“Netët në hotel “Dajti”, mes muzikës së ndaluar dhe alkoolit”

Dec 2, 2016 | 12:05
SHPËRNDAJE

Qerreti, fshati mes Durrësit e Kavajës, që mbledh jo pak njerëz nga Tirana gjatë verës, në dimër thuajse shkretohet. Ata që ngelen aty ngjajnë si personazhe filmash që të dhënë pas pasioneve, nuk e braktisin natyrën sepse vetëm aty mund ta ruajnë jetën. Në një apartament është një familje me dy fëmijë të vegjël, dy labradorë të mëdhenj dhe një ndihmëse që qëndron gjithnjë aty, sepse fëmijët ende pa mbushur moshën e shkollës nuk binden të kthehen në qytet. Në apartamentin tjetër, disa blloqe më tej është shtëpia e Genc Dashit, kompozitorit e këngëtarit që dikur të gjithë shihnin aktiv. 

Genc Dashi
Genc Dashi

Për të mbërritur tek i vetmi market i pellgut duhet të ecësh gati 3 kilometra në këmbë dhe këtë mund ta bësh vetëm nëse ka drita. Gjatë dimrit energjia elektrike bëhet e paparashikueshme, çka kushtëzon edhe lëvizjen. Vetëm këto pengesa e bëjnë Genc Dashin të zhvendoset përkohësisht në Tiranë, tek e bija, me këmbënguljen e kësaj të fundit. Edhe kur është këtu të jep përshtypjen se trupi i krijon një lëvizje ritmike që bën të ikë, sepse në çdo rast në Tiranë nuk rri më shumë se disa ditë.

Në Qerret, ose në fshat, siç thotë vetë, ka gjithnjë aparatin fotografik dhe penelat e pikturës. Këto janë koha e tij. Në dritë fikson imazhe, të cilat që gjatë shkrepjes i tjetërsohen në kokë, në vaj a akuarel. Një tjetër arsye pse hap bojërat janë portretet e miqve. I bën dhe ua dhuron. Ka edhe nga ato që nuk ka kujt t’ia dhurojë, sepse shumë prej tyre nuk jetojnë më. Nuk është nevoja ta artikulojë dhembjen dhe mungesën që i shkakton mendimi i tyre, sepse i merr formë menjëherë në fytyrë.

Genc Dashi, siç mund të sjellin tani ndër mend të gjithë ata që e kanë njohur, ka jetuar thuajse vetëm me miq. Të tillë e ndërtoi jetën që kur ishte djalë fare i ri, 15-16 vjeç, dhe kështu e vazhdoi, kokëkrisur. Me muzikë nuk merret më. Edhe një plan që pati disa vite më parë për t’i shërbyer në një mënyrë edukimit muzikor të të rinjve, nuk e çoi deri në fund. Nuk e gjeti më veten në këtë kohën e re të Shqipërisë, pas kthimit nga Vjena. Shokët i gjeti përsëri, në po ato kafene që i kishte lënë, por tek asnjëri prej tyre nuk ishte më energjia që i mblidhte në hotel “Dajti”, kur luanin për të huajt.

Dikur ata të gjithë kishin qenë heronjtë e brezit të tyre, atyre që po vinin dhe të tjerëve që kishin lënë pas. Të gjitha zhurmat e natës në kryeqytet i shkaktonin ata. Çdo ditë ishte një ngjarje dhe ndryshimi i sistemeve ndryshoi pikërisht këtë, mënyrën e tyre, jetën, veten e tyre. Atë vetë, që nuk pranonte t’i nënshtrohej asgjëje veç këngës, deri në mëngjes, që merrte fuqi nga gotat e fërnetës.

