Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar mbi lajmin se një adoleshent përfundoi në gjendje të rëndë pasi konsumoi tollombace me oksid-azoti.
Xhixho shkruan se ligji që ndalon futjen dhe përdorimin e këtyre substancave është tashmë një emergjencë, pasi të rinjtë po vuajnë çdo ditë pasojat.
Sipas saj, ndërsa “Ministria e Shëndetësisë ngul këmbë që nuk ka vakum ligjor, çdo ditë të rinjtë vuajnë pasojat e tollumbaceve me azot, duke përfunduar edhe në spital.”
Postimi i plotë i deputetes:
Tollumbacet me azot mbeten rrezik për shëndetin e të rinjve tanë. Konsumimi i këtij gazi të dëmshëm duhet të ndalohet me ligj.
Pak ditë më parë, në Komisionin e Ligjeve ngrita shqetësimin e mungesës së bazës ligjore për të parandaluar helmimin masive që po u shkaktohet adoleshentëve nëpër lokalet e Tiranës, ku kjo lëndë shitet hapur dhe me faturë.
Ndërsa Ministria e Shëndetësisë ngul këmbë që nuk ka vakum ligjor, çdo ditë të rinjtë vuajnë pasojat e tollumbaceve me azot, duke përfunduar edhe në spital.
Një ligj i qartë që e fut këtë lëndë në substancat e ndaluara për konsum, përtej atij mjekësor, është emergjencë.
Është emergjente të veprojmë sot, pasi shëndeti i fëmijëve tanë duhet të jetë prioritet.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al