Antonio Konte nuk tërhiqet kurrë kur bëhet fjalë për polemika dhe duket se ka ndezur një të tillë me deklaratat në distancë kundër një personi që e njeh mirë, Bepe Marotës. Presidenti aktual i Interit ishte ai që e afroi te Juventusi e më pas te zikaltrit, duke ndërtuar dy cikle fitues me këtë trajner. Por tani të dy janë në llogore të kundërta, pasi Konte drejton Napolin dhe kërkon të ulë nga froni kampionët në fuqi të Serisë A.
Një ditë më parë, Marota kishte deklaruar se Napoli është favorit për titullin pasi nuk ishte në Europë dhe mund të përdorte lojtarë më lehtësisht se zikaltrit pa ngarkesën e kompeticioneve ndërkombëtare. Sot, Konte i është përgjigjur flakë për flakë atij.
“Është pak kjo gjëja e Marotës… Drejtori mund të thotë atë që dëshiron. Sigurisht duke e njohur, meqë kam punuar bashkë me të, nuk mendoj se nëse Interi në fund të vitit nuk do të fitojë titullin ai do ta quante një sezon të mirë për zikaltrit. Këtë mund ta them me siguri pasi e njoh shumë mirë.
Pastaj secili duhet të recitojë pjesën e tij, por e përsërit që po flasim për një skuadër që ka dy skuadra e treçerek. Po flasim për një gjë që nuk ekziston dhe po përqendrohen kaq shumë te ne, pa parë ata që mund t’i bezdisin me të vërtetë. E përsërit, jam super i bindur që janë fjalë që i merr era. Dhe nëse nuk do të fitojnë titullin në fund të vitit, nuk do të ishte shumë i lumtur. Shumë persona do të duhej t’i bënin pyetje vetes”, ishte thumbimi i Kontes ndaj Marotës duke ndezur një duel në distancë me drejtuesin e Interit.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al