Nisma për parqet fton për mbështetje

Aug 22, 2024 | 8:00
SHPËRNDAJE

Eva MërtiriEVA MËRTIRI

Një nismë e bukur e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe Drejtorive Rajonale në vartësi të saj: “10 parqe në 10 ditë”. Aksion i rëndësishëm ky për një terren sa më të pastër të parqeve kombëtarë e natyrorë, organizuar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Maleve të Pastra.

Është fjala për dhjetë ditët e fundit të këtij muaji, duke filluar nga dita e sotme. Vizitorët e shumtë, të huaj, numri i të cilëve, deri në fillim të këtij muaji, arriti shifrën gjashtë milionë e gjysmë, por edhe vendës, kanë mbetur me të drejtë të mahnitur nga bukuria e veçantë e këtyre parqeve, krahas bregdetit etj., kudo që i kanë vizituar, nga veriu në jug i vendit tonë. Kemi të drejtë të krenohemi. Por, pa mbetur në këtë të fundit, së bashku me të rritet ndërkohë përgjegjësia për t’i ruajtur dhe mbrojtur me fanatizëm këto parqe, për t’i mbajtur sa më të pastër, si vlera të paçmuara të ekosistemeve tona e trashëgimisë natyrore të Shqipërisë.

Vërtetë i shijojmë pa fund dhe ndiejmë përtëritje kur jemi pranë tyre nga peizazhet, flora dhe fauna e pasur, por kjo të rrit dhe obligimin, dashurinë ndaj tyre, mjedis që e thërret gjithsecilin për t’i mbrojtur dhe mbajtur pastër gjatë dymbëdhjetë muajve të vitit. Ndaj “10 parqe në 10 ditë” (22-31 gusht) nxit sa më lart, duke qenë në të njëjtën kohë apel i nevojshëm për çdo qytetar në promovimin e mëtejshëm të vendit të vetë, për një ekosistem sa më të pastër. Parku Kombëtar i Malit të Dajtit, i Thethit, ai i Luginës së Valbonës, i Korab-Koritnik, i Qafë Shtamës, Shebenikut, Malit të Tomorrit, i Bredhit të Hotovës, Llogarasë, Liqenet e Prespës presin çdo kontribuues në gjirin e tyre.

Këta dhe parqe të tjerë, zonat e mbrojtura në përgjithësi, të cilat sikurse është e njohur, zënë 21 për qind të sipërfaqes së përgjithshme të vendit, flasin konkretisht, me tregues më të lartë, krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Përpjekjet për aderimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, detyrimet që kemi për zbatimin e konventave ndërkombëtare, ku shteti ynë është palë, kanë rritur më tej edhe kujdesin ndaj tyre përmes një menaxhimi dhe monitorimi sa më të mirë, gjë që reflektohet gjatë kësaj periudhe në atraksionin për vizitorët e shumtë, të huaj dhe vendës. Një mbështetje më e madhe e qytetarëve tanë ndaj kësaj nisme do t’i jepte më tepër shëndet asaj, jo vetëm për këto ditë, por për të qenë në vëmendje dhe kujdes të vazhdueshëm, larg punës me hope. Në fund të fundit, është fjala për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit tonë, ku punojmë dhe jetojmë./Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura