Fushata presidenciale e këtij viti, e cila është shoqëruar me një gjyq penal të një kandidati për president, largimin e Presidentit në detyrë nga gara nën trysninë e partisë së tij dhe dy tentativa për vrasje, ka hyrë në momentet përfundimtare me aktivitete intensive në një numër të vogël shtetesh kyçe një ditë para zgjedhjeve.
Nënpresidentja Kamala Harris po bën fushatë në Pensilvani, që me 19 votat elektorale është një nga shtetet e pavendosura më të rëndësishme në betejën për të fituar Kolegjin Zgjedhor. Kandidatja demokrate për presidente do të vizitojë zonat e klasës punëtore, duke përfshirë qytetin e Allentaunit, dhe do të përfundojë fushatën me një tubim elektoral natën vonë në Filadelfia, ku do të jenë të pranishme edhe këngëtarja Lady Gaga dhe personaliteti i njohur televiziv Oprah Winfrey.
Donald Trump e nisi ditën e hënë me katër takime elektorale në tre shtete duke përfshirë qytetin Rajlli në Karolinën e Veriut, ku ai tha: “Në Karolinën e Veriut gjithmonë kam fituar”.
Ish-Presidenti Trump foli për politikat e tij të ashpra të imigracionit dhe u përqëndrua në disa nga kritikat e tij të zakonshme ndaj rivalëve demokratë. Ai gjithashtu dukej se i referohej videos që gati fundosi fushatën e tij të vitit 2016, ndërsa shprehu habinë për dy krahët gjigantë mekanikë që kapën raketën e ripërdorshme të Elon Muskut, “sikur të kapësh fëmijën tënd të bukur”.
“Shikoni, unë jam përmirësuar shumë. Vite më parë, do të kisha thënë diçka tjetër. Por unë kam mësuar”, tha zoti Trump, duke shkaktuar të qeshura nga turma. “Do të kisha qenë pak më i rrezikshëm.”
Në javët e fundit të fushatës së vitit 2016 u publikuan disa kaseta të emisionit “Access Hollywood”, në të cilën zoti Trump mburrej për kapjen e grave nga organet e tyre gjenitale.
Ish-Presidenti Trump do të bëj fushatë në qytetet Reding dhe Pitsburg në Pensilvani, në të cilat po bën fushatë edhe demokratja Kamala Harris. Kandidati republikan për president do ta mbyllë fushatën e tij ashtu siç i mbylli dy të parat, me një tubim natën vonë në Grand Rapids të Miçiganit.
Rreth 77 milionë amerikanë tashmë kanë votuar herët. Rezultati i zgjedhjeve do të jetë historik, pavarësisht se kush fiton.
Një fitore e ish-Presidentit Trump do ta bënte atë presidentin e parë të shpallur fajëtor për një krim. Një juri në Nju Jork e shpalli atë fajëtor për pagesat për një aktore të filmave pornografikë në këmbim të heshtjes mbi një marrëdhënie intime, që ajo e ka patur me zotin Trump. Nëse i fiton zgjedhjet, ai do të mund të përdorë komptencat e Presidentit të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund hetimeve të tjera federale ndaj tij. Zoti Trump do të bëhej gjithashtu presidenti i dytë në histori që fiton mandate jo të njëpasnjëshme në Shtëpinë e Bardhë, pas ish-Presidentit Grover Cleveland, e cili e realizoi këtë në fund të shekullit të 19-të.
Nëse fiton, zonja Harris do të hynte në histori, duke u bërë gruaja e parë presidente dhe zezakja e parë dhe gruaja e parë me origjinë aziatike në këtë post. Katër vjet më parë ajo hyri në histori, duke u bërë gruaja e parë amerikane në postin e nënpresidentes.
Nënpresidenjta Harris u bë kandidate e demokratëve për presidente pas paraqitjes katastrofike të zotit Biden në një debat me zotin Trump në qershor, që nxiti një lëvizje për largimin e tij nga gara.
Ish-Presidenti Trump i mbijetoi me milimetra plumbit të një atentatori në një tubim elektoral në Batllër të Pensilvanisë. Reagimi i shpejt i shërbimit sekret pengoi një atentat të dytë ndaj tij në shtator, kur një person i armatosur ishte fshehur në shkurret e pronës së tij në Flordia, ku ai po luante golf.
60 vjeçarja Kamala Harris ka minimizuar natyrën historike të kandidaturës së saj, e cila u bë e mundur pasi presidenti 81-vjeçar u tërhoq nga gara për një mandat të dytë mes kritikave në rritje nga rivali i tij 78 vjeçar mbi moshën dhe aftësitë e tij mendore.
Në vend të kësaj, Nënpresidentja Harris e ka paraqitur veten si një kandidate që ofron ndryshim në nivel brezash dhe ka theksuar mbështetjen e saj për të drejtat e abortit pas vendimit të Gjykatës së Lartë të vitit 2022, që i dha fund të drejtës kushtetuese për abort. Zonja Harris gjithashtu e ka kritikuar vazhdimisht zotin Trump për rolin e tij në sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol.
Duke mbledhur një koalicion të larmishëm politikë të përbërë nga progresistë si ligjvënësja Aleksandria Ocasio-Cortez dhe konservatorë si ish-nënpresidenti republikan Dick Cheney, zonja Harris e ka quajtur zotin Trump një kërcënim për demokracinë dhe në fund të fushatës madje u është bashkuar disa ish-ndihmësve të zotit Trump, të cilët e kanë quajtur atë “fashist.”
Ditët e fundit zonja Harris nuk e ka përmendur shpesh rivalin e saj republikan Donald Trump. Ajo ka premtuar se do të përqëndrohet në zgjidhjen e problemeve dhe gjetjen e konsensusit, me një ton pothuajse ekskluzivisht optimist që të kujton ditët e hapjes së fushatës së saj, kur ajo përqafoi “politikën e gëzimit” dhe temën e fushatës së saj “Liria”.
Në Allentaