“Nga një dhëmb floriri…”, si u identifikuan pas 20 vitesh eshtrat e Çerçiz Topullit. Në emër të kujt foli Enver Hoxha, ja çfarë tha ai

Jul 17, 2024 | 12:45
SHPËRNDAJE

Pushka dhe pena ishin dy armët e Çerçiz Topullit, që i përdori për bashkimin e shqiptarëve. Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi 109-vjetorin e ndarjes nga jeta të atdhetarit e luftëtarit Çerçiz Topulli.

cercizi

Ai ishte atdhetar dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare, udhëheqës i luftës së armatosur të çetave për çlirimin kombëtar të vendit, “Hero i Popullit”. Çerçiz Topulli lindi në Gjirokastër, në vitin 1880. Një ndër familjet me emër në qytetin e Gjirokastrës është ajo e Topullarajve. Ajo familje fisnike nuk shquhej si familje e shtresës së agallarëve, bejlerëve, fajdexhinjve apo e feudalëve. Ishte një familje me rrënjë në atdhetarizëm dhe trimërinë, që e karakterizonte me një dukuri të veçantë nga fiset e tjera të qytetit të gurtë. I pari i saj ishte Agush (Ago). Rol të madh në formimin e tij luajti vëllai i tij më i madh, Bajo Topulli.

Mori pjesë në veprimtarinë e Komitetit “Për lirinë e Shqipërisë” në Gjirokastër, ndërsa në thirrjen “Nga malet e Shqipërisë”, drejtuar bashkatdhetarëve të tij, botuar në janar 1907 në gazetën “Shpresa e Shqipërisë”, Çerçiz Topulli kërkonte që Shqipëria të shkëputej nga Perandoria Osmane dhe të bëhej e pavarur. Mjedisi familjar në të cilin u rrit e sidomos vëllai më i madh Bajo Topulli ndikuan në formimin e tij si atdhetar i vendosur. Mori pjesë në veprimtarinë e Komitetit të Fshehtë “Për lirinë e Shqipërisë” në Gjirokastër. Çerçizi me të vëllanë Bajon e Zeman Mashkullorin, në prill të 1907 komandoi çetën e armatosur që vepronte në Shqipërinë e Jugut, e sidomos në krahinat e Gjirokastrës dhe të Korçës. Me vendim të Komitetit të Gjirokastrës, anëtarë të çetës së tij vranë në fillim të marsit 1908 në Gjirokastër komandantin turk të xhandarmërisë. Drejtoi Luftën e Mashkullorës më 18 mars 1908.

Në thirrjen “Nga malet e Shqipërisë” drejtuar bashkatdhetarëve të tij dhe botuar në janar 1907 në gazetën “Shpresa e Shqipërisë” Çerçiz Topulli, pasi dënonte grabitjet e administratës osmane, kërkonte që Shqipëria të shkëputej nga Perandoria Osmane dhe të bëhej e lirë dhe e pavarur. Ai shprehte bindjen se e vetmja rrugë për çlirimin e Shqipërisë, ishte ajo e kryengritjes së përgjithshme të armatosur dhe ftonte të gjithë shqiptarët të ngriheshin me armë në dorë në luftën për lirinë e Shqipërisë. Pas fitores së revolucionit xhonturk të 1908, Çerçiz Topulli punoi për formimin e klubeve shqiptare dhe për çeljen e shkollave shqipe në viset e ndryshme të vendit. Në shoqëritë dhe klubet patriotike mbrojti interesat e kombit dhe të vegjëlisë. Pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912 u vu në shërbim të qeverisë së I. Qemalit dhe luftoi për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut, në disa kryengritje të armatosura, për sprapsjen e grekëve nga tokat e pushtuara në jug (pas konferencës së Londrës), por edhe kundër rebelimit të Haxhi Qamilit në Shqipërinë e Mesme. Në shtator të vitit 1914, Çerçiz Topullin e Muço Qullin i gjejmë në Shkodër, ku mendohet të kenë shkuar për t’iu bashkuar mbrojtjes së trojeve nga pushtimi serbo-malazez.

Arrestohen për të parën herë më 28 qershor dhe lirohen shumë shpejt, por arrestohen sërish në 7 korrik 1915 në Fushën e Shtoit (Shkodër) nga një togë malazeze rrugës për në Çetinë. Për 20 vjet eshtrat e dy heronjve mbetën pa varr, në Shtoj të Shkodrës, deri sa u zbuluan në vitin 1936 nga Javer Hrushidi, mik fëmijërie me Çerçizin dhe prefekt i Shkodrës aso kohe. Ishte pikërisht ai që identifikoi dhe eshtrat e Çerçizit nga një dhemb floriri, që e kishin të dy të njëjtë. Në zhvarrimin e eshtrave të tyre mori pjesë edhe Enver Hoxha, i cili mbajti edhe një fjalë lamtumire në emër të Gjirokastritëve. Veprimtarinë patriotike familjes Topulli, komuniteti gjirokastrit e ka vlerësuar e nderuar në dekada duke i dhënë vendin e merituar në histori. Në vitin 1936 vdekjen e Bajo Topullit populli i Gjirokastrës e priti me një dhimbje të madhe, varrimi i tij u bë madhështor ashtu siç i takonte një patrioti të madh të Rilindjes sonë Kombëtare. Shkollës së lagjes ‘Dunavat’, vendlindjes së tij i dhanë emrin “Bajo Topulli”.

Në vitin 1937, pa plotësuar ende një vit nga vdekja e Bajos në sheshin qendror të Gjirokastrës, me kontributin financiar të tregtarëve, intelektualëve e njerëzve të thjeshtë patriotë gjirokastritë, skulptori i popullit Odise Paskali, ngriti në bronz monumentin e Çerçiz Topullit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura