të aftë për të nxitur zhvillimin teknologjik dhe inovacionin. Universitetet shqiptare dhe institucionet e kërkimit do të kenë qasje më të lehtë në fondet kërkimore të BE-së, gjë që do t’u mundësojë atyre të modernizojnë laboratorët e tyre, të financojnë studimet e avancuara dhe të mbështesin doktorantët dhe studiuesit e rinj.
Kjo është kritike për të krijuar një mjedis kërkimor të qëndrueshëm që jo vetëm të prodhojë zgjidhje për problemet lokale, por edhe të kontribuojë në zgjidhjen e sfidave rajonale. Përmirësimi i kapacitetit të kërkimit është gjithashtu thelbësor për të nxitur inovacionin teknologjik në sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare, duke përfshirë bujqësinë, energjinë e rinovueshme dhe teknologjinë e informacionit. Për shembull, investimi në kërkimin e energjisë së rinovueshme përputhet me objektivat e BE-së për një ekonomi të gjelbër dhe të qëndrueshme, duke u mundësuar shkencëtarëve shqiptarë të kontribuojnë në zhvillimin e energjisë së pastër. Duke përafruar përparësitë e saj kërkimore me ato të BE-së, Shqipëria mund të marrë pjesë në nisma të përbashkëta kërkimore që kërkojnë zgjidhje për disa nga problemet më urgjente që lidhen me ekonominë e gjelbër, atë blu apo edhe shfrytëzimin efikas të përparimit të inteligjencës artificiale.
LUFTIMI I “RRJEDHJES SË TRURIT” DHE ZHVILLIMI I KAPITALIT NJERËZOR
Një sfidë e vazhdueshme për Shqipërinë ka qenë “rrjedhja e trurit”, një fenomen që përshkruan largimin e profesionistëve të rinj dhe të talentuar jashtë vendit për të kërkuar mundësi më të mira pune. Kapitulli 25 përqendrohet në zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes rritjes së investimeve në arsim dhe kërkim shkencor, duke krijuar më shumë mundësi për studiuesit dhe ekspertët që të zhvillojnë karrierën e tyre brenda vendit. Përmes aksesit në programet kërkimore të BE-së, studiuesit shqiptarë mund të përfitojnë nga mobiliteti ndërkombëtar, që u mundëson atyre të fitojnë përvojë në projekte kërkimore ndërkombëtare dhe më pas të sjellin ato njohuri në Shqipëri. Kjo lëvizshmëri ndërkombëtare nuk do të thotë largim i përhershëm, por përkundrazi, krijon një cikël të kthimit të njohurive dhe teknologjive të reja, duke kontribuar në zhvillimin e vendit. Investimi në arsim dhe kërkim gjithashtu ndihmon në krijimin e një fuqie punëtore të aftë dhe të specializuar, e cila është thelbësore për përmbushjen e kërkesave të tregut. Duke përmirësuar cilësinë e arsimit të lartë dhe duke krijuar mundësi për kërkime të avancuara, Shqipëria mund të trajtojë më mirë sfidën e “rrjedhjes së trurit” dhe të ndërtojë një ekonomi të bazuar mbi njohuritë.
* * *
Hapja e negociatave të anëtarësimit në BE është një moment historik për Shqipërinë, që mbart implikime të thella politike, ekonomike dhe shkencore. Politikisht, ajo forcon institucionet demokratike të Shqipërisë, rrit stabilitetin rajonal dhe e vendos Shqipërinë brenda kuadrit më të gjerë të qeverisjes dhe përgjegjësisë së BE-së. Ekonomikisht, ajo përshpejton reformat strukturore, përmirëson klimën e investimeve dhe i ofron Shqipërisë qasje në tregun e përbashkët të BE-së dhe burimet financiare. Prandaj, Kapitulli 25 jo vetëm që i mundëson Shqipërisë të përfitojë nga programet kërkimore të BE-së, por gjithashtu e pozicionon vendin si një kontribuues aktiv në zgjidhjen e sfidave të brendshme dhe rajonale. Shqipëria do të ketë mundësinë të marrë pjesë në projekte kërkimore që trajtojnë çështje si ndryshimet klimatike, shëndeti publik dhe transformimi digjital, të cilat janë ndër përparësitë kryesore të Bashkimit Evropian.
Duke u fokusuar në shkencën dhe kërkimin, përafrimi me kuadrin e Kapitullit 25, luan një rol vendimtar në integrimin e Shqipërisë në ekonominë e njohurive evropiane duke nxitur inovacionin, zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe duke mundësuar pjesëmarrjen në përpjekjet ndërkombëtare kërkimore. Është kjo arsyeja, që edhe Shqipëria për t’iu afruar dhe përshtatur me mirë, në prag të hapjes së negociatave, për t’iu përshtatur më mirë dhe për t’u bërë pjesë e kërkimit shkencor europian, ka përgatitur projektligjin “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në RSH”, i cili po debatohet gjerë, duke konsideruar dhe sugjerimet e shumë aktorëve dhe institucioneve arsimore e shkencore, e pritet të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë. Një dokument tjetër i rëndësishëm në funksion të këtij qëllimi, është dhe Dokumenti i Strategjisë së Kërkimit Shkencor, Teknologjik dhe të Inovacionit”. Të dyja këto dokumente janë në një linje me filozofinë europiane të Kërkimit Shkencor, me principet e kërkimit shkencor në BE, me filozofinë” e “Open science”, të barazisë gjinore, të etikës në kërkimin shkencor dhe pjesëmarrje në programin europian të kërkimit etj..
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al