Banori i Big Brother Vip Albania, Xum Allushi ka rrëfyer historinë e tij të fëmijërisë. Ai është shprehur se kur ka qenë i vogël është përballur me një situatë të frikshme, pasi kanë tentuar ta rrëmbejnë përballë shkollës.
Ai tregon se teksa ka dalë nga ora e mësimit, jashtë oborrit të shkollës ka qenë duke konsumuar një mollë, e një makinë i ka ndaluar të këmbët.
Nga automjeti, sipas Xumit, kanë zbritur 3 burra, të cilët fillimisht e pyetën se çfarë po bënte dhe kë po priste. Ai i është përgjigjur se ishte në pritje e të ëmës, e cila do të vinte për ta marrë pak më vonë.
“Dal nga oborri i shkollës edhe po e shijoja, po rrija, po qëndroja aty. Atë moment, afrohet një makinë gri dhe nga makina zbresin 3 çuna, po në atë kohë më dukeshin si 3 burra të mëdhenj e më pyesin se çfarë po bëja dhe kë po prisja. Me naivitetin e një fëmijë përgjigjem që po pres mamin.”, tha ai për banorët e tjerë.
“Njëri prej tyre shprehu “dëshirën e mirë” që hajde bëj xhiro me makinë deri sa të vijë mami, edhe tjetri më kap nga krahu e tjetri më bllokon pak cepin e buzës dhe më tërheqin drejt makinës.”, tregoi ai.
Komediani shprehet se në ato momente u paraqit prindi i një prej shokëve të tij të klasës, e Xumi për të shpëtuar i ka thirrur asaj mami, duke bërë që 3 burrat të largohen me shpejtësi me makinë.
“Në ato momente më bie molla nga dora edhe një prej tyre hutohet. Ishte pikërisht ky moment që Zoti bën disa mrekullira. Hutohet dhe i ikën pak dora nga goja dhe pikërisht në ato momente vjen një nga prindërit e një prej fëmijëve të tjerë të klasës time. Pikërisht në ato momente e shikoj atë prindin dhe i thërras ‘mami’.”, shton më tej komediani.
Më pas, rasti sipas tij është denoncuar, por e ëma e komedianit, për shkak të gjithë kësaj ngjarje, ka kaluar një paralizë faciale, gjë që kaloi me kalimin e viteve.
Rrëfimi i Xum Allushit
Rreth 25 vite ka qenë një kohë që shumë fëmijë të vegjël, nuk e di a e keni dëgjuar, humbnin. Rezultonin të humbur pothuajse 1 herë në muaj apo 2 herë në muaj. Kam qenë gjithmonë një djalë që kisha qejf makinat, e duke qenë se kam qenë një fëmijë shumë mistrec edhe popullor në lagje, kam qenë gjithmonë një djalë që me merrnin me bënin xhiro gjithmonë në lagje, më the e të thash me makinë. Kam pasur këtë qejfin e madh për të hipur e për të bërë xhiro. Gjithsesi prindërit e mi më këshillonin gjithmonë që mos të hipja në makina të panjohura, e më the të thash, dhe kjo më ishte ngulitur në mendje.
Një ditë në shkollë, në klasë të dytë ose të tretë, nuk e mbaj mend mirë, gjatë mësimit, i vjen një njoftim mësueses tonë kujdestare që djali i vet kishte bërë aksident dhe natyrisht zysha kujdestare largohet në ato momente nga klasa. Ishte rreth 1 orë para se të mbaronte mësimi. Gjithë ashtu si klasë dalim në oborrin e brendshëm të shkollës edhe prindërit tanë u lajmëruan për të ardhur.
Mami im kishte ikur tek daja i saj, dhe nuk ishte momentalisht e disponueshme të vinte të më merrte nga shkolla për të më çuar në shtëpi. Duke qenë se kam qenë një fëmijë, le të themi, i shëndetshëm, ne atë moshe, kisha qejf ëmbëlsirat. Jashtë oborrit të shkollës ishte një burrë që shiste disa mollë me shkopinj që lyheshin me një gjë të kuqe, që nuk e mbaj mend mirë. Nepsi im thoshte të kaloja me stil oborrin e shkollës e të shkoja të merrja një mollë, të prisja mamin aty.
Duke qenë se isha mistrec, nuk kisha mendim të dytë. Dal nga oborri i shkollës edhe po e shijoja, po rrija, po qëndroja aty. Atë moment, afrohet një makinë gri dhe nga makina zbresin 3 çuna, po në atë kohë më dukeshin si 3 burra të mëdhenj e më pyesin se çfarë po bëja dhe kë po prisja. Me naivitetin e një fëmijë përgjigjem që po pres mamin. Njëri prej tyre shprehu “dëshirën e mirë” që hajde bëj xhiro me makinë deri sa të vijë mami, edhe tjetri më kap nga krahu e tjetri më bllokon pak cepin e buzës dhe më tërheqin drejt makinës.
Në ato momente më bie molla nga dora edhe një prej tyre hutohet. Ishte pikërisht ky moment që Zoti bën disa mrekullira. Hutohet dhe i ikën pak dora nga goja dhe pikërisht në ato momente vjen një nga prindërit e një prej fëmijëve të tjerë të klasës time. Pikërisht në ato momente e shikoj atë prindin dhe i thërras ‘mami’.
Ajo e kuptoi totalisht situatën dhe vrapoi drejt meje. Ata djemtë largohen edhe më lëshojnë e futën në makinë. Ka qenë një nga traumat e fëmijërisë time që sot e kësaj dite e kujtoj dhe më ka lënë një dhimbje shumë të madhe. Ajo gruaja për mua mbetet një heroinë. Për pak vjen mami merret vesh ngjarja se çfarë ka ndodhur totalisht.
Denoncohet problemi dhe nga mërzitja e madhe që fëmija i saj mund të rrëmbehej ose se nuk mund të shikonte më fëmijën e vet, mami kaloi një paralizë faciale e cila i mori pjesën e djathtë të gojës, gjë që më kalimin e viteve, shyqyr Zotit, i është kthyer në normalitet. Ky është një mesazh për të gjithë prindërit që asnjëherë nuk duhet të humbin vëmendjen e tyre nga fëmijët.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al