Nga Evropa në Maqedoni të Veriut, goditet rrjeti i kontrabandës së automjeteve luksoze

Dec 29, 2024 | 15:47
SHPËRNDAJE

Ministria e Punëve të Brendshme , në bashkëpunim me Prokurorinë Publike, ka zbuluar dhe goditur një rrjet që kontrabandonte vetura luksoze nga shtetet e Bashkimit Evropian (BE) drejt Maqedonisë së Veriut.

shkup

Bastisjet janë kryer të dielën e 29 dhjetorit në disa lokacione, përfshirë në Shkup, Negotinë, Dojran dhe Manastir, ku dyshohen të jenë përfshirë 10 persona.

“Aksioni ka për qëllim shuarjen e një grupi të organizuar kriminal që merret me kontrabandën e mjeteve të shtrenjta motorike, falsifikimin e dokumenteve dhe shpërdorimin e pozitës zyrtare, për të cilin mëngjesin e sotëm janë kryer kontrolle në disa lokacione”, shkroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovskit, në një postim në Facebook.

Mes të dyshuarve, janë identifikuar edhe dy zyrtarë të shërbimeve administrative për regjistrimin e automjeteve, për të cilët thuhet se kanë marrë pjesë në akte të kontrabandës, të falsifikimit të dokumenteve dhe dokumenteve zyrtare, si dhe fshehjen e mallrave që janë objekt i kontrabandës dhe mashtrimit doganor.

“Personat, gjatë viteve 2021 dhe 2022, me dokumente false dhe me numra falsë, kanë futur në vend makina të cilat kanë qenë lëndë e hetimit ndërkombëtar, si dhe makina të cilat në formë ndryshe i kanë ikur kontrollit doganor. Ata i regjistronin automjetet këtu dhe një pjesë për disa herë ndërmjet vete i kanë rishitur që ta fshehin kontrabandën, pas së cilës ua shitën përdoruesve të fundit”, shtoi Prokuroria Publike në njoftimin e saj.

Pas zhvillimit të procedurës paraprake dhe bazuar në provat e mbledhura, Prokuroria tha se do të ngrejë procedurë kundër gjithsej 10 personave.

Siç bëhet e ditur, njëri nga të dyshuarit është shtetas i Republikës së Greqisë, dhe ndjekja penale për të do të kalojë në juridiksionin e Greqisë, bazuar në bashkëpunimin e mëparshëm ndërmjet Prokurorisë Themelore Publike të Shkupit dhe autoriteteve greke./rel

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura