Pothuajse një finale. Për Milanin, ajo e së shtunës kundër Juventusit tashmë ka ngjyrën e një ndeshjeje vendimtare.
Megjithëse Milani duhet të rikuperojë ndeshjen kundër Bolonjës dhe mund ta imagjinojë veten në 21 pikë në kuadër të një renditjeje virtuale apo potenciale, realiteti thotë se vendi i shtatë me 18 pikë, shtatë më pak se grupi i skuadrave të vendit të dytë, ku sot qëndron pjesa më e madhe e “lejekalimeve” për t’u futur në Ligën e Kampionëve të vitit 2025. Nuk e dimë se sa vende të lira do të jenë, por qofshin katër si zakonisht apo pesë, si sezonin e kaluar falë renditjes së shkëlqyer evropiane vjetore të klubeve tona, “Djalli” është larg hapit të katërt dhe të pestë. Edhe për këtë arsye ndeshja e së shtunës do të shërbejë për të shmangur shkëputjen më tej nga ekipet kryesore dhe për të tërhequr poshtë Juventusin, tashmë gjashtë pikë mbi kuqezinjtë, dhe për t’u transmetuar atyre ankthin e një rrëshqitje të mundshme nga zona Champions.
PËRGJEGJËSIA – Paulo Fonseka nuk do të jetë i vetmi që do të mbajë përgjegjësi për ngjarjet. Çdo trajner është i rrezikuar të shkarkohet në rast të rezultateve të përsëritura negative dhe portugezi i “Djallit” nuk do të përbënte përjashtim, por nëse sezoni do të përfundonte keq, të gjithë do të ishin në pikëpyetje. Brenda një klubi në pronësi amerikane, me financat në fokus, bordi drejtues është përgjegjës kryesor. Në Milanin aktual, figurat më të larta drejtuese janë administratori Xhorxho Furlani dhe këshilltari special Zlatan Ibrahimoviç. Për ata gjithashtu Juventusi do të jetë një kufi, për mirë apo për keq.
Një fitore ndaj “Zonjës”, pas mposhtjes së Interit dhe Realit, do të vërtetonte cilësinë e grupit dhe do të reduktonte diferencën në renditje në një çështje të thjeshtë përshtatjeje me kursin e ri. Milani nuk do të luajë gjithçka të shtunën – jemi vetëm në nëntor dhe kjo mund të korrigjohet – por shumë nga fatet e sezonit do të jenë në lojë. Ndaj duhet fitorja, për të dalë shpejt nga një rreth vicioz që do të bënte disa “kurbane” teksa amerikanët mund të kërkonin edhe ndonjë “kokë turku” të momentit.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al