Një Antologji e nevojshme dhe e dobishme

Nov 7, 2022 | 8:07
SHPËRNDAJE

aleko mingaALEKO MINGA

Kur realizimit të një qëllimi fisnik, të përvijuar nga ndjenja e atdhetarisë së përcjellë nga brezi në brez si një traditë e vyer familjare, i vihesh me përkushtimin e një kërkuesi serioz, por edhe me zellin e këmbënguljen, kalitur në sprova të ngjashme të suksesshme, fryti do të jetë një vepër e arrirë dhe dinjitoze.

Antologjia e përpiluar nga Heral Saraçi është një kontribut me vlerë. Ajo vatërzohet në një veprimtari interesante, në gazetarinë shqiptare dhe përfaqësues të spikatur të saj në vitet 1913-1915, një periudhë kjo e trazuar e historisë sonë, me një problematikë tejet të mprehtë e komplekse. Qëmtimi i produktit kryesor gazetaresk, të shpërndarë në shumë burime, sistemimi i kujdesshëm i tij, pastaj parashtrimi emocional dhe i arsyetuar për lexuesit e interesuar të disa “akordeve madhore” të shtypit të kohës, natyrisht të shqyrtuar nga një këndvështrim vetjak janë kryer, sipas meje, me merakun që antologjia të jetë një tribut respekti dhe nderimi për publicistët që shkruan dhe botuan për të orientuar dhe ndërgjegjësuar bashkatdhetarët e vet në kaosin e atyre viteve të zymta për fatin e kombit.

Por antologjia është edhe një vepër e dobishme në disa plane.

Së pari, ajo shërben si dëshmi e qartë dhe autentike që në shtetin e sapoformuar shqiptar, mendjet më të ndritura të kombit e konsideronin gazetarinë dhe shtypin e lirë si një nga shtyllat kryesore që do të ndihmonte thelbësisht konsolidimin demokratik të shoqërisë shqiptare dhe orientimin e saj drejt synimeve të bazuara në atë sistem vlerash të sublimuara në përpjekjet për liri e progres të pjesës më të qytetëruar të botës. Është mbresëlënës programi manifest i shtypit shqiptar, botuar në një organ të kohës. Ky shtyp duhet të ishte i lirë, sepse liria është vlerë e një shoqërie të qytetëruar; ai duhet t’u dilte zot të drejtave kombëtare, të frymëzohej nga idealet e Rilindjes, por edhe të përçonte idealin evropianist; të ishte vëzhgues kritik për punët e qeverisë, por objektiv në dhënien e informacionit dhe analizat, pa gjymtime dhe deformime nëpër prizmin e interesave të grupeve të veçanta; të ishte faktor zhvillimi nëpërmjet përcjelljes te lexuesit të vizionit të progresit, duke qenë njëherësh nxitës i bashkëveprimit të individëve për të konsoliduar shtetformimin.

Një gazetari me synime të tilla e nderon kombin, të cilit i përket.

Antologjia ofron një material relativisht të pasur për gazetarinë shqiptare në vitet 1913- 1915, prandaj, padyshim, do të jetë me interes për të gjithë ata që merren apo do të merren në të ardhmen me studimin e ecurisë të zhvillimit të saj në rrjedhën e viteve. Në mënyrë të veçantë, sipas mendimit tim mund të shërbejë si një bazë e mirë për punime kursi e miniprojekte studimore për studentët e degës së Gazetarisë, për të nxitur te ta kureshtjen hulumtuese dhe për të ndihmuar njohjen më të thelluar të trashëgimisë dhe të traditave pozitive në profesionin që do t’i përkushtohen.

Së dyti, antologjia vlen si një burim plotësues për të hedhur dritë në një aspekt të historisë sonë në ato vite: si perceptoheshin ngjarjet nga grupe të ndryshme shoqërore. Autorët e artikujve kanë qenë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në to dhe i kanë pasqyruar “ende të nxehta”, duke përcjellë edhe përjetimet e mjediseve shoqërore me të cilat ishin të lidhur. Në shkrime është fiksuar një larmi emocionesh, qëndrimesh, mendimesh, që përbëjnë një spektër të gjerë.

Mjaft artikuj fokusohen tek interesat e shteteve ballkanike, por edhe të fuqive të tjera më të mëdha dhe te lakmia e tyre për të përfituar në këtë situatë të turbullt nga dobësia e natyrshme e një shteti të ri të sapoformuar për të shtënë në dorë apo për të vendosur nën “tutelën” e vet copëza nga trojet shqiptare në këtë zonë gjeostrategjike të Evropës. Me nuhatjen e tyre të hollë, gazetarët shqiptarë janë përpjekur ta shpleksin lëmshin e ngatërruar të intrigave të huaja dhe t’i stigmatizojnë siç e meritojnë, për opinionin e gjerë.

Së treti, antologjia e përpiluar nga Herali, na ofron mundësi të njohim gjendjen e gjuhës sonë në kohën kur gazetaria shqiptare po luante një rol të spikatur në lëvrimin e kultivuar të saj. Nëpërmjet fjalës shqipe ata duhet të pasqyronin një realitet kompleks, të jepnin saktë një variacion idesh, mendimesh, ndjenjash. Ishte një moment kur gjuha shqipe vihej para një sprove aspak të lehtë, të cilën e përballoi me sukses falë edhe kontributit të vyer të gazetarëve, që e vazhduan denjësisht përpjekjen madhore të rilindësve për lartësimin e shqipes si gjuhë kulture, të aftë për të dhënë besnikërisht me pasurinë e leksikut dhe me zhdërvjelltësinë e formave shprehëse të saj edhe nuancat më të holla të mendimit dhe të emocioneve njerëzore. Nuk është rastësi që pikërisht në gjysmën e dytë të dhjetëvjeçarit e dytë të shekullit të njëzetë një dëshmi bindëse të këtij niveli të saj e patëm në përkthimet mjeshtërore të Nolit të kryeveprave të letërsisë botërore. Heral Saraçi, duke sjellë në vëmendje të lexuesve produktin gazetaresk shqiptar të një intervali kohor, që kishte mbetur si një njollë e bardhë, për arsye të ndryshme të cilat i zë në gojë në hyrje, vendos një “taselë” vërtet të nevojshme për ta bërë më të plotë mozaikun e studimeve për një periudhë interesante të historisë sonë.

E mira dhe e përsosura s’kanë fund. Urtësia popullore thotë që rruga e gjatë fillon nga hapi i parë, të cilin e hedh ai që nuk stepet nga vështirësitë e rrugëtimit të lodhshëm. Por kur një pjesë e rrugës është bërë për së mbari, vazhdimi i saj bëhet me i lehtë, jo se do të zhduket lodhja e mundimet, por duket më i arritshëm qëllimi. Këtë punë të bukur, besoj, Herali ka frymëzimin, optimizmin, vullnetin për ta vazhduar, ashtu siç ka dëshirën që edhe të tjerë, ndoshta të nxitur nga leximi i kësaj antologjie, të thellojnë më tej gjurmimet në këtë fushë.

Herali meriton përgëzimet më të përzemërta, sepse, megjithëse jashtë strukturave të organizuara shkencore, me kureshtjen e gjallë të një kërkuesi të mirëfilltë, mendjen dhe energjinë e vet ia ka kushtuar me pasion një pune të tillë.

Dhe kur ajo sjell gratë për kombin dhe historinë e tij, duhet të ndihet i shpërblyer.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura