“Nexhmije Hoxha rrëfeu se shkak për burgosjen e Qani Çollakut, u bë Mehmet Shehu, i cili në një letër dërguar Enverit, i shkruante se…”/ Historia tragjike e vëllai të “Heroit të Popullit”

Mar 18, 2024 | 7:30
SHPËRNDAJE

Qaniu kishte qenë tre vjet me studime për inxhinieri gjeologji në Leningrad, por i braktisi ato, sepse pasioni i tij ishte letërsia. U kthye në Shqipëri dhe studimet katërvjeçare për Gjuhë-Letërsi shqipe, (aq shumë të dëshiruara prej tij) i kreu në dy vjet. Kur unë u emërova mësuese e anglishtes në Korçë, Qaniun e dërguan që të punonte në zonat e thella të Mokrës, në Velçan e Osnat, ku e përgjonin dhe e spiunonin: drejtori i shkollës dhe operativi i Sigurimit të zonës. Gjendjen e mjeruar të fshatit socialist, ai do ta përmblidhte me pak fjalë, duke thënë se; “Tani në fshat ka më shumë Lula të vocërr, se sa në kohën e Migjenit”.  

 nexhmije hoxha mehmet shehu enver hoxha

E kështu erdhi viti 1968, kur me bujë të madhe filloi i ashtuquajturi “revolucionarizim i shkollës”. Tani e tutje gjithçka do të përfshihej në trekëndëshin; “Mësim, punë, kalitje”, çdo gjë do të përshkohej nga “filli i kuq” i ndritur i socializmit, gjithçka do të lyhej me bojë të kuqe, jo vetëm parullat, këndet e pionierit, por edhe mësuesit, këta edukatorë të brezit të ri, të cilët duhej të ishin “komisarë të kuq”, të dritës jetëdhënëse të Partisë.

Tanimë mësuesi do të kthehej në një robot të fjalimeve programatike të Enver Hoxhës e, dallkaukëve të tjerë. E pikërisht në këtë çast kaq kritik, veproi Qani Çollaku, sepse ai i lindur e i rritur në një familje patriotësh, duke qenë një intelektual i vërtetë, e kuptoi menjëherë se kazma e pushka, që do të përdornin si simbole në orët e mësimit, nuk ishin veçse armë që do të vrisnin e shkallmonin nga themelet, gjithë mundin e djersën, që kishin derdhur breza të tërë mësuesish, për arsimin në Shqipëri.

Prandaj në artikullin drejtuar gazetës “Zëri i Popullit” “Luftëtarë artizanë të artit”, ai parashtronte pikëpamjet e veta. Shkrimi nuk u botua kurrë e megjithatë, Qani Çollakun e arrestuan dhe e dënuan me shtatë vjet heqje lirie, duke i ngritur në gjyq akuza të tilla, si;

“Ka shkruar për të ngritur popullin në këmbë”, “i akuzuari është i lidhur me spiunazhin e huaj” (duke aluduar për spiunazhin sovjetik), madje e quajtën “Dubçek i vogël”, e më tej i përmendën emrin e poetes Anna Ahmatova, sikur prej saj t`i kishin ardhur gjitha të këqijat njerëzimit.

Si gjithnjë të pagabueshmit njerëzit e Sigurimit, ishin të përpiktë për të qëlluar në shenjë, duke goditur më të mirët, më të mençurit, më trimat. Dhe njëri ndër ta ishte Qani Çollaku, vëllai i “Heroit të Popullit”, Reshit Çollaku dhe i dëshmorit trim, Muharrem Çollaku.

E kjo nuk bëhej pa qëllim, le ta mësonin të gjithë mësuesit dhe intelektualët e tjerë, se derisa nuk kursehet një anëtar i familjes së Çollakëve, merrej me mend se çfarë mund t`u ndodhë të tjerëve, me një fjalë le të bëhet pësimi mësim, të mbjellim frikë e terror, që të mos guxonte kush të ngrinte krye.

Nexhmije Hoxha në librin e saj “Miqësi e tradhtuar”, na sqaron në mënyrë tinëzare, se një letër e Mehmet Shehut drejtuar Enver Hoxhës, e fundosi Qani Çollakun dhe ja përmbajtja e saj:

“Artikulli” i Qani Çollakut është një sulm i egër, i shfrenuar dhe i hapët kundër vijës së partisë në art e letërsi dhe kundër vetë Partisë. Qani Çollaku është armik i njohur i Partisë. Ka qenë mësues, është demaskuar e hequr nga puna si mësues në Berat, por tash na qenka prapë mësues në Pogradec! Thuhet se ka hedhur votën kundër Frontit, në zgjedhjet e fundit.

Mejtoj që, duke përdorur këtë material, të mbledhim mësuesit e Pogradecit, ta demaskojmë gjer në fund dhe ta çojmë në gjyq (me dyer të mbyllura), sepse me këtë material, i ha gjer në 15 vjet burg, ose ta internojmë në fermën e Lushnjës, ku të punojë me kazmë. Është jashtëzakonisht i poshtër! (Dhe siç thotë populli: “Kush i bën gropën tjetrit, bie edhe vetë brenda”.)

Gjyqi i Qaniut u bë në Korçë, në maj 1968. Në ditët e para të qershorit, takova në Tiranë Lasgushin dhe e pyeta në e kish dëgjuar për dënimin e Qaniut. “Po”- më tha, e vazhdoi me zë të ulët, sepse në atë kohë edhe muret kishin veshë: “Si mund të vij unë në Poradec e, të mos e takoj Qaninë, të mos e shoh me sy, të mos ia dëgjoj zërin…”?! dhe sytë e Lasgushit u përlotën.

Pasi mbaroi dënimin dhe doli nga burgu, Qaniu ishte përsëri ai, Qaniu i parë: i qetë, fjalëpakët, buzagaz; kish ndryshuar vetëm në një gjë: kur dilte rrugëve, nuk përzihej me njeri, por ecte gjithnjë i vetmuar, nuk rrëfente asgjë për vitet e burgut, vetëm e quante me shaka; “Universiteti”. E ai ishte aq zemërmadh e i gjerë nga shpirti, saqë i fali edhe personat që i dolën dëshmitarë në gjyq.

Sapo doli nga burgu, mësoi anglisht dhe italisht. E caktuan të bënte punëra të rëndomta në ndërtim dhe më vonë magazinier i gurëve dhe i tullave. Njëherë kishte bërë një kërkesë, që ta kthenin sërish në profesionin e mësuesit, që e donte shumë. Verës vinte në Pogradec edhe Kudret Kokoshi, xhaxhai i Myzejenit, të fejuarës së përjetshme të Reshitit, Kudreti ishte patriot, poet, kritik letrar, përkthyes, që pat bërë njëzet vjet burg dhe i lënë në hije.

Qaniu ftonte për darkë Kudretin dhe Lasgushin, që të ishin të tre në lartësirat poetike. Kudret Kokoshi shpresonte se do të vinte një ditë më e mirë, prandaj dorëshkrime të tijat, si përkthime e disa të tjera, të shkruara me shkrim të bukur, ia dha Qaniut, me shpresën se ai mund t`ia arrinte kohës, për t`i nxjerrë në dritë.

Nëse Qaniu mundi të përballë shumë dallgë të jetës, pranë tij kurdoherë ndodhej, Tixhja, një bashkëshorte e urtë, e mençur, e përkushtuar. Por në vitin 1982, Tixhja, gruaja e Qaniut, u sëmur rëndë dhe i bënë një operacion në zemër, e kam para syve se sa i shqetësuar dhe i merakosur ishte ai, në ato ditë kur jeta e saj varej në një fije peri.

Por, papritur, në verën e 1983-së vdiq Nafija, gruaja e Lasgushit, asaj nate duke gdhirë 4 gusht në mesnatë, pasi Qaniu e pat qetësuar dhe e shtriu për të fjetur Lasgushin, lart në kullën e tij, ne të dy ndenjëm në çardhakun e asaj shtëpie dhe ishte hera e parë që Qaniu më rrëfeu për burgun komunist të Spaçit, jo më shumë për torturat, punën e rëndë, telat me gjemba, qentë, policët, por folëm për poetët, shkrimtarët, piktorët, artistët, që ndodheshin brenda burgjeve të Shqipërisë.

Valbona, vajza e vetme e Qaniut, u lind ndërsa babai i saj gjendej në burg e, kur ai doli prej burgut, ajo ndiqte klasën e parë të fillores, tok me time bijë, në të njëjtën klasë e bankë. Në pranverën e 1984-ës, Qaniu u sëmur, mjekët nuk po i përcaktonin dot diagnozën, vazhdoi kështu dy a tre muaj nga një spital në tjetrin, së fundi në Tiranë në kirurgji.

Operacioni vërtetoi diagnozën: kancer i pankreasit. Qaniu iku nga jeta më 24 nëntor 1984, në të aguar. E ëma, Minja e vajtoi: “Bir, o bir, më ike si prej plumbit”! Se Çollakët, gjithnjë kanë ikur prej plumbit nga kjo jetë.

Në varrim, Qaniun e shoqëroi një turmë e madhe njerëzish, ndonëse po varrosej një ish i burgosur politik, por familja e Çollakëve, kishte farefis e miqësi shumë të zgjeruar. Më ka mbetur diçka në mendje nga ajo ditë e diel pasdite aq e trishtuar, teksa dielli ish gati në të perënduar: ndërsa po e nxirrnin arkivolin nga makina e zezë, syri më kapi një kurbat (rom, në dialektin korçar), trupmadh, i cili qante me lot të mëdhenj, lotët i pikonin përdhe, duke hapur vrima në pluhurin e varrezave. Ishte fillim dimri.

Hakmarrja komuniste vazhdonte, Valbonës nuk donin kurrsesi t`i jepnin një të drejtë për studimet e larta, këmbënguljes të saj pushtetarët iu përgjigjën; se atë e priste i njëjti fat. Tixhja, nëna e saj, nuk e përballonte më jetën, ajo nuk arriti të gëzojë vitet `90-të, kur Valbona kreu studimet dhe tashme ka krijuar familje të lumtur.

Më 24 nëntor të çdo viti, është përvjetori që nga dita kur mbylli sytë përgjithnjë, poradecari Qani Çollaku. Kohën që jetuam, mund ta quaj si koha e shurdhërisë dhe memecërisë të pashoqe, e megjithatë në këtë kohë jetuan njerëz që ditën t`i kundërvihen fuqishëm me forcën burrërore të intelektit të tyre, dhunës së kuqe, njëri ndër ta ishte edhe Qani Çollaku. Ai është nderuar me titujt e nderuar: “Mësues i Popullit” dhe “Qytetar Nderi i Qarkut të Korçës”./ Nga Meri Lalajb Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura