Ndërsa bota përkujtoi 75-vjetorin e mbarimit të Luftës II Botërore, diplomati i njohur shqiptar, Bashkim Zeneli, “Mjeshtër i Madh”, solli librin e tij të radhës “Berlini 1945- Fundi”, ku sjell ndër të tjera edhe fatin tragjik të miliona hebrenjve në kampet naziste. Në Ditën e Kujtesës të Holokaustit, gazeta “Panorama” po publikon pjesë nga libri i ambasador Zenelit, ku përmes dokumenteve arkivore në institucionet gjermane, pasqyrohen urdhrat çnjerëzorë të drejtuesve nazistë për përndjekjen, izolimin në kampe dhe shfarosjen e hebrenjve përmes helmimit në dhomat e gazit apo dhe ekzekutimet masive të tyre.
ÇLIROHEN KAMPET E PËRQENDRIMIT
Më 5 maj 1945, trupat amerikane të gjeneralit Eisenhower do të çlironin një nga kampet më të tmerrshme të përqendrimit, atë të Mathausenit, pranë Linz, në Austri. Aty, ushtria amerikane do të zbulonte një varrezë masive më mbi 15 mijë kufoma.
Një nga të mbijetuarit e Mathausenit, intelektuali Simon Wiesenthal, arkitekt, do t’u jepte autoriteteve amerikane të kampit, një listë me 8 faqe që i kishte rënë rastësisht në dorë, me emrat e 150 kriminelëve SS që kishin kryer krime çnjerëzore kundër të burgosurve, dhe sidomos kundër hebrenjve. “Ai në vitin 1953 do të informonte autoritetet izraelite se Adolf Eichmann, ndër më kriminelët kundër hebrenjve, ndodhej në Argjentinë, nën një emër fals… Mbas 6 vjetësh, Eichmann do të arrestohej nga shërbimi sekret izraelit Mossad dhe në vitin 1962 do të gjykohej në Jerusalem dhe do të dënohej me varje”
Në muzeun historik të Izraelit, ndodhet ditari i tij prej 200 faqesh, që është publikuar vetëm në vitin 2000. Në çdo faqe të këtij ditari do të shohësh krime nga më makabret kundër hebrenjve.
Simon Wiesenthal do të gjurmonte dhe do të njoftonte autoritetet për oficerin SS Josef Liberbaner, austriak, që në gusht të vitit 1944 do të arrestonte vajzën e famshme për ditarin e saj, Anna Frank, me gjithë familjen e saj në Amsterdam. Ai do të arrestohej në 1967. 14-vjeçarja Anna Frank me familjen e saj do të largoheshin në vitin 1933 nga Frankfurti për t’u vendosur në Holandë. Vetëm në Amsterdam, me fillimin e luftës, jetonin mbi 140 mijë hebrenj holandezë dhe afro 10 mijë ishin emigrantë hebrenj gjermanë. Ata, si kudo, kanë përjetuar një përndjekje dhe trajtim kriminal nga regjimi nazist.
Komisari i Rajhut për tokat e pushtuara të Holandës, Arthur Seyß-Inquart, do të deklaronte që në mars të vitin 1941 se “ne do t’i vrasim hebrenjtë, kudo që t’i shohim, dhe kushdo që shoqërohet me ta, do të mbajë pasojat”.
Më 12 qershor 1942, babai i Anna Frank do t’i dhuronte vajzës së tij një ditar me veshje kadifeje për 13 vjetorin e lindjes.
Adolf Eichmann, i njohur si një nga kriminelët më të mëdhenj nazist i kampeve të përqendrimit, në vitin 1942 do të niste aksionin e tij për deportimin e hebrenjve të Holandës drejt Gjermanisë në kampet e përqendrimit të “lindjes”. Në fund të vitit 1942, do të dërgoheshin 40 mijë hebrenj nga Amsterdami drejt kampeve të përqendrimit.
Anna Frank kishte nisur të shkruante në ditar për tmerret e hebrenjve nga nazistët. Vetëm brenda një dite, me urdhër të oficerit të lartë SS, Hanns Rauter, do të vriteshin në Amsterdam 263 hebrenj.
E gjithë familja Frank, babai Otto, nëna Edith dhe motrat Anna dhe Margot, do të dërgoheshin në kampe të ndryshme përqendrimi. Nëna e tyre do të vdiste në janar të vitit 1945 në Auschwitz. Dy vajzat ishin në Bergen – Belsen. Babai do të mbijetonte në Auschwitz derisa kampi të çlirohej nga ushtria sovjetike.
Një mikeshë e familjes, Miep Gies, në gusht të vitit 1944, në shtëpinë e boshatisur të familjes Frank, kishte gjetur dhe ruajtur edhe Ditarin. Kur i ati i Anna Frank do të kthehej në Amsterdam pas luftës, mikesha e tij do t’i jepte ditarin e Annës. Që para se të dërgohej në kamp, ajo do të shkruante në ditarin e saj: “Kur është kaq keq në Holandë, si duhet të jetë në Poloni? Ne e dimë se pjesa dërrmuese e njerëzve vriten. Radio angleze flet për helmimet me gaz, ndoshta kjo është metoda më e shpejtë për të vdekur…”
Duke lexuar dokumente e kujtime të atyre ditarëve, kam ndeshur edhe një fakt interesant. Në kampin e Bergen – Belsen, aty ku ishte edhe Anna Frank me të motrën, ishte edhe motra e artistes së famshme gjermano-amerikane Marlene Dietrich, Elizabeta. Marlene ka lindur në vitin 1901 në Berlin. Në moshën 24-vjeçare do të shkonte në SHBA dhe do të shkëlqente si artiste në disa filma të Hollywood-it. Në vitin 1939 do të merrte shtetësinë amerikane. Goebels do të hakmerrej ndaj të gjithë familjes së saj, mbas thirrjes që i bëri Marlenes për t’u kthyer në Gjermani dhe ajo nuk pranoi… Ajo u bë një luftëtare aktive kundër Hitlerit. Marlene do t’i bashkohej ushtrisë amerikane të gjeneralit Oscar Bradley. Kur mësoi për motrën e saj në kampin e përqendrimit, do t’i kërkonte gjeneralit një avion për të shkuar në Bergen – Belsen për ta kërkuar. Dhe gjenerali do të pranonte. “Kaptenia Dietrich” do të shkonte atje, por motra me të shoqin ishin larguar dy javë më parë, kur kampi ishte çliruar nga britanikët.
Janë të famshme koncertet e saj për trupat amerikane që luftuan për çlirimin e Gjermanisë nga nazizmi. Në vitin 1979, Marlene (Marie Magdalene) Dietrich, në librin e saj me kujtime do të shkruajë: “Unë dua të ndihmoj që kjo luftë të marrë fund sa më shpejt…”
Artistja e madhe do të ndahej nga jeta në Paris, më 6 maj 1992. Ajo kujtohet me respekt dhe dashuri të veçantë nga gjermanët dhe amerikanët, në mënyrë të veçantë.
Që më 16 janar, Ushtria e Kuqe do të çlironte kampin e Lodzit dhe do të lironte, midis të tjerëve, edhe 1200 hebrenj. Më 17 janar, me kapitullimin e garnizonit gjerman të Budapestit, Ushtria e Kuqe do të çlironte mbi 80 mijë hebrenj. Ndërsa më 27 janar, po Ushtria e Kuqe do të çlironte kampin e përqendrimit e të zhdukjeve të pallogaritshme, atë të Auschwitz-it në Poloni, duke çliruar mijëra të burgosur. “Komandanti i kampit më famëkeq në botë, Rudolf Hos, ka deklaruar së në këtë kamp janë vrarë mbi 2.5 milionë hebrenj”.
Kampi i shfarosjes së Auschwitz-it u ndërtua në fillim të vitit 1940 si një kamp represiv kundër opozitarëve polakë, por edhe gjermanë. Më pas, në korrik të vitit 1942, famëkeqi Himmler do të ideonte e do të ndiqte nga afër misionin e tij kriminal, për ta kthyer kampin, në radhë të parë, në qendër të vdekjes së hebrenjve, por edhe të robërve të luftës nga vendet që kishte pushtuar Gjermania. Nëpërmjet Gjermanisë, me anë të hekurudhës transportoheshin për në Auschwitz të burgosurit nga Evropa, e sidomos hebrenjtë.
“Në kampin Belzec, midis Lublinit dhe kufirit ukrainas, për 9 muaj, nga marsi deri në dhjetor 1942, do të vriteshin apo helmoheshin 480 mijë vetë…, në kampin e Sobiborit, do të vriteshin brenda 4 muajve 250 mijë vetë, ndërsa në atë të Treblinkës, në veri të Varshavës, do të vriteshin 2.6 milionë të burgosur”.
Në kampin e shfarosjes në Sobibor, ushtria sovjetike, me çlirimin e tij do të gjente dëshmi të panumërta të krimeve makabre. Ai ishte ndërtuar në vitin 1942, në mars, në një sipërfaqe prej 75 hektarësh. “Aty do të punonin specialistë të kualifikuar për vrasjen, e ashtuquajtura Euthanasienaktion, T.4, që qendrën për eksperimentet e vdekjeve e kishte në Tiergartenstrasse 4 në Berlin. U quajt “sukses i madh” që nga vdekjet me gaz të 250 personave, u arrit të realizohej vdekja e menjëhershme e 1300 personave.(!)
Dhe udhëheqësi kriminel, pervers SS, Himmler, do të vinte vetë për të parë, më 12 shkurt 1943 “eficencën e gazit helmues”. Atij do t’i demonstrohej një vdekje me gaz e 1200 grave!”
“Që më 1 prill 1939, me urdhër të Hitlerit, në të gjitha dyqanet e hebrenjve u vendosën tabela me mbishkrimin: Gjermanët ju nderojnë kur të mos blini te hebrenjtë… Në vitin 1933, vetëm në 6 muaj, do të largoheshin nga Gjermania 80 mijë hebrenj”.
Në tetor të vitit 1941, Himmleri do të urdhëronte trupat SS, që drejtonin kampin, që menjëherë të instalonin në dhoma të posaçme gazin helmues. Kështu do të urdhërohej edhe për kampet e tjera.
Me çlirimin e kampit, do të liroheshin 87 mijë të burgosur. (Dita e çlirimit të kampit do të përkujtohet në Gjermani që nga viti 1996, si dita e “kujtimit të viktimave të nacional-socializmit”. Që nga viti 2005, kjo do të ishte edhe Dita Ndërkombëtare e këtij përkujtimi).
Në mbrëmjen e 9 majit, trupat e ushtrisë së kuqe do të çlironin kampin e Theresienstadt, ku do të liroheshin, midis të burgosurve, edhe 30 mijë hebrenj.
Këto e shumë kampe të çliruara, në ditët e fundit të luftës, ishin pjesë e saj: e luftës për fitore mbi nazifashizmin. Qindra mijëra të mbijetuar, midis të cilëve edhe shumë bij e bija të popullit shqiptar, që luftuan për çlirimin e atdheut nga bisha nazifashiste, do të gëzonin lirinë. Çlirimtarët e mëdhenj, aleatët perëndimorë dhe sovjetikë, kishin ardhur nga larg dhe nga shumë larg, për t’i dhënë paqen miliona e miliona njerëzve, për të çliruar Evropën. Dhe thuajse të gjitha vendet evropiane, pjesë e këtij koalicioni antifashist, do ta lagnin me gjakun e mijëra bijve dhe bijave tokën e tyre, në luftën kundër pushtuesve nazifashistë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al