Nënshkruhet marrëveshja mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë Federale të Mbretërisë së Belgjikës! Në fokus lufta ndaj pastrimit të parave

Nov 7, 2024 | 15:17
SHPËRNDAJE

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, priti sot në një takim Prokuroren e Përgjithshme të Prokurorisë Federale të Mbretërisë së Belgjikës Ann Hansen, me të cilën u nënshkrua edhe një marrëveshje bashkëpunimi mes dy prokurorive.

cela

Në bazë të saj, prokuroritë e dy vendeve do të bashkëpunojnë në fushën e krimeve të rënda, trafikimit të paligjshëm dhe pastrimit të parave.

Palët do të synojnë bashkëpunimin e drejtpërdrejtë gjyqësor si dhe do të zhvillojnë konsultime dypalëshe në mënyrë periodike me qëllim që të monitorojnë zbatimin e kërkesave për ndihmë të ndërsjellë juridike – të diskutojë/konsultojë për vështirësitë operative që dalin në lidhje me zbatimin e këtyre kërkesave për ndihmë të ndërsjellë juridike në kuptimin e gjerë; të koordinojnë veprimet e marra për të luftuar krimin transnacional që mund të ketë pasoja në të dy vendet brenda objektit të kësaj marrëveshje, të lidhura veçanërisht me krimet e rënda, trafikimin e paligjshëm dhe pastrimin e parave.

Gjatë takimit palët vlerësuan shumë pozitivisht nivelin e deritanishëm të bashkëpunimit dhe ranë dakord për nevojën e intensifikimit të mëtejshëm të tij sidomos në drejtim të luftës ndaj pastrimit të produkteve të veprës penale.

Në këtë kuadër do të ketë një qasje më proaktive në koordinimin e hetimeve në këtë fushë, duke synuar kryerjen e hetimeve paralele dhe shkëmbimin e shpejtë spontan të informacionit.

Gjithashtu me shumë rëndësi u vlerësua edhe hetimi e ndjekja penale nga pala shqiptare e personave që kanë kryer vepra penale në territorin belg si dhe njohja e vendimeve të dënimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura