Duke shfletuar kalendarin historik, më 20 janar, kujtojmë Pashko Gjeçin, përkthyesin e paarritshëm të kryeveprave të letërsisë botërore në gjuhën shqipe, në përvjetorin e vdekjes.
Më 20 janar 2010 u nda nga jeta shqipëruesi i “Komedisë Hyjnore”, Pashk Gjeçi. Lindi në Shkodër më 7 shtator 1918. Ndoqi gjimnazin jezuit në vendlindje, ku mësoi italishten, greqishten e vjetër dhe latinishten. Që kur ishte nxënës, Gjeçi sprovoi penën duke përkthyer disa poezi të poetit italian Xhakomo Leopardi. Në vitin 1938, me gjysmë burse të mbuluar nga qeveria e kohës, nisi studimet e larta në Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë në Romë.
Më 15 korrik të vitit 1942, mori titullin “doktor” në letërsi. Pas kthimit në atdhe, më 4 shtator 1947, u ndalua me akuzën “pjesëmarrje në grup kundër pushtetit”. Shoqërimi me Ernest Koliqin i la gjurmë të pashlyeshme në kujtesë, edhe pse do t’i kushtonte 5 vjet burg. Pas lirimit, u transferua në Fushë-Krujë, ku punoi i përkushtuar për përkthimin e kryeveprës “Komedia Hyjnore”.
Menjëherë pas botimit të “Komedisë Hyjnore” të Dantes, nisi të përkthente një tjetër klasik të letërsisë botërore, “Odisenë” e Homerit. Shqipërimin e përsosi edhe më shumë me “Faustin” e Gëtes dhe “Hamletin” e Shekspirit. Gjithashtu, Pashko Gjeçi ka sjellë në gjuhën shqipe mrekullitë e greqishtes së vjetër, madje mund të thuhet se në botën shqiptare është i vetmi që e ka realizuar këtë gjë deri më sot. Në vitin 1963 ia nisi përkthimit të Odisesë nga greqishtja e lashtë, duke pasë variantet italisht dhe frëngjisht të veprës, për ta bërë më të gjallë ndërsa shpenzoi gati krejt honoraret e Komedisë për të shkuar në Durrës të kundrojë detin.
Pra, Pashk Gjeçi mbetet një figurë e shquar e letrave shqipe me përkthimet dhe shkrimet e tij bashkëkohore. Me rënien e regjimit komunist dhe ardhjen e viteve 2000′ përkthimet e klasikëve që kishte bërë u ribotuan, ndërsa disa përkthime të tjera që i kishin ngelur në dorëshkrim u botuan së pari, vepra si Fausti i Gëtes (pjesa e parë, 2008), Andromaka dhe Atalia e Rasinit (2010).
Ndërroi jetë më 21 janar 2010 në apartamentin e tij tek Shallvaret, në Tiranë. Shoqata italiane “Dante Alighieri” në vitet ’70 e vlerësoi ndërkombëtarisht shqipërimin e Gjeçit, si njërin ndër tre përkthimet më të mira në botë të “Komedisë Hyjnore”. Për përkthimin e Dantes, Gjeçi u dekorua nga presidenti Italian, Çampi më 2004 me titullin “Ordine della stella, della solidarietà italiana”.
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al