Genc Dashi do na tregojë sot pikërisht këtë: jetën e fshehtë dhe publike të rebelëve të Tiranës, atyre që edhe kur u tërhiqnin veshin, nuk donin të dinin. Mbrëmjet e gjata të vallëzimit, rrëmujat e zullumet që përmbysnin natën, ndërsa qyteti flinte, orët a pakta të gjumit, jetën e çrregullt familjare e gjithë ç’i ndodhi më vonë, kur e gjithë bota, befas, ishte zgjuar e tillë.

genc dashi 8
Edison Miso në kitarë, Muharrem Dauti (Xheku) në bateri, Dashnor Hoxha (Dashi i Durrësit) saksofon dhe Genc Dashi

Megjithëse ju vetë nuk keni dalë thuajse asnjëherë të tregoni jetën e përpara ’90-s, fama e “bëmave” ka kaluar gojë më gojë dhe nuk se ka ngelur e panjohur jeta e shokëve muzikantë që luanin, në mes të Tiranës, një këngë të huaj që vetëm një ditë më parë ishte bërë publike edhe jashtë. Mirëpo, nëse kjo mund të njihet disi, me siguri që kurioziteti se si keni shpëtuar, nuk ka marrë përgjigje…

Mund të kem shpëtuar nga masat e rënda, por kam pasur edhe unë episodet e mia, megjithatë, sot më duket se abuzohet ca me rrëfimet e së shkuarës. Unë nuk jam shumë në korrent me ato që shkruhen e thuhen, por nga bisedat me miqtë di që tregojnë për pengesa e mungesë mundësish në gjithçka. Të them të drejtën, mua nuk më ka ndaluar njeri të bëja gjërat që bëj. Ka ndikuar patjetër edhe pozicioni i familjes sime, im atë ishte mjek i shkolluar jashtë, që u kthye në Shqipëri në prag të ’45-s vetëm për atdhetarizëm.

Punoi më pas gjatë gjithë kohës me të huajt e ambasadave dhe, si të thuash edhe kur unë e teproja donin të ruanin njëfarë ekuilibri, sepse më kanë thënë shpesh “ç’të të bëjmë ty, s’të fusim dot brenda”. Por, siç po thosha, sot abuzohet me lirinë për të thënë gjërat e së shkuarës. Disa kohë më parë kam dëgjuar për një intervistë të Gjergj Lekës, që fliste për çështje morali të kolegëve dhe nuk m’u duk normale, përveçse nuk ishte as e vërtetë, nuk di si ka qenë ai kur i ka thënë ato gjëra.

Pse, si ka qenë në të vërtetë?

Sido që të ketë qenë, e para ishte frika. Gjithçka që mendoje të bëje ti, e mendoje nën trysninë e frikës… sa larg mund të shkosh me veprimet, kështu? Jo se mungonte guximi për të bërë gjëra të caktuara, por do të mendoje pasojat që binin direkt mbi ty dhe që mund të ishin ekstreme, të paparashikueshme.

I frikësuar ose jo, edhe ju nuk se keni bërë jetë aq të shtruar…

Jo, nuk ka qenë e tillë. Unë nisa të merresha me muzikë në moshë të vogël… së pari me kitarë e më pas me violinë, krijuam grupin, nisëm punën e më pas, me t’u përfshirë në këto rrethe, s’mund të jesh më djali i shtruar e i bindur. Ne vërtetë, nuk dilnim jashtë shtetit, por dëgjonim e dinim gjithçka.

Dëgjonim këngët, lexonim revistat, njihnim e shihnim të huajt përnatë, në hotel “Dajti” ku luanim muzikë. Por, siç thashë edhe më lart, ishin edhe rrethanat familjare që na favorizonin, qoftë për të pasur gjithë mjetet që na lidhnin me botën, qoftë për të ndier një lloj sigurie. E them këtë jo vetëm për vete, funksiononte pak a shumë njësoj për të gjithë rrethin tim, ne ishim të barabartë, me disa përjashtime që ndodhën rrugës.

Dasmen Musaraj, Genc Dashi, Kujtim Spahiu, grupi i parë shqiptar, që kanë luajtur që në vitet ‘70 këngë të “Beatles”, “Rolling Stones”, “The Who”, Ray Charles, etj
Dasmen Musaraj, Genc Dashi, Kujtim Spahiu, grupi i parë shqiptar, që kanë luajtur që në vitet ‘70 këngë të “Beatles”, “Rolling Stones”, “The Who”, Ray Charles, etj

Çfarë ndodhi rrugës, kujt iu ndal vrapi?

Ngjarje të kohës që sot janë bërë publike për të gjithë. Unë kisha mik të ngushtë një nga djemtë e Todi Lubonjës dhe kur ndodhën ngjarjet me të atin, shkova ta takoj në Lezhë, ku banonte. U spiunova për këtë dhe më dërguan 3 vite Kepin e Gjuzës. Kështu që, edhe unë nuk kam dalë krejt i paprekur, sepse edhe pas kthimit shkova të gdhend drurin tek artistikja “Migjeni”.

Përpara kësaj që ka ndodhur afër ’80-s duhet të jenë ngjarje të tëra. Na tregoni pak për atmosferën e atyre viteve në hotel “Dajti”, apo 15-katëshi, aty ku luheshin “The Beatles” e “Rolling Stones”, ndërsa jashtë jetonte një botë krejt tjetër…

Për ne ishte bërë e zakonshme kjo atmosferë, sepse kështu i kishim hyrë muzikës. Pas punës në RTSH, do të shkonim pak orë në shtëpi të pushonim e pastaj te “Dajti”, për të vazhduar natën deri në të gdhirë. Luanim gjithfarë muzike, bëheshin festa njësoj si sot, aq sa mund t’ju them se mbrëmjet e Krishtlindjeve në hotel “Dajti” bëheshin njësoj siç bëhen sot nëpër botë. Asgjë nuk mungonte që nga ushqimi, shërbimi, muzika e atmosfera që e bënin vetë të huajt.

Puna juaj, pra muzika e huaj, ishte e lejuar vetëm kur luhej për ta? Nëse bënit të njëjtën gjë mes jush, me miqtë, dënoheshit?

Po, vetëm për ta. Mbrëmjet tona ishin “të izoluara”. Luanim të njëjtën muzikë, pinim, zbardhnim net të tëra, por këtë nuk mund ta bënim hapur. Ishte e rrallë ajo shoqëri sepse kudo, nëpër të gjitha grupet, dilte diçka, ishte dikush që dërgonte fjalë, te ne nuk ka ndodhur kurrë. Bëhej ç’bëhej, ngelej brenda.

Genc Dashi
Genc Dashi

Çfarë bëhej?

Asgjë e jashtëzakonshme, por gjëra që atëherë nuk lejoheshin… qoftë teprimi me gotat, qoftë muzika apo vallëzimet e shfrenuara. Pastaj nuk ishin të pakta rastet kur e kërkonim të keqen vetë sepse, ashtu siç ishim, kush i pirë kush jo, dilnim në qytet, i jepnim gojës më shumë se ç’duhej. Sa herë na kanë kapur e na kanë paralajmëruar, na kanë kërcënuar. Ne vazhdonim me të njëjtin ritëm.

Mendoni pak se sa mund ta “gdhendësh” dikë që e nis ditën në orën 20:30 të mbrëmjes?! Sepse ajo ishte ora kur zgjoheshim, pasi kishim fjetur në 19:00. Jetonim pothuajse me 1 orë gjumë. Niste më pas puna te “Dajti”, deri në 4 të mëngjesit. Për dy orë duhet të ishim në punë në RTSH, kështu që çfarë të bënim, të ktheheshim në shtëpi?! Ishte e kotë… Të parin lokal që gjenim të hapur, e zinim për të kaluar ato dy orët e lirisë. Ishte atëherë “Trekëndëshi”, “Drini i Vogël”, “Krimea”, “Partizani”… kë të gjenim hapur.

Me një jetë të tillë, nuk është e lehtë të krijosh marrëdhënie të qëndrueshme me gratë… Si ia bënit me to?

Vetëkuptohet që nuk ishim njerëzit më familjarë. Tani që e mendoj, asnjë nga miqtë e mi nuk ka bërë dasmë. E kotë të them të kundërtën, nuk kemi qenë njerëzit e shtruar të familjes, sado që përpiqeshim që mos të linim asgjë pa plotësuar në shtëpi, sepse na i lejonte këtë edhe ana financiare. Bashkë me punën në RTSH dhe atë te “Dajti”, rrogat tona shkonin sa të ministrave.

Vetëm paratë nuk mjaftojnë për të ruajtur një marrëdhënie…

Epo, siç tregoi edhe koha, nuk mjaftuan. Vajza ime e parë lindi në ’80-n, ndërsa martesa e parë mori fund pas ndërrimit të sistemeve. Sidoqoftë, mënyra ime e jetesës nuk se ndryshoi ndonjëherë krejtësisht, por nuk është vetëm kjo arsyeja që nuk funksionojnë marrëdhëniet. Vjen koha dhe mbarojnë, sado që unë ruaj miqësi të mirë edhe pas ndarjes.

Kur folëm për festat e “Dajtit” përmendëm vetëm të huajt, ndërsa vinin edhe kuadrot shqiptarë…

Vinin, por ne nuk lejoheshim të ishim të pranishëm e jo më të luanim muzikë të huaj. Publikisht kujtoj aty që shihja më shpesh Kadarenë e më pak Dritëroin. Sidoqoftë, për ne nuk kishte rëndësi kjo, nuk ishim djemtë që nuk njihnin e nuk shihnin gjëra që të na tërhiqej vëmendja nga personazhe të caktuara. Ne na ngacmohej syri a veshi vetëm për përmasat e festave, kush do ta organizonte më të madhe. Kujtoj një herë që ka bërë një festë te “Dajti”, Ambasada Italiane, ishte hera e parë në jetë që shihja tre fuçi verë, ishin aty që të piheshin, të gjitha dhe kuptohet që nuk ngeli gjë.

genc dashi 5
Genc Dashi dhe Ferdinand Deda në kohën e mbrëmjeve live

Këto historitë “me fuçi”, me siguri që nuk mbarojnë asnjëherë. Nuk folëm për punën në RTSH, po t’u referohemi fjalëve që janë përhapur, rezulton që, edhe atëherë sigurisht më pak se sot kishte këngëtarë që dërgoheshin me porosi nga lart. Si funksiononte, a është e vërtetë që edhe atëherë kishte preferenca të ndikuara nga udhëzimet?

Jo që të ndodhte haptazi. Nuk besoj të ketë ndodhur që dikush të merrte në telefon e të thoshte merre këtë bëje këngëtare, të paktën unë nuk di. Po, është e vërtetë që kompozitorët e autorët e këngëve kishin të preferuarat e tyre, sepse nuk kishin se si të mohonin faktin që Vaçe Zela ua merrte këngën, ua bënte hit, pra ishte edhe pak për interes të tyrin më shumë sesa për të ngritur këtë apo atë këngëtar.

Megjithatë, kishte edhe të paaftë që e gjenin rrugën, apo jo?

Sigurisht! Ne e ndienim këtë, që sa dëgjonim tingullin e parë. Mund të mos dinim ç’kishte ndodhur e si kishte ardhur, por kuptohej menjëherë që një ndërhyrje ishte. Megjithatë, duhet të dini që nuk bëhej vetëm për t’i bërë qejfin njërit apo tjetrit. Ndodhte që, për shembull, duhet të lëvdohej Përmeti atë sezon sepse kishte qëndruar në heshtje dhe o burra të nxjerrim këngëtar apo muzikantë nga Përmeti. Është një shembull për të kuptuar se mendohej në funksion të gjithë sistemit jo individit.

genc dashi 6
Genc Dashi me nxënësin e tij, kitaristin Bledar Sejko (Qepa)

Si i keni punët me muzikën, sot? E kaloni kohën duke pikturuar e fotografuar?…

Me muzikën nuk kam punë (qesh). Nuk funksionon asgjë këtu e nuk ka vlerë të përfshihesh e investohesh. Mund të luaja për qejf, gjë që ndonjëherë e bëj, por edhe për shkak të një problemi me kyçin e dorës së majtë, jam kufizuar. Po, është e vërtetë që kaloj shumë kohë duke fotografuar natyrën. Disa prej tyre mund t’i pikturoj, të tjera jo. Bëj edhe portrete shumë. Nuk është e lehtë për mua tani të mendoj që shumicën e miqve nuk i kam më, nuk jetojnë më, duke i pikturuar sikur vijnë më vizitojnë sërish…

ANI JAUPAJ/ PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura