Liderët botërorë i kanë bërë thirrje Izraelit që të shmangë një pushtim të plotë të Libanit, pasi ushtria izraelite tha se kishte nisur operacione tokësore si pjesë e përballjes së saj të fundit me Hezbollahun, grupin militant dhe partinë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit.
Dy rivalët e kahmotshëm janë përfshirë në përplasje më të vogla që nga shpërthimi i luftës në Gazë, por tensionet janë rritur ndjeshëm javët e fundit, ndërsa Izraeli ka zhvendosur fokusin e tij në kufirin verior dhe ka kryer një sulm në të cilin u vra kreu i Hezbollahut, Hassan Nasrallah.
Vetë Hezbollahu mohoi që trupat izraelite të kishin kaluar në Liban. Hezbollahu është e shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja, ndërkaq Bashkimi Evropian e ka futur në listë të zezë krahun e tij ushtarak, por jo edhe partinë politike. Partia politike e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.
OKB: Shmangni ‘vuajtjet më të mëdha’
Pas deklaratës së Izraelit se trupat e saj po kryenin “sulme të kufizuara” në Liban, Kombet e Bashkuara paralajmëruan kundër shndërrimit të këtyre sulmeve në një “pushtim të gjerë tokësor”.
“Pasojat për civilët kanë qenë tashmë të tmerrshme”, tha zëdhënësja e zyrës së të drejtave të OKB-së, Liz Throssell. “Ne kemi frikë se një pushtim i gjerë tokësor nga Izraeli në Liban do të rezultonte vetëm në vuajtje më të mëdha”.
Ndërsa paralajmëruan se hyrja e Izraelit në Liban do të ishte “shkelje e sovranitetit dhe integritetit territorial të Libanit”, forcat paqeruajtëse të OKB-së në Libanin jugor thanë për AFP-në se “nuk ka asnjë inkursion tokësor për momentin”.
SHBA: Mbështetje e kufizuar
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, deklaroi më 30 shtator se ishte kundër dërgimit të trupave izraelite në Liban, duke shtuar se “duhet të kemi një armëpushim tani”.
Megjithatë, disa orë më vonë, sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, dha mbështetjen e Uashingtonit për “shkatërrimin e infrastrukturës sulmuese përgjatë kufirit”.
Irani: S’do të dërgojë trupa në mbështetje të Hezbollahut
Edhe pse mbështetësi kryesor i Hezbollahut, Irani, kishte premtuar “shkatërrimin” e Izraelit për vrasjen e liderit të grupit militant, Nasrallah, Teherani tha se nuk do të dërgonte trupa në Liban.
“Nuk ka nevojë të dërgohen forca shtesë apo vullnetare të Republikës Islamike të Iranit”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Nasser Kanani.
E njëjta gjë u tha edhe për Gazën, ku Izraeli është përfshirë në luftë me Hamasin — grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja, që gjithashtu mbështetet nga Teherani — që nga sulmi në Izrael më 7 tetor.
Rusia: Izraeli të tërhiqet nga Libani
Rusia, që ka lidhje të ngushta me Iranin, bëri thirrje që Izraeli “të ndalojë menjëherë armiqësitë, të tërheqë trupat nga territori libanez dhe të angazhohet në një kërkim të vërtetë për zgjidhje paqësore të konfliktit në Lindjen e Mesme”.
“Ne shprehim solidaritetin tonë me udhëheqjen dhe popullin e Libanit miqësor, i cili është përballur me agresion të armatosur”, tha Ministria e Jashtme ruse.
Kina: Thellësisht e shqetësuar
Pas njoftimit të Izraelit, Kina tha se ishte “thellësisht e shqetësuar për përshkallëzimin” dhe kundërshtonte “shkeljet e sovranitetit, sigurisë dhe integritetit territorial të Libanit”.
Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme, Kina gjithashtu paralajmëroi kundër “veprimeve që përshkallëzojnë konfliktet dhe çojnë në një përkeqësim të mëtejshëm të situatës rajonale”.
Turqia: Ofensiva e Izraelit, përpjekje për pushtim të paligjshëm
Si kritik i shpeshtë i sulmeve të Izraelit ndaj Libanit dhe sjelljes së shtetit izraelit gjatë luftës në Gazë, Turqia dënoi ofensivën tokësore të Izraelit si një “përpjekje të paligjshme pushtimi”.
“Ky sulm duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe ushtarët izraelitë duhet të tërhiqen nga territori libanez”, tha Ministria e Jashtme turke.
“Të gjitha shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, veçanërisht OKB-ja, duhet tëandalojnë Izraelin pa humbur më shumë kohë”, tha presidenti Recep Tayyip Erdogan, i cili shtoi se Izraeli mund ta synojë edhe Turqinë./REL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al