Ngërçi i politikës së jashtme të Kosovës

Sep 28, 2024 | 7:54
SHPËRNDAJE

NGA ARBEN QIREZI ARBEN QIREZI

Mungesa e politikës së jashtme, përkatësisht politika e konfrontimit me fuqitë e mëdha, e dobëson pozicionin e Kosovës në afat të gjatë dhe pasojat e kësaj politike mund të jenë të pakthyeshme. Mënyra e vetme për të zbutur këto pasoja është një rezultat zgjedhor që nuk ia jep Kurtit fuqinë që ta udhëheqë vendin në mënyrë despotike, sepse nëse vazhdohet me këtë politikë edhe në katër vjetët e ardhshme, atëherë vetëm ndonjë çudi mund ta shpëtojë Kosovën nga vetëshkatërrimi.

Përderisa Serbia në politikën e saj të jashtme po zhvillon partneritet edhe me Lindjen, edhe me Perëndimin, Kosova po përballet me një izolim në rritje nga ata, që historikisht e kanë përkrahur më së shumti. Ajo është në një ngërç diplomatik, në të cilin është futur falë mungesës së një vizioni për politikë të jashtme.

Serbia ka bërë zgjedhje që të zhvillojë një politikë të jashtme, e cila i ngjan po asaj të ish-Jugosllavisë socialiste, njëfarë balance në mes të Lindjes dhe Perëndimit. Ajo suksesshëm po sfidon edhe Bashkimin Evropian, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me afërsinë e saj me Kinën, Rusinë e Iranin, duke i avancuar interesat e saj ekonomike dhe të sigurisë si me SHBA-të, ashtu edhe me shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, Gjermaninë dhe Francën. Këtë pozicion të sajin ndërkombëtar, Serbia po e shfrytëzon me agresivitetin e plotë për të lobuar kundër njohjeve të reja të pavarësisë së Kosovës e për ta akuzuar Kosovën për të ashtuquajturin persekutim të serbëve në veri.

Edhe pse Serbia ka refuzuar që të vendosë sanksione kundër Rusisë dhe Iranit, gjë që është kërkesë e kamotshme e Bashkimit Evropian dhe e SHBA-ve, ajo aktualisht po e përjeton muajin e mjaltit me të gjitha fuqitë e mëdha perëndimore. Vetëm gjatë pjesës së dytë të këtij viti, Serbia ka arritur tri marrëveshje të rëndësisë strategjike me Gjermaninë, Francën dhe SHBA-të. Me Gjermaninë e nënshkroi marrëveshjen për eksploatimin e litiumit, me ç’rast për vizitë në Serbi ishte edhe kancelari gjerman, Olaf Sholtz. Kjo marrëveshje i siguron Serbisë një partneritet afatgjatë me Gjermaninë, për të cilën litiumi është aset strategjik për industrinë e saj automobilistike dhe industritë e tjera. Me Francën, në një vizitë në Beograd të Presidentit Emmanuel Macron, Serbia nënshkroi marrëveshje për blerjen e dymbëdhjetë aeroplanëve luftarakë “Rafale”, me ç’rast e shndërroi Francën në një partner strategjik të sigurisë.

Kjo marrëveshje, e cila mund të kritikohet nga shumë anë, përveç që i jep Serbisë avantazh kompetitiv të armatimit në Ballkan dhe mund të stimulojë në të ardhmen ndonjë agresion të mundshëm kundër Kosovës a Bosnjë-Hercegovinës, e hap garën e armatimit në Ballkan, sepse vendet e tjera të Ballkanit do ta shohin nevojën e balancimit të kësaj fuqie të Serbisë dhe kjo u leverdis prodhuesve të mëdhenj të armatimit, siç është Franca. Me SHBA-të, Serbia nënshkroi marrëveshje për bashkëpunim strategjik në fushën e energjisë, nga e cila priten investime amerikane në fushën e energjisë në Serbi. Kjo marrëveshje, e cila u nënshkrua në kontekstin e një pranie enorme ruse në fushën e energjisë në Serbi, tregon se Serbia po luan suksesshëm me dy karta, duke e mbajtur partneritetin tradicional me Rusinë, por duke e zhvilluar një cilësi të re të marrëdhënieve me SHBA-të. Me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivan Gjuriç, deklaroi se “vetë fjala ‘strategjik’ flet për faktin se tani jemi një hap më afër një partneriteti strategjik dhe marrëdhënieve strategjike, të mira, cilësore dhe afatgjata me SHBA-të”.

Politika e jashtme e Serbisë po zhvillohet suksesshëm në dy drejtime: atë të ruajtjes së lidhjeve të ngushta miqësore me Rusinë e Kinën, që janë kundërshtarët dhe rivalët kryesorë të SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian, sidomos në kontekstin e luftës në Ukrainë, dhe të përafrimit me shtetet kryesore perëndimore. Në anën tjetër, Kosova qe katër vjet nuk ka fare politikë të jashtme. Presidentja bën aq sa ia lejon roli i saj ceremonial: pjesëmarrja në konferenca ndërkombëtare dhe takime kurtuazie me zyrtarë të huaj. Edhe pse synimet e politikës së jashtme të Kosovës janë shumë më modeste në krahasim me ato të Serbisë, ajo jo vetëm që nuk e ka arritur asnjë synim (nëse ai ekziston gjatë kësaj qeverisjeje), por e vetmja gjë që ka arritur është izolimi në rritje nga bashkësia ndërkombëtare.

Në këto katër vjet nuk është bërë asnjë përpjekje serioze për të pasur njohje të reja. Kosova nuk ka bërë gjë për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare, kurse partneriteti me SHBAtë dhe me Bashkimin Evropian, duke përfshirë edhe shtetet anëtare të saj, janë në krizë të thellë. Ndërsa po hyjmë në vitin e dytë që kur Bashkimi Evropian i ka vendosur sanksione Kosovës, qeveria e saj jo vetëm që nuk ka arritur ta bindë Brukselin zyrtar se i ka bërë veprimet e nevojshme për t’ia hequr sanksionet, por edhe po e rrezikon përjashtimin nga CEFTA (marrëveshja për tregti të lirë e Evropës Qendrore) dhe nga Procesi i Berlinit, nga Gjermania, që është një prej shteteve më mike evropiane të Kosovës.

eteve më mike evropiane të Kosovës. Gjatë këtij viti, Kosova u vetëpërjashtua nga votimi i Komitetit Ministror të Këshillit të Evropës për anëtarësim në këtë organizatë të rëndësishme, që do të mund të quhej si Kombet e Bashkuara të Evropës. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, që u kundërshtua ashpër nga Serbia, përveç që do ta forconte subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, do t’i siguronte asaj një platformë ideale për të komunikuar me vendet evropiane që nuk e kanë njohur Kosovën, kurse qytetarët e Kosovës do të kishin përfitime konkrete, duke iu hapur qasja në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Sipas mediumit prestigjioz “Euractiv”, gjë që e kam thënë në një shkrim të botuar më 10 maj, me titullin “Humbja e momentumit politik”, Kosova e ka humbur momentumin për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Tani, sipas burimeve diplomatike të cituara nga “Euroactiv”, edhe Franca e Italia e kundërshtojnë anëtarësimin në këtë organizatë. Arsyeja përse Franca është bërë kundërshtare e anëtarësimit të Kosovës, thonë burimet diplomatike të “Euractiv”, është një cilësi e re e marrëdhënieve në mes të Francës dhe Serbisë pas ujdisë për shitblerjen e dymbëdhjetë “Rafalëve” francezë në Serbi. Vlen të theksohet se, sipas “Euractiv”, as Zyra e Kryeministrit e as Ministria e Punëve të Jashtme nuk u ishin përgjigjur pyetjeve të parashtruara nga ky medium. Në aspektin ekonomik, kjo qeveri e përzuri një kompani amerikane të kontraktuar për ndërtimin e termocentralit të ri në Kosovë, që do ta hiqte varësinë e saj nga tregjet dubioze të energjisë, që do ta mbante çmimin e energjisë në një nivel të përballueshëm për qytetarët e saj dhe që do të mund ta bënte Kosovën edhe eksportuese të energjisë elektrike. Pra, Kosova e përzuri kompaninë amerikane nga sektori i energjisë, kurse Serbia po i fton amerikanët që të zhvillojnë dhe investojnë në sektorin e energjisë.

A nuk është kjo një ironi e thellë? Për këtë duhet pyetur Kryeministri Kurti dhe përfshirja e politikës në tregtimin e dyshimtë me energji elektrike, në të cilën janë të përfshirë njerëz të afërt me të. SHBA-të kanë qenë dhe janë jetësisht të interesuara për energjinë në rajon, duke përfshirë edhe Kosovën, e cila qe gati t’i humbiste edhe ato 200 milionë dollarë të investimeve amerikane, të dedikuara për fushën e energjisë përmes “Millenium Challenge Corporation”.

Sa u përket investimeve të tjera direkte të jashtme, i vetmi lajm i kohëve të fundit ishte takimi i Kryeministrit Kurti me shefin e industrisë së mbrojtjes të Turqisë, me të cilin bisedoi për mundësinë e prodhimit të municionit në Kosovë. Kjo bisedë për këtë mundësi as që do të duhej të ishte lajm bile. Lajm do të ishte po qe se Turqia e hap ndonjë fabrikë në Kosovë, në të cilën do të punësoheshin njerëz nga Kosova. Mirëpo, investimet e jashtme nuk do të vijnë përderisa nga Kosova shkojnë lajmet për tensionet politike dhe për rrezikun e një lufte të re, për të cilën më së shumti kanë folur Kryeministri Kurti dhe ministrja e Jashtme Gërvalla, si dhe zyrtarë të tjerë të LVV-së. Kush do të investojë në një vend që rrezikohet nga lufta? Kryeministri Kurti nuk ka vizion për politikë të jashtme. Me qasjen e tij ndaj partnerëve ndërkombëtarë, ai e ka futur Kosovën në një ngërç diplomatik, që e rrezikon shtetësinë e saj. Ai nuk po e forcon shtetësinë e Kosovës me veprimet që po bën në veri, sepse efektet e këtyre veprimeve janë të përkohshme. Shtetësia e Kosovës më shumë do të forcohej nëse ajo, për shembull, do të bëhej anëtare e Këshillit të Evropës në maj të këtij viti, një shans i humbur që nuk dihet se a do të kthehet njëlloj siç ka qenë apo jo. Mungesa e politikës së jashtme, përkatësisht politika e konfrontimit me fuqitë e mëdha, e dobëson pozicionin e Kosovës në afat të gjatë dhe pasojat e kësaj politike mund të jenë të pakthyeshme. Mënyra e vetme për të zbutur këto pasoja është një rezultat zgjedhor që nuk ia jep Kurtit fuqinë që ta udhëheqë vendin në mënyrë despotike, sepse nëse vazhdohet me këtë politikë edhe në katër vjetët e ardhshme, atëherë vetëm ndonjë çudi mund ta shpëtojë Kosovën nga vetëshkatërrimi.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura