ESMERALDA AGOLLI
Pandemia e shkaktuar nga virusi Corona-19 krijoi një situatë krejt të pazakontë në auditorët universitarë duke spostuar krejt procesin e mësimdhënies në platformën virtuale. Kudo nëpër universitete, procesi i mësimit online, me gjithë paketën metodologjike e zhvillimit të tij, janë bërë pjesë kryesore e diskutimeve akademike. Mjafton të konsiderosh buletinin serioz të Kronikës së Edukimit të Lartë apo seminaret e panumërta të zhvilluara, për të kuptuar vështirësitë, prioritetet dhe efektivitetin e strategjive të aplikuara në këtë platformë.
Në mjedisin universitar shqiptar ka pasur vëmendje drejt anës teknike dhe sigurisht ndjeshmëri lidhur me pjesëmarrjen e studentëve në këtë realitet të ri. Sidoqoftë, diskutimet lidhur me efektivitetin, metodologjinë dhe problematikat drejt procesit të mësimdhënies janë diskutuar pak ose aspak. Vlen të përmend këtu një artikull të shkruar nga Nevila Xhindi, e cila, qysh në fillim të kësaj praktike, rendiste një numër sfidash dhe problematikash jo vetëm të realizimit të tij brenda kontekstit akademik, por edhe në mënyrën si e kish ndikuar kjo situatë gjendjen tonë emocionale, ekonominë apo edhe projeksionet për të ardhmen. Në të gjithë të papriturat që ofroi një situatë e tillë, pas mbarimit të një semestri, i gjithi i kryer online, ka disa reflektime, të cilat do të vlenin të konsideroheshin në kushtet e një semestri tjetër që duket se do të vazhdojë të jetë online.
Nëpërmjet këtij shkrimi synoj të sjell disa mendime lidhur me eksperiencën e një semestri të mësimdhënies online, mbi të gjitha të vë në dukje disa prej elementeve kryesore metodologjike, dhe si e ka ndryshuar kjo eksperiencë disa perceptime mbi dijen dhe edukimin.
1. Problemet me diskutimet në klasë. Për cilindo, situata e pandemisë, e mbi të gjitha mbyllja apo izolimi i menjëhershëm thuajse i çdo aktiviteti të jetës, e vendosi në kushte të vështira për t’u përballuar. Studentët, përveç shkëputjes nga auditori, në pjesën më të madhe të rasteve u detyruan të kthehen në vendlindje, duke vendosur vazhdimin e studimeve, shoqërizimin, akomodimin apo edhe punën në situatën më të paparashikueshme të mundshme. Sidomos gjatë javëve të para të mësimit online ishte e pamundur të mos vëreje që këto shqetësime të ishin kthyer në pasiguri, stres dhe mërzitje. Me gjithë lehtësinë që krijoi platforma online për zhvillimin e leksioneve, një nga problemet që nuk e ndihmonte mbarëvajtjen e kësaj metodologjie ishte fakti që shumë studentë, pavarësisht pjesëmarrjes në ndjekje të leksioneve në nivele të njëjta me ato në auditorë, për arsye ekonomike të sigurimit të platformave të internetit, nuk e kishin mundësinë të qëndronin në video online për një kohë të gjatë. Kjo mangësi krijoi problem, sidomos në zhvillimin e diskutimeve në seminare. Në këto kushte nevojitej aplikimi i një metodologjie, e cila të paktën mund të angazhonte studentin në ndërveprim me situata alternative që kompensonin mungesën e diskutimit. Zvogëlimi i orarit të diskutimeve, por edhe eksplorimi i dokumentarëve për tema të caktuara dhe kërkesa që studentët pas ndjekjes së tyre të krijonin individualisht një perspektivë kritike, mundi deri diku ta zëvendësonte mangësinë që krijoi distanca nga diskutimet dhe ndërveprimet e seminareve në klasë. Të paktën sipas kësaj metodologjie studenti, duke regjistruar vetveten në një video për 2-3 minuta, kishte mundësinë të zhvillonte dhe artikulonte rreth një argumenti. Sigurisht, kjo metodologji nga ana tjetër rriti peshën e ngarkesës së pedagogut për të korrigjuar çdo detyrë.
2. Problemet me aksesin në biblioteka dhe përmbushja e detyrave të kursit. Të paktën në lëmin e shkencave shoqërore dhe humane detyra e kursit përbën një prej hallkave kryesore të përgatitjes së studentit. Pikërisht këtu, ata kanë mundësinë të shprehin dhe kultivojë gjykim bazuar në analiza dhe të dhëna dhe të artikulojë mendim kritik e të pavarur. Në fakt, në gjashtë vite të eksperiencës sime në auditorë, edhe në kushte normale, kjo hallkë ka rezultuar problematike. Në kushtet e mësimdhënies online u shtua edhe problemi i aksesit të bibliotekave. M’u duk zgjidhje alternative për këtë problematikë dhe që nuk nxirrte nga fokusi objektivin për të kultivuar mendim kritik, kërkesa që të paktën te studentët e programit Bachelor, në vend të një detyre kursi të mirartikuluar, të shprehnin mendim kritik në formë të shkurtuar për çështje të diskutuara në leksion. Një tjetër formë që rezultoi e suksesshme ishte grumbullimi i të dhënave empirike për një eksperiencë/përjetimi të caktuar familjar – në formën e një historie gojore. Sidomos për lëndë si Etnologjia apo Antropologjia Social-Kulturore një detyrë e tillë rezultoi tejet e përshtatshme me fokusin e kurseve, por edhe u përmbush me entuziazëm nga ana e studentëve. Një tjetër lehtësi që e zbuti mungesën e lirisë për të eksploruar literaturë ishin edhe burimet që ofronte interneti. Kjo lehtësi, sidomos për studentët e nivelit Master në Arkeologji (ku detyra e kursit nuk mund të neglizhohet), u kombinua me fokusin e studentit në kërkimet sistematike mbi një vendgjetje arkeologjike, muze ose monumente pranë vendbanimit të tyre.
3. Kontrolli i dijeve, në rastet kur vazhdimisht studentëve u kërkoheshin plotësime detyrash apo prezantimesh individuale, plotësuan pjesën më të madhe të kërkesave të lëndëve. Provimi përfundimtar mbeti një alternative e kryer online, ku prioritet mund t’i jepej sërish zhvillimit të aftësive artikuluese dhe kritike. Për disa lëndë, si ato të niveleve të avancuara të studimit, kjo praktikë rezultoi e suksesshme. Sidomos me vitet e para dhe të dyta në studimet Bachelor, kjo formë ishte sfiduese, kjo edhe sepse në të dyja këto vite aftësitë e artikulimit me shkrim janë ende jo të kultivuara.
4. Praktikat mësimore ishin momenti më i vështirë i kësaj eksperience. Ndërsa për hallkat e mësipërme format alternative ndihmuan për të mos krijuar boshllëqe, me praktikat mësimore mungesa e punës së terrenit rezultoi sfiduese. Studentët të ndjekur me konsulta online patën mundësi të kryenin punë të pavarur, qoftë duke vlerësuar kontekste arkeologjike pranë zonave ku jetonin, apo edhe duke u angazhuar në vlerësimin e ekspozitave muzeale apo krahasimeve mes dy ose me shumë muzeve. Në këtë rast, formate 4G të ekspozitave muzeale, ose siteve arkeologjike qëlluan të ishin burim i mirë të dhënash. Sidoqoftë, këto alternativa nuk i mbushin boshllëqet që krijon sidomos ushtrimi me mbledhjen e të dhënave në terren. Si kudo, edhe në mjedisin tonë universitar, mësimi online paraqiti një numër sfidash. Sidoqoftë, kjo mbetet një eksperiencë, që, pavarësisht mungesës së shoqërizimit dhe ndërveprimit, lejoi të vinte në dukje rëndësinë që ka kultivimi i dijes përmes mendimit kritik dhe punës së pavarur. Edhe nëse i gjithë procesi do të vazhdonte online, do të nevojitej që studentët të kishin mundësinë përmes lehtësirave të paketave të interntit të rrisnin kohën e pjesëmarrjes online. Një aspekt inkurajues i mësimit online ka qenë fokusi që studentët vendosën mbi rrethinat e tyre apo edhe familjarët. Në lëmin e shkencave shoqërore dhe humane mund të ketë një numër projektesh që mund të zhvillohen, duke konsideruar çështje të historisë lokale, problematika sociale, politika vendore, marrëdhënien patriarkale, raportet gjinore, gjendjen e muzeve ose vengjetjeve arkeologjike. Një qasje e tillë mund të shërbejë si një eksperiencë e vërtetë terreni, që e angazhon studentin në të gjitha hallkat e trajtimit të një problematike, nga mbledhja e të dhënave te trajtimi dhe analizat mbi to. Gjithashtu, mund të na ndihmojë të ridimensionojmë konceptimin mbi mësimdhënien, duke rritur ndërthurjen mes dijes së gatshme që ofrohet nga leksionet dhe leximet rreth tyre, me çka mund të na ofrojë vëzhgimi, kërkimi, krahasimi me një kontekst konkret jo më larg sesa rrethinat tona. Mësimi online doemos është forma alternative dhe zëvendësuese në një periudhë krejt të pasigurt e të paparashikueshme. Sigurisht, me shpresën për t’iu kthyer sa më shpejt normalitetit, është me rëndësi të reflektojmë me këtë eksperiencë strategjitë metodologjike që do të konsiderojmë në një semestër të ri që është gati në nisje, por edhe cilat dimensione të mësimdhënies do të duhet të ndryshojmë dhe konsiderojmë si thelbësore.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al