“Ngado të rrotulloheni këtu do të ktheheni”- Rama me të rinjtë: Sot të thuash jam nga Shqipëria, je ‘sexy’, deri dje ishe qamet!

Oct 8, 2024 | 19:04
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama nga takimi me të rinjtë pjesë e Programit Kombëtar i Praktikave të Punës, ka deklaruar se konkurset bazohen në meritë.

Rama tha se nëse konkurset e administratës publike do të ishin të shituara, rreth 1/3 nuk do të dilnin pa fitues.

Ndër të tjera kreu i qeverisë u ndal te largimi i të rinjve, ku tha se ngado të rrotullohen sërish do të kthehen në Shqipëri.

“Nëse shkruani në CV tuaj se do shkruani kam punuar në administratën publike, do të priteni me respekt. Sot na respektojnë. Të thuash jam nga Shqipëria je seksi, deri dje ishe qamet. Mos u dorëzoheni asnjëherë se ngado të rrotulloheni këtu do të ktheheni. Jo sepse atje ku do të shkoni nuk do të arrini, por kur të vijë koha do të jetë më bukur”, tha Rama.

“Ligji për administratën publike, që ka konsoliduar pozicionit e nëpunësve civilë, si pozicione të palëvizshme se kështu do ministër i radhës, ka hyrë në fuqi në fillim të mandatit tonë. Ka qenë një sfidë e dyfishtë. Nga ligji përfituan ata që e meritonin dhe ata që nuk e meritonin që kishin hyrë si pjesë e proceseve politike. Aty ka lindur ideja e këtij program.

Ka një fakt tjetër, nëse konkurset e administratës publike do të ishin të shituara, rreth 1/3 nuk do të dilnin pa fitues. Dalin pa fitues sepse nuk kanë plotësuar kriteret.

Është shumë e rëndësishme ta besoni këtë dhe shumë më e rëndësishme të besoni se cilado qofshin pengesat, ju duhet të besoni që atë gjë që doni ta arrini, do ta arrini dhe të jeni të gatshëm të bëni gjithçka.

E fundit që kam për thënë është që ju mund të bëni zgjedhjen tuaj, mund të jetoni këtu, të shkoni jashtë, të mendoni se atje larg ju pret me krahëhapur një republikë e konkurrencës, por në të gjitha rastet mundësinë për këtë eksperiencë shfrytëzojeni deri në fund. Nëse shkruani në CV tuaj se do shkruani kam punuar në administratën publike, do të priteni me respekt. Sot na respektojnë. Të thuash jam nga Shqipëria je seksi, deri dje ishe qamet. Mos u dorëzoheni asnjëherë se ngado të rrotulloheni këtu do të ktheheni. Jo sepse atje ku do të shkoni nuk do të arrini, por kur të vijë koha do të jetë më bukur”, tha Rama.

Fjala e plotë e  Kryeministrit Edi Rama:

Mirëmbrëma të gjithëve! Përshëndetje!

Siç e dini unë flas shkurt, nuk bëj fjalime të gjata, por duke qenë së të gjithë parafolësit e mi i bënë të gjata, unë do ta bëj timin edhe më të shkurtër se zakonisht.

Së pari erdha me kënaqësi thjesht për t’ju parë dhe për t’ju përshëndetur dhe duhet ta dini që është hera e parë që unë e bëj këtë në 9 vjet. Është hera e parë në 9 vjet thjesht për një arsye, që kjo është e vërteta, më ka ndryshuar në mënyrë shumë serioze nivelin e vlerësimit tim personal për administratën tonë publike. Kam pasur gjithmonë brenda meje siç kanë të gjithë praktikisht qytetarët shqiptarë, mbase jo në nivelin e shumicës së atyre që mendojnë se administrata publike është një territor me shumë hije dhe me pak arsye për të patur respekt, por gjithsesi një ndjesi pasigurie dhe një ndjesi që kjo do të ishte pjesa më e pamundur e misionit tim dhe e misionit tonë për ta ngritur administratën publike në një nivel të respektueshëm, të paktën në të gjallët e mi.

Mirëpo ajo që ka ndodhur është që në procesin e diagnostikimit të Shqipërisë apo siç quhet në gjuhën e Adeas dhe të Ulsiut, ‘’Screening’’ me BE, një skuadër goxha e madhe në numër, ka arritur të prodhojë një rezultat që për mua ka qenë absolutisht befasues. Nëse do ma thoshte dikush më parë, do ta dyshoja fort dhe nëse kam patur gjithmonë një frikë nga momenti i hapjes së atij procesi, duke dëgjuar të tjerë kolegë që e kishin njohur më parë se ç’është procesi i diagnostikimit të një vendi që futet për të hapur negociatat me BE, ka qenë se si do t’ia dalim ne kësaj; një ballafaqim absolutisht besoj unë, i pa krahasueshëm për nga thellësia dhe nga sfida intelektuale ose sfida e aftësisë në asnjë provim që kemi bërë. Një provim shumë, shumë i vështirë dhe faktikisht ai nuk ka qenë momenti i ballafaqimit me një të vërtetë të hidhur, por ka qenë momenti i përplasjes me një realitet shumë herë më të mirë se sa edhe unë vetë me të gjithë dëshirën që ta mendoja të mirë, nuk do ta kisha menduar ndonjëherë.

Kështu që e them këtë së pari sepse besoj që n këto 11 vjet është bërë një punë serioze, e vështirë, pa diskutim jo e mjaftueshme për të thënë që është një punë e kryer për të transformuar administratën publike dhe për t’i dhënë administratës publike një forcë aftësish dhe një mundësi të shprehjes së tyre që nuk e ka patur më parë. Administrata publike më parë ka pasur njerëz të zotë pa diskutim. Sot ju sapo keni hyrë, me siguri do të njihni në ministri apo në institucione të tjera njerëz që mund të jenë në prag të pensionit, që kanë 30 apo 40 vjet në administratë dhe që kanë qenë aty, dhe që janë njerëz thesare të administratës, por administrata jonë publike nuk ka pasur as mundësinë që të ndihet e motivuar për t’u shprehur dhe as aftësinë për ta shprehur atë që është dashur të bëjë siç e bëri në procesin ‘’Screening’’, sepse ka qenë një administratë e dhunuar nga presioni politik.

Ligji për administratën publike i cili ka praktikisht, konsoliduar pozicionet e nëpunëve civilë si pozicione të palëvizshme sepse kështu do ministri i radhës apo sepse kështu do partia e radhës në pushtet, ka hyrë në fuqi pikërisht me fillimin e mandatit tonë të parë.

Ka qenë një sfidë e dyfishtë sepse nga njëra anë ishte shumë e rëndësishme që adminsitratës dhe gjithë shërbëtorëve të shtetit në atë vijë të frontit t’i jepej siguri për vendin e punës, por nga ana tjetër ligji do të krijonte dhe krijoi një ngrirje në vend të situatës ashtu siç ishte, pra nga ligji përfituan qoftë ata që e meritonin dhe që ishin aty  prej shumë vitesh, qoftë ata që nuk e meritonin dhe që kishin hyrë aty si pasojë e këtyre proceseve politike ekstra që thashë dhe aty ka lindur edhe ideja e këtij programi sepse ligji kërkonte dhe kërkon që për të hyrë në administratën publike, duhet të kesh 1 vit eksperiencë pune dhe ishte si ‘’pula vezën apo veza pulën’’ sepse një student ambicioz me rezultate të mira,  i gatshëm për të filluar në nivelin e parë të administratës, nuk arrinte dot të futej në konkurs sepse duhet të kishte 1 vit eksperiencë dhe pyetja ishte, dakord, po ku do ta marrë eksperiencën?! Dhe kështu ky program u bë një urë, një praktikë punë e cila në fakt nuk është thjesht një praktikë pune për të shkuar dhe për t’u njohur atje me një punë të caktuar për disa muaj, por është  pikërisht mundësia e krijimit të eksperiencës. Mundësia e krijimit të eksperiencës, që brenda kornizës së ligjit i jep mundësinë secilit nga ju të konkurrojë.

Tjetra që ka ndodhur është që në këtë program, në këto vite, kanë hyrë mbi 5 mijë si ju. Ka shumë të pavërtetë në një fakt që konsiderohet i mirëqenë, që të hysh në administratë duhet të jesh patjetër nga Dibra si Ulsiu ose duhet të jesh patjetër me PS, ose duhet të jesh patjetër kushëri i këtij. Unë nuk e di sa nga ju kanë kushëri Ulsiun ose këdo qoftë tjetër ose ndonjë lidhje tjetër, por ajo që di unë është kjo, që në Kryeministri kam takuar personalisht një numër të caktuar të atyre si ju më parë, që hynë në praktikën e punës dhe që pastaj filluan dhe punë dhe ajo që kam dëgjuar prej tyre ka qenë ne as që nuk e besonim që kishim shans të fitonim konkursin. Kemi hyrë, kemi thënë ta provojmë, kjo është kot sepse kjo është ndeshje e shitur, është lojë e mbaruar. Dhe kemi hyrë sepse kemi fituar konkursin.

Dhe ka një fakt tjetër. Nëse konkurset e administratës publike do të ishin të shitura, në kuptimin që do të ishin farse, atëherë rreth 1/3 e tyre nuk do dilnin pa fitues. Por dalin pa fitues sepse nuk arrijnë të plotësohen të gjithë ato kriteret e forta që janë. Tani nuk diskutohet që ne shqiptarët nuk jemi humbësa të zotë, ne nuk dimë të humbim dhe kur njeriu nuk di të humbi e ka shumë të vështirë që të mësojë si fitohet. Gjithmonë nëse ne fitojmë është merita personale, themi dhe ndonjë fjalë të mirë, falënderoj kolegët etj, por besojmë që e kemi bërë vet. Nëse ne humbim është gjithmonë faji i dikujt tjetër dhe përgjithësisht fjala që është gjetur është korrupsion, taraf. Fatmirësisht jo se nuk ka të tilla se po të thosha që nuk ka të tilla do thosha një tjetër gjë të pavërtetë por po kaq sa është e vërtetë që ka të tilla, po kaq është e vërtetë që mbi 500 si ju që tre vitet e fundit janë punësuar pasi kanë kryer këtë proces, pasi kanë bërë konkursin janë në 95% njerëz që nuk kanë ardhur në praktiken e punës si të rekomanduar e dikujt, as me mbështetjen e dikujt, as se kanë pasur një mbiemër të njohur dhe kanë fituar konkursin falë meritës së tyre.

Ju duhet ta besoni këtë. Është shumë e rëndësishme ta besoi këtë dhe mbi të gjitha është edhe më e rëndësishme të besoni që cilat do të jenë pengesat, qoftë dhe sikur këto pengesa që unë po ju them janë shumë më të pakta sesa c‘thuhet të jenë ashtu siç thuhen, ju duhet të besoni që atë gjë që doni të arrini, do ta arrini dhe të jeni të gatshëm që për ta arritur të bëni gjithçka që duhet bërë për t’ia arritur.

Kam takuar një vajzë që hyri në administratën publike pas 7 konkursesh dhe nuk e njihja por më njihte dhe më çonte mesazh: padrejtësia, kjo, ajo. Dhe ju them që kur ka fituar herën e shtatë, shumë respekt ruaj për të, më ka kërkuar 5 minuta dhe më ka thënë: të kërkoj ndjesë për gjithçka kam shkruar më parë sepse mu deshën 6 konkurse që ta fitoja të shtatin, jam po kjo, pa miq dhe duke parë sesi janë paraqitur njeri pas tjetri kam kuptuar që nuk ka qenë hile ndaj meje, por ka qenë pamundësia ime për të fituar. Dhe natyrisht që nuk është sekret që kur ndodh që janë dy njësoj patjetër që tendenca është që të marrësh atë që të ngjan më shumë apo jo? Por ama kur ti do të bësh diferencën, duhet t’i lesh të gjithë mbrapa dhe ajo e fitoi konkursin. Sot e gjithë ditën është nënë me fëmijë, është punonjëse administrate.

E fundit që kam për të mbajtur fjalën që fjalimi im të jetë më i shkurtër se i parafolëses sime që ishte moderatorë dhe oratorë, bravo. “Keep going”. Kur kap foltoren mos e lësho dhe kur protokolli të thotë që duhet të dalësh për ta lëshuar sepse kjo është një mënyrë për të bërë sukses. Dhe ato që the janë shumë të vërteta dhe janë të artikuluara shumë mirë, gjë që të fal shkeljen e protokollit, madje të bën të dalluar tani dhe unë do filloj të pyes Borën, “Çfarë bën ajo goca”? Është kështu, kështu duhet bërë. Erdhi rasti, bëje. S’ka rrugë tjetër.

E fundit që kam është që ju me siguri mund të bëni zgjedhjen tuaj. mund të jetoni këtu, mund të shkoni jashtë, mund të mendoni që atje larg ju pret me krahëhapur një republikë e konkurrencës, e meritës, e vlerësimit, por në të gjitha rastet mundësinë për të patur këtë eksperiencë shfrytëzoheni deri në fund sepse edhe sikur të mendoni që dikur do shkoni diku tjetër, kudo të shkoni nëse në përshkrimin e punës suaj do keni të shkruar “kam punuar për administratën publike të shtetit shqiptar” do t’ju shohin me më shumë respekt. Dhe ky është një respekt që deri përpara disa vitesh dukej i paimagjinueshëm, nuk na respektonte asnjeri. Na konsideronin një komshi të cilin se heq dot qafe, gati – gati si një banor në një ndërtim pa leje këtu në Ballkan edhe e shtynim ne. Sot na respektojnë. Sot të thuash ‘jam nga Shqipëria’, je seksi. Deri dje ishe qamet. Sepse menjëherë fillojnë pyesin: Shqipëria sa bukur, kam qenë dhe nga ana tjetër ajo që po ndodh sot është aq e madhe dhe njëkohësisht aq reale sa c‘ishte absolutisht komplet e pabesueshme që Shqipëria është në hapin e fundit për tu bërë anëtare e BE, për tu bërë pjesë e familjes së bashkuar europiane. Kur them hapin e fundit, unë numëroj 500 vjet, këto janë 5 vitet e fundit. Është një hap, finali për të kryer me sukses negociatat dhe cilido prej jush në këto 5 vjet që do të ketë mundësinë të jetë pjesë e grupeve negociatore, nëse do të vazhdojë në administratë dhe nëse do të përfshihet, si Arditi, atëherë do të ketë në përshkrimin e punës së tij edhe një tjetër sasi pikësh në sytë e kujtdo kudo që të shkojë.

Kështu që, ju uroj të keni suksesin e Arditit, të Arditit këtu dhe të Arditit tjetër dhe mos u dorëzoni. Dhe mos harroni asnjëherë që ngado që të rrotulloheni, këtu do ktheheni prapë. Por nuk do ktheheni prapë se s’do arrini dot të bëni diçka të bukur atje, por do ktheheni këtu sepse kur dita juaj të vijë, këtu do jetë më bukur se atje. Të jeni të sigurtë për këtë. Ky është vend i bekuar nga Zoti që për shekuj të tërë është penguar nga robi dhe pengesa e robit ka ikur. Tani na takon ne që bekimin e Zotit dhe amanetin e atyre që luftuan me robin e keq që e pengoi këtë vend me qindra vite, ta bëjmë edhe bekimin, prosperitetin e familjeve dhe të fëmijëve e të fëmijëve të fëmijëve. Tani kur unë ju flas juve për fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve juve ju duket sikur po ju flas për ndonjë kohë që s’do vijë kurrë, më besoni do vijë shumë shpejtë.

Programi ka filluar 9 vite përpara, po ju them për mua janë 9 muaj, se di si kanë kaluar. Do vijë shumë shpejt. Kështu që gëzojuni çdo dite dhe merrini çdo dite maksimumin tani që nuk keni dhe kalamaj nëpër këmbë se pastaj do t’ju marrin ata një pjesë të kohës. Respekte dhe mbarësi, shëndet dhe çdo bekim për ata që ju kanë bërë kokën. Duke iu parë nga këtej mund të them që janë skulptorë shumë të mirë të gjithë, baballarë dhe nënat tuaja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura