Nëntori i absurdëve të Tiranës

Nov 22, 2024 | 7:54
SHPËRNDAJE

NGA GELANDA SHKURTAJ gelanda shkurtaj

Vjeshta e lagësht e Tiranës kulmon me nëntorin plot ndriçim fasadash dhe dritëhije zombi shtrirë nga skaji verior deri në skajin jugor të bulevardit. Ky i fundit mbeti dëshmitari unikal i miliarda hapave, miliona vështrimeve, mijëra dashurive e qindra absurdeve. Ka dëgjuar ritmin e rrahjes së çizmeve të ushtrisë, që mbeti në gatishmëri për gjysmë shekulli me gryka topash ndaj desantit, që nuk zbriti kurrë në tokë. Ka ndier mbi shpinë hapat pompozë të pushtetarëve që vranë kundërshtarët për të ngrënë më pas kokat e njëri-tjetrit. Kanë parakaluar ata, që moral nëpërkëmbur dhe me lugë boshe qanin skamjen e të nginjurve, kur për vete bukën e hanin me triska. Kanë ecur krenarë shumë prej atyre që janë flijuar trup e shpirt e për t’ju mohuar çdo pikë djerse e derdhur kantiereve të Shqipërisë.

Kanë kalëruar mbretër e princër, që këtë vend e kanë përdorur për pushtet e para, me idealin e vetëm ta vjelin në çdo qelizë. Kanë ecur të thjeshtë deri në mohim pa kërkuar asgjë në këmbim, ata që donin veç një komb, një fe’, një atdhe. Është lyer me gjak të pafajshmish e përdhosur me plumba të verbër. Edhe pse ka rrjedhur gati një shekull, kjo rrugë jallane mbart akoma delir, arrogancë, vanitet, dhimbje, histori, bukuri dhe shpresë. Kjo është Tirana, pak nga të gjitha (!). Ecin rrugëve të saj akoma pushtetarë megalomanë, gjithollogë, mbuluar me krenari e zbrazur në mendje, bukuroshe të stisura e kriminelë pasanik, të bindur se ky komb ha dhe pi vetëpëlqimin e tyre, të uritur nga plogështia e boshllëkut. Dëshirash turbulluar për pushtet e para, lyer me grada e veshur me ofiqe, e vetmja vlerë që lëshojnë në këtë fillimshekulli të dytë të shtetit shqiptar, është bindja absurde se antivlera zë vend në altarin e moralit.

NYJA GORDIANE E HERONJVE KOMBËTARË

Në fotot e varura litarëve ë mbajnë lidhur dy kahet e bulevardit shekullor, janë heronjtë të cilët nuk arritën kurrë në historinë e kombit të jenë të gjithë të të gjithëve. Paradoksi pagëzuar me emrin “Dëshmorët e Kombit”, akoma nuk ka zgjidhur se cilët janë dëshmorët. Shqipëria edhe heronjtë si çdo gjë i ka të ndarë, po aq edhe nderimin ndaj tyre. Pak pyesin nëse ata që dhanë gjakun për këtë komb e deshën atë më shumë se jetën dhe se, ideali i tyre ishte për shtet e për atdhe. Ajo që ndanë vlerën nga antivlera për këta mjeranë të mendimit historik, është bindja politike.

Në shekullin e njëzetë pas Krishtit, shqiptarët përplasen ende se kush ishin heronjtë e vërtetë. Disa njohin të tillë vetëm ata që ranë në luftë dhe mbështetën ardhjen në pushtet të diktatorit. Martirët e po asaj lufte, por që kundërshtuan luftën e shtetit ndaj kombit, nuk u quajtën kurrë heronj. Ata u damkosën tradhtarë të atdheut komunist. Disa dëshmorë prehen në panteon nën këmbët e nënës Shqipëri, të nderuar sa serioziteti i shallvareve të liderëve që i vizitojnë çdo 28 apo 29 nëntor, sipas midesë politike. E ata që u vranë në Spaç apo Qaf-Bar ende nuk kanë një vend në histori. Ata që s’deshën tiraninë dhe çanë telat me gjemba nuk quhen dëshmorë, ndaj dhe shpirtrat e tyre endur mbi bulevardin tiran kërkojnë hakmarrje. Paradoksi ulërin absurdin kur sheh bijtë që nderojnë klerin e vrarë nga etërit, përçudnuar e përdhosur deri në varr.

Iu dogjën kishat e xhamitë derisa dhe fjala “Zot” u bë herezi, por bijtë kuptuan po aq sa etërit idealin e fesë, ndaj dhe bëjnë sikur i respektojnë. Në këtë fillimshekulli të dytë të shtetit shqiptar, gjaku i rënë i dëshmorëve njohu të vetmen vlerë, absurdin human se të luftosh për lirinë e mendimit e të atdheut, është pa vlerë. Emrin, atributet dhe vendin në piedestalin e dëshmorëve të kombit nuk e vendos ideali i lirisë dhe as gjaku i derdhur, por pëlqimi politik i mendjeve të mbrapshta që, kanë drejtuar këtë vend dhe fatet e atyre që iu shkojnë pas.

KUJTESA E BULEVARDIT PËR ABSURDËT E TIRANËS

Në kontrast me sfondin e verdhë, nëntori i Tiranës mbart disa thagma shpirtërore si ajo e përzierjes së diellit me errësirën, apo ajo e dashurisë me gjakun. Siparin e muajit e hap absurdi i atyre që nderojnë vetëvrasjen e kombit me krimet ndaj shtetarëve elitarë. Ka diçka të zjarrtë brenda vetvetes, ndoshta sepse emri i tij thërret çlirimin, luftën, pavarësinë, jetët e prera të gjithë atyre që sot do të meritonin një tempull, ku të faleshin të gjithë.

Ndryshe nga çdo stinë, nëntori vjeshtak edhe pse lajmëtari i parë i dimrit, mban brenda idilin e ngrohtë të dashurisë për ata që vazhdimësinë e jetës e kanë kapur me çengel tek ekzistenca e librit. Në obeliskun relike të diktaturës ku u shtyp çdo mendim i lirë, në kontrast sot shtrihet e padënuar liria e fjalës dhe e pacenuar liria e mendimit. Në absurdin e pamunguar të nëntorëve tiranas, aty vaniteti i pseudoshkrimeve qëndron delirant ndaj shkencëtarëve kokulur nga dija dhe varfëria. Rrinë sfiduese dhe shpërfillëse ndaj njëra-tjetrës, krenaria dhe mosdija, pasuria dhe varfëria, vogëlsia dhe madhështia. Stendat e vogla të artistëve të mëdhenj nuk fanepsen nga publiku i etur për romanin autobiografik të aksh VIP-i apo jetën e hapur intime të yllit të ekranit.

Parada e politikanëve rrethuar me fotografë dhe bodyguard, ndodhur aty për ofiqin e munguar si intelektualë, kumton paradoksin e vetëm, atë të mbrojtjes së kulturës nga injoranca. Antipodi i veshjes firmato dhe krehjes së kujdesshme aty takon flokët me tis dëbore të ndonjë shkrimtari me xhaketë të zbardhur nga vjetërsia. Bulevardi jaran pret e përcjell krahëhapur miliona këmbë dhe hapa, pa iu treguar enigmën e fshehtë që mban brenda vetes së tij. Në kujtesën e tij ai ka parë dhe njohur shumë, ndër ta mijëra hiç-ër që i ka kthyer në hiç-asgjë. Ky është absurdi i bulevardit të madh dhe vjeshta e nëntorëve të Tiranës.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura