Nëse Dushan Vlahoviç ka rigjetur me forcë rrugën e tij në qendër të projektit “Juventus”, ka një Federiko Kieza që po has shumë vështirësi për të qëndruar në dimensionet e liderit teknik të skuadrës. Dhe nëse Masimiliano Alegri vazhdon që ta mbrojë numrin 7 me fjalë të ëmbla, janë tifozët ata që po nisin ta lëshojnë, siç treguan edhe vërshëllimat që mori pas daljes nga fusha, në “Allianz Stadium”, në duelin kundër Frozinones.
“Kieza duhet të qëndrojë i qetë. Kemi folur dhe ai e di se duhet të gjejë vazhdimësinë, pasi në këtë periudhë ka humbur shumë seanca stërvitore”, tha Alegri pas fitores 3-2 me Frozinonen, ndonëse nuk është se në Torino do e presin pa fund. Përkundrazi, koha ka nisur numërimin mbrapsht kundër tij, nëse nuk reagon tani e në vazhdim.
Tani, pyetja që shtrohet është se cilat janë arsyet që kanë bërë që Federiko të humbë papritur gjurmët dhe ai të jetë vetëm hija e shëmtuar e heroit të “Euro 2020”.
FRIKË – Verën e kaluar, Alegri i kishte kërkuar Kiezës që të mbështeste Vlahoviçin si një sulmues i dytë, i bindur se ai duke luajtur përkrah serbit mund të shënonte mes 14-16 golave. Dhe të mendosh që përgjigja nga ana e numrit 7 ishte shumë e fortë në fillim, me 4 gola në 5 ndeshjet e para, por më pas, hiçi, errësirë totale… Dhe nuk ka lidhje vetëm me golat, por duket qartë se pas dëmtimit, Kieza ka frikë që të çojë veten në limite, ruhet ende edhe në kontaktet fizike, duke qenë se edhe ndalesat për shqetësime fizike kanë qenë sërish të shumta. Dhe ndoshta kjo ndrojtje për të mos u dëmtuar sërish është një nga arsyet pse Federiko nuk është më lojtari shpërthyes që të gjithë njohin.
KONKURRENCË – Në Torino nuk është se do të heqin dorë lehtë nga Kieza, pasi një lojtar me cilësitë e tij, pavarësisht një moment jo të lumtur nuk braktiset menjëherë. Por kur luan te Juvja nuk është se të presin gjithmonë dhe sivjet Federikos i është shtuar edhe konkurrenca.
Shpërthimi i Jildizit nuk është se e ka fshirë, por gjithsesi rolin e atij titullarit të pazëvendësueshëm 26- vjeçari nuk e ka më dhe tani, çdo ndeshje është në balotazh me talentin turk 18- vjeçar, një tjetër aspekt që psikologjikisht rëndon për të mos qenë në maksimum.
NUMRAT – Pas 26 javësh numëron vetëm 6 gola dhe 2 asiste, shumë pak për një lojtar të kalibrit të tij, duke parë se nga ana tjetër, shoku i repartit, Dushan Vlahoviç është në kuotën 15 gola dhe 2 asiste, ndonëse nëse Kieza do e kishte ndihmuar pak më shumë, serbi mund të kishte numra edhe më të lartë. Pastaj, kur sheh se mesatarisht e tenton vetëm 1.87 herë portën mesatarisht në 90 minuta, duke luajtur aq pranë saj, kjo po pastaj që është shqetësuese.
KONTRATA – Marrëveshja aktuale skadon në 30 qershor 2025, por që nga viti i kaluar, ku u hapën zërat se menaxheri i tij, shqiptari Fali Ramadani ka shtyrë Kiezën që të kërkojë 8 milionë euro rrogë, nga 5 milionët aktualë, për të vazhduar në Torino, duket se diçka është krisur.
Edhe pse vetë Ramadani dhe Kieza e përgënjeshtruan këtë lajm, ndonëse presin një përmirësim të pagës, është vetë Federiko që i ka ngrirë bisedimet me paraqitjet e tij të vakëta. Te Juventusi sigurisht që janë gati të bisedojnë zgjatjen e kontratës, për të mos rrezikuar që nga janari i ardhshëm lojtari të jetë i lirë të bisedojë me kë të dojë dhe të largohet në verën 2025 me parametër zero. Por Kieza pikësëpari duhet të rikthehet në ritmet e tij të vërteta, për të pretenduar të qëndrojë dhe ndonjë përmirësim page.
Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al