Nga Babagjyshët tek Talo Çela/ Vetting skanon të gjitha ngjarjet kriminale ku u përdorën “maskat e silikonit”! Institucionet s’kontrollojnë porositë online! Eksperti i IT zbulon si i humbin gjurmët ‘tregtarët’!

Oct 3, 2024 | 23:26
SHPËRNDAJE

EMISIONI VETTING

Por pyetja që lind në këto kushte është: Si mundet që asnjë kontrollor në dogana, nga ku kalojnë maskat nuk paskan konstatuar, bllokuar dhe arrestuar persona që merren me tregtimin e maskave?

talo cela maska banda e babagjysheve

VETTING iu drejtua me një email zyrtarë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave ku e pyeti nëse kanë konstatuar ndonjë rast kalimi të maskave të silikonit në pikat e kontrollit kufitar.

Në përgjigjen fillestare të tyre Drejtoria e Doganave as nuk ja ka idenë se çfarë është kjo maskë e përdorur dhe përfolur madje shkruar në shumë dosje kriminale. Sipas drejtorisë së Doganave:

“Ne lidhje me kërkesën tuaj mbi maskat e silikonit, për shkak se Kodi Doganor kushtëzon përshkrimin e mallit me një kod te caktuar sipas NMK 2024 (mund te konsultoheni sipas ketij linku) https://dogana.gov.al/dokument/5107/nkm-2024, strukturave përkatëse ne DPD do t’ju nevojiten me shume te dhëna (fusha e perdorimit te maskave te silikonit, si dhe nese ka mundesi ndonje foto te tyre) me qellim per te percaktuar sakte kodin tarifor.

Fotot do te na nevojiten per te percaktuar nese mallrat mund te bien nen fushen e dual-use, perdorim i dyfishte, per te cilen procedura eshte e ndryshme nga ajo e percaktuar nga paragrafi i mesiperm.Duke ju falenderuar per mirkuptimin” shkruan Drejtoria e Doganave në përgjigjen e saj zyrtare.

maska silikoni vetting (5)

Pavarësisht syrit qorr dhe veshit shurdh të autoriteteve, maskat me vlera nga 500 deri në 3 mijë euro që kryejnë mbulimin e plotë të tipareve duket se janë përdorur gjërësisht 1 dekadë më parë.

Specialisti i IT, Drini Serjani shprehet se:“Janë shumë të vështira si raste për t’u kapur për vetë arsyen se individët që bëjnë këto shitje përdorin adresa të kamufluara dhe Fake. Unë si specialist IT-je sugjeroj që policia të stimulojë blerje. Në momentin që bëhet shitja dhe blerja të bëhet kapja dhe evidentimi i të gjithë këtij procesi. Gjithashtu është vënë re që këta shitës përdorin aplikacione siç është “Signal” dhe “Telegram”, ku prap me identiteti të rreme vazhdojnë komunikimin me klientin dhe dërgimin e produktit përmes postave private. Po përdorin adresa fake, me numra që blihen në tregun e zi, normalisht idenditeti I këtyre adresave është jo real. Gjithashtu po përdorin postat private të cilat nuk kërkojnë shumë informacion tek personi që do të dërgojë një pako.

Gjithashtu po përdoren edhe rrjete të ndryshme, platforma komunikimi siç është “Telegram” dhe “Signal”, gjithashtu të manipuluara me adresa fallco për të vazhduar komunikimin. Mënyrat që shfrytëzohen janë nga më të ndryshmet që tek pagesat kesh, siç është Bitcoin dhe Ethereum (Etherium). Një tjetër mënyrë që përdorin këta shitës për t’u mos gjurmuar lokacioni I tyre kur bëjnë shitjen e maskave të silikonit është përdorimi I VPN-në e cila manipulon vendndodhjen e këtij personi. Jo vetëm manipulon lokacionin  por inkripton çdo të dhënë që kalon përmes këtij kompjuteri. Çdo kompjuter, çdo pajisje elektronike ka një mak-adresë të caktuar, ku nëpërmjet kësaj adresë dhe nëpërmjet IP-së së të çdo adrese mund të kryhet indentifikimi dhe lokacioni. Duke përdorur VPN-në këta persona shmangin vendndodhjen dhe indentifikimin e tyre nga organet ligjzbatuese .

Maskat e silikonit “këmbëkryq” që prej 10 vitesh në vend

Raste analoge të përdorimit të maskave silikon ka pasur për herë të parë në vitin 2014 Ilir Kupa pasi ishte arratisur nga Burgu i Greqisë dhe ishte në kërkim nga policia shkon dhe organizon në mes të ditës një grabitje “festive”. Banda e “Babagjyshëve”. Grupi i përbërë nga njëmbëdhjetë persona ishin kthyer në tmerrin e bizneseve në vitin 2014 duke shënjestruar vjedhjen e disa argjendarive në Tiranë, qytete të tjera brenda vendit, por edhe jashtë. Banda përbëhej nga; Ilir Kupa, Fatmir Pjetri, Agustin Sula, Julian Qerushi, Dritan Kola, Saimir Kala, Mark Shpendi, Hajdar Sefa, Lin Kala, Edmond Selala dhe Angjelin Ndreka. Në mesin e grabitjeve të bujshme të argjendarive, është ajo e vitit 2014 në qendrën tregtare në Tiranë, TEG, ku u futën dhe morën një sasi të konsiderueshme floriri. Sigurisht…të maskuar! Kryesorja ishte veshja si “Santa Claus”, por nuk mjaftoheshin vetëm me mjekër. Disa prej anëtarëve sipas burimeve zyrtare të policisë mbanin maska silikoni për të mbuluar krejtësisht tiparet e tyre. E megjithatë edhe pse ishte shumë e vështure, grabitësist nuk i shpëtuan dot indetfikimit me metadoa speciale nga ana e policisë e e më pas u realizua arrestimit i tyre. Megjithatë kjo ngjarje “shtruan” rrugën për “kolegët” e tyre.

Më 9 prill 2019, ndodh një nga grabitjet më të mëdha që është shënuar në vend, ajo e Rinasit. Gjithçka ndodhi në më pak se pesë minuta në një koordinim perfekt, plan i mirëmenduar nga 40-vjeçari Admir Murataj, i cili vetë mbeti i vdekur nga shkëmbimi i zjarrit me Policinë. Këta të fundit as që e kishin parë një personazh të tillë për një arsye shumë të thjeshtë, maskën e silikonit që ai mbante në kokë. Përveç fytyrës ajo mbulon edhe qafën dhe një pjesë të gjoksit. Me të u bë i paidentifikueshëm, por kjo nuk e ndihmoi që t’i shmangej plumbit që do t’i merrte jetën.

Për shkak të rëndësisë së grabitjes, e cila vuri në dyshim edhe sigurinë kombëtare, por edhe prej mbulimit në media, kjo metodë u “përqafua” shpejt edhe nga kriminelë të tjerë.

Mëngjesin e 17 shtatori 2020, Bujar Çela, vëllai i personit më të kërkuar në Shqipëri, Talo Çelës, u ekzekutua me 21 plumba nga dy persona të maskuar teksa ishte duke pirë kafe në një lokal në fshatin Bradashesh të Elbasanit. Por hetimet për vrasjen e familjarit të të shumëkërkuarit, nxorën se autor ishte pikërisht Nuredin Dumani. Ekzekutimi i Bujar Çelës ishte një mesazh për Talo Çelën nga Nuredin Dumani, dikur dy miq, por tashmë ishin bërë armiq.

5f62fddd437d6talo cela

Autorësia e Nuredin Dumanit u verifikua nga policia nga shenja e gishtit te paratë që pagoi punonjësin e një pike karburanti.

Në dëshminë e tij, Dumani ka treguar se shkak për vrasjen e Bujarit, ishte bërë vrasja e mikut të tij Klevis Kapllani, për të cilën dyshohej se ishte kryer nga Talo Çela dhe vëllezërit Manahasa.

Dumani rrëfeu se i pari ka qenë Enver Diva, i cili ka qëlluar mbi Bujarin, por ai ishte ende gjallë, në këtë moment afrohet Dumani i cili nxjerr pistoletën të cilën ja kishte bërë vetë dhuratë Talo Çela.

Por ajo nuk i ka shkrepur, prandaj ai ka kërkuar që Besmir Xhixha të zbriste nga makina dhe ta eliminonte.

Më pas ata janë larguar drejt Fushë Krujës, ku kanë djegur makinën, ndërsa armët i kishin hedhur në një kanal në rrugën dytë në Plepa në Durrës.

– Më 21 tetor 2020, Gridi Lena dhe Altin Hoxha kishin vënë maska silikon kur hynë me një armë në dorë për të qëlluar biznesmenin, Andon Dhima. Por ky i fundit shpëtoi pasi u fut shpejt në ashensor, ndërsa autorët u larguan pa rënë në sy, duke dalë nga pallati. Pas lanë maskat që nuk i shpëtuan dot nga prangat dhe dënimi për krimin, që fatmirësisht mbeti në tentativ.

Qershori i vitit 2023, shënoi disa grabitje me maskat e silikonit Të vetëdijshëm se po filmoheshin nga kamera sigurie, autorët nuk shqetësoheshin aspak pasi ishin të kamufluar me maska silikoni. Ndaj me qetësi hapën automjetin “Range Rover” dhe u larguan.

Skemën e kishte mësuar edhe 26-vjeçari Ragip Gila. Më 6 dhjetor, 2023, Policia zbuloi një tjetër depo armësh në Shkodër, e cila ishte e kamufluar në banesën e të riut. Atje, Policia gjeti shtatë jelekë antiplumb, dy palë doreza dhe sigurisht maska e paruke.

Padyshim që nuk mund të mungonin! Por nëse ishin përdorur ndonjëherë në aksion, këtë pyetje nuk e ka zbardhur ende as Policia.

Në 1 Tetor të vitin 2019, qyteti i Lushnjës u trondit nga një ngjarje e rëndë kriminale, 35-vjeçari Besmir Hida, anëtar i bandës së Aldo Bares u ekzekutua me breshëri automatiku teksa pinte kafen e mëngjesit në katin e dytë të një lokali në lagjen “Gafur Muça”. Autorët e krimit kishin vendosur maska silikoni e cila fshehu identitetin e tyre për të realizuar ngjarjen kriminale ndaj biznesmenit. Besmir Hida nuk ishte i panjohur për policinë. Pak kohë para se ta vrisnin, 35-vjeçari i kishte shpëtuar një atentati me tritol. Hida kishte parkuar makinën e tij, përballë banesës, ndërkohë që shpërthimi i fuqishëm kishte ndodhur kur pjesëtarët e familjes së tij kanë qenë në gjumë. Në atë kohë ai deklaroi në polici se nuk kishte probleme me asnjë.

Ndërkohë, Hida njihet po ashtu si daja i Zamir Latifit, i cili u ekzekutua nga persona të maskuar me maska silikoni rreth dy vite më parë në qendër të Lushnjës. Viktimë në këtë ngjarje mbeti dhe Jurgen Hoxha.

Zamit Latifi dhe Jurgen Hoxha u ekzekutuan në qendër të Lushnjes në 11 tetor të vitit të vitit 2017, ndërsa autorët e dyshuar ishin Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili.

Laert Haxhiu, 31 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë, u arrestua në Janinë të Greqisë në maj të vitit 2013 gjatë një operacioni të përbashkët mes policisë greke dhe shqiptare. 32-vjeçari Laert Haxhiu u ekstradua në Shqipëri në 3 korrik 2024 ku po vuan dënimin me burgim të përjetshëm.

Orgest Bilbili, 33 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë, aktualisht ndodhet në burgun e Drenovës në Korçë. Rezulton i dënuar me burgim të përjetshëm, në lidhje me një ngjarje të gjykuar më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Atij i është komunikuar masa e sigurisë, për vrasjen e Besmir Hidës.

Ardian Ahmetaj, 49 vjeç, aktualisht ndodhet në burg, në Greqi, pasi është arrestuar në vitin 2020, gjatë një operacioni të përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe Policisë greke. Ky shtetas është dënuar në vitin 2021, me njëmbëdhjetë vjet burgim, nga Gjykata e Athinës, për armëmbajtje pa leje në rrethana rënduese, sipas Kodit Penal të shtetit grek.

– Sesi mund të përdorej më së miri, maska e pamë më së miri në aksion. Panajot Xhaja, i riu shqiptar me origjinë nga Dimali, i arrestuar në Mal të Zi ishte maskuar si një murgeshë për të finalizuar vrasjen e dy mafiozëve grekë Yannis Skaftouros në maj 2022 në Dervenochoria dhe Vassilis Roubetis në qershor 2023 në Korydallos. Edhe pse arriti të fshihej për disa muaj, maska nuk e mbrojti dot përgjithmonë të fshehur identitetin e tij. Panajot Xhaja ishte frymëzuar nga personazhet e filmit “TOVVN”, ku personazhet gjatë grabitjes së bankës ishin të veshur si murgesha. Kjo gjë vërtetohet nga postimet në rrjetet sociale të 24-vjecarit ku bie në sy një “murgeshë” vrasëse.

7 mars 2024, rikthimin e “MASKËS” e dëshmuam në Vlorë, në depon e armëve që Policia gjeti në Babicë. Atje kishte një arsenal armësh zjarri, nga stilolapsat pistoletë deri tek snajperat. Mjaft të zgjidhje. Por ajo që nuk mungonte gjithashtu ishte dhe një maskë. Fytyra e një të moshuari ishte ‘gdhendur’ në silikon, e shumë shpejt mund të qarkullonte lirisht nëpër Vlorë ose gjetkë. Kush do të dyshonte?

Në 30 gusht të këtij viti në Shkodër një person i maskuar ekzekutoi me armë zjarri 36- vjeçarin Elis Rroshkodoli teksa ky i fundit po konsumonte kafen në një lokal. Grupi hetimor dyshon se ekzekutorët janë vrasës me pagesë dhe se pas vrasjes fshihen porositës të tjerë. Rroshkodoli, një person me precedent të mëparshëm kriminal, u vra më 30 gusht me breshëri plumbash teksa ishte ulur në një lokal. në momentin kur është qëlluar 36-vjeçari, në lokal kanë qenë edhe tre persona të tjerë, pronari i lokalit dhe dy klientë.

Një nga personat e marrë në pyetje ka deklaruar se 36-vjeçari ka qenë vetëm në momentin kur është qëlluar. Nga dëshmia e personave të marrë në pyetje është zbardhur edhe dinamika e ngjarjes. Sipas dëshmive, autori i maskuar ka mbërritur me një “Benz” ngjyrë gri, ka ndaluar para lokalit dhe ka qëlluar me breshëri plumbash ndaj të riut. Viktima ka marrë katërmbëdhjetë plumba në trup nga tetëmbëdhjetë gëzhoja që janë gjetur në vendin e ngjarjes.

Lokali ku ndodhi vrasja mësohet se nuk ka kamera sigurie, gjë e cila e vështirëson më shumë punën për policinë. Efektivët kanë mbledhur kamera të tjera për të gjetur lëvizjet e automjetit, por makina me të cilën u krye vrasja humb gjurmët në akse të pamonitoruara nga kamerat. Viktima 36-vjeç nuk është emër i panjohur për blutë në Shkodër, ndërsa njihej si person tejet problematik brenda dhe jashtë vendit.

Në vitin 2010 dyshohet se Elis Rroshkodoli dyshohet se ka plagosur me armë zjarri shtetasin Hysni Bregu. Më pas në vitin 2014 dyshohet se është përfshirë në një vjedhje në Belgjikë, i arrestuar bashkë me një grup shqiptarësh. Po në Belgjikë dyshohet se ka plagosur një shtetas. Në vitin 2023, është autor i dyshuar për plagosjen e një rumuni në Rumani nga ku është arratisur drejt Stambollit.

Ndërkohë policia përveç këtyre ngjarjeve ka mësuar edhe disa konflikte të tjera ku dyshohet se është përfshirë viktima. Shtatë ditë pas vrasjes së Elis Rroshkodoli, në Mullet të Tiranës u zbulua një garazh, i cili shërbente si baza e grupit të vrasësve me pagesë për të fshehur makinat. Në kuadër të operacionit të koduar ‘Fjalëkryqi”, policia njoftoi sot (6 shtator 2024) se ka arrestuar Xhulio Malon, 26 vjeç pasi dyshohet se siguroi kushtet dhe mjetet për të kryer vrasjen, ndërsa janë shpallur në kërkim tre bashkëpunëtorët e tij të identifikuar, të dyshuar si vrasës me pagesë. Ndërkohë nuk dihet ende se kush është porositës.

Jo vetëm silikon, maskat kirurgjikale u përdorën nga grupet kriminale por jo kundër Covid-19

Përgjatë viteve 2021- 2022 ky trendi i ndryshimit të fytyrës sikur u zbeh pasi më në “modë” ishin maskat e koronavirusit. Mënyra më e zakontë është të bëhesh njësh me turmën, ndaj në kohën e pandemisë, shumë ngjarje kriminale u finalizuan nga persona që mbanin në fytyrë maskë koronavirusi. Në fund të fundit, kur 99% e qytetarëve mbajnë të tilla, ishte mënyra më e lehtë për kamuflazh.

– Ardian Nikulaj u ekzekutua mesditën 19 prill 2023 sapo kishte hyrë dhe ulur në një tavolinë në lokalin në pronësi të tij në vijën e parë të plazhit të Shëngjinit. Nikulaj, biznesmen në Lezhë, ish-kandidat për deputet në zgjedhjet e 2021-shit dhe kandidat për Këshill Bashkiak në zgjedhjet e 14 majit të këtij viti u vra me pistoletë rreth orës 13:30 në 19 prill.

download-2-18

Autori mban një maskë, skafandër, jelek fosforeshent dhe i kamufluar me veshje të trasha, pasi kryen vrasjen me pistoletë në një distancë shumë të afërt dhe i vetëm u largua qetësisht me motor nga vendngjarja. Viktima, po konsumonte kafen e tij të fundit në lokalin e tij në Shëngjin, kur autori e ka qëlluar shtatë herë me pistoletë në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit.

Nikulaj ishte kandidat për deputet nën siglën e Partisë Socialdemokrate në zgjedhjet e vitit 2021. Ndërsa në zgjedhjet që pritet të mbahen më 14 maj ai ishte kandidat për Këshillin Bashkiak. Viktima rezulton i arrestuar më herët për armëmbajtje pa leje dhe kontrabandë e falsifikim.

Krimet e shtuara dhe lidhja me maskat

Vrasje, pengmarrës, grabitje dhe shumë dhunë janë termat që fliten dhe trondisin opinionin publik më tepër. Gjatë vitit 2022, janë kryer 318 krime kundër jetës të kryera me dashje, ku numrin më të lartë prej 222 rastesh janë ato të kërcënimit. Ndërkohë ka pasur rritje të denoncimeve dhe hetimeve për gjobëvënie dhe heqje të paligjshme të lirisë në 116 raste, dhe në 41 raste të pengmarrës.

Koeficienti i kriminalitetit për procedimet penale të regjistruara, për 100,000 banorë në vitin 2023 është 872, përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë e ka qarku Dibër, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Vlorë.” – tha kryeprokurori Olsian Çela.

Në këto kushte lind një pyetje: Si ka mundësi që një vend kaq i vogël të ketë kriminalitet më të lart?

Sipas psikologëve ka të bëjë me disa faktorë duke ndikuar që nga familja dhe shoqëria.  Sipas psikologes Eleni Topi: “Që një individ të ketë prirje për të kryer një krim  në mënyrë që mund të përdori maskat e silikonit, por ekziston edhe ndikimi nga shoqëria I cili është shumë I madh tek të rinjtë apo fëmijët të cilët nëse një I afërmi I tyre ose e ka përdorur si rezultat I ndikimit social ai mund të të bëhet pjesë e atij grupi që përdor forma të tilla dhe si rrjedhojë të ndikohet nga shoqëria në mënyrë që në të ardhmen të bëhet pjesë e grupeve kriminale. Prindërit duhet të bëjnë kujdes për fëmijët e tyre të cilët nuk kanë arritur akoma moshën e punës të kontrollohen për paratë që iu jepen pa e tejkaluar dhe ekzagjeruar por vetëm sa për plotësimin e nevojave si bashkëmoshatarët që më pas të mos tejkalojnë në format e blerjes së maskave apo të pajisjeve të tjera të nevojshme që iu shërbejnë atyre për kryerjen e veprave penale”.

Ndërsa për sociologët shprehen se një ndër arsyet e kriminalitetit të lart është korrupsioni por edhe varfëria ndikon. Sociologu Gëzim Tushi për “ Vetting” shprehet se “Krimi dhe kriminaliteti në shoqërinë e sotme shqiptare është bërë një plagë e madhe sociale, është bërë një tumor jashtëzakonisht i përhapur, shumë i gjerë dhe me intensitet të lartë. Kam përshtypjen që strategjitë e krimit, mënyrat e krimit në Shqipëri janë shumë hapa para institucioneve të parandalimet por edhe të ndëshkimit. Kjo po krijon për fat të keq një klimë sociale adoptuese dhe ky është një shqetësim jashtëzakonisht i madh.”

Teksa në 4 vitet e fundit në Shqipëri janë regjistruar 192 vrasje, ndërsa 62 krime mafioze vijojnë të mbetën ende të pazbardhura. Ekzekutime me snajper, krime në familje, vrasje grash, hakmarrje apo dhe larje e hesapeve të drogës, janë vetëm disa nga kategoritë e vrasjeve në Shqipëri.

Një pjesë e ngjarjeve janë zbardhur, por vrasjet pa autor vijojnë të jenë ato të përplasjes mes bandave e për të cilat policia nuk ka arritur të vendosë pranga. Edhe kur është vepruar ndaj tyre, të dyshuarit janë liruar për mungesë provash.

LEXO EDHE: Si funksionon “tregu i zi” i ‘maskave te krimit”/ Vetting hedh dritë mbi shitjen e pajisjeve që përdorin killerat! Avokatët: Pse shitësit janë si bashkëpunëtorët  

“Dua maskën me mjekrën e Faton Harizajt”- Vetting zbardh bisedën me tregtarin e maskave të silikonit! Kush fshihet pas faqeve online me numra kolumbianë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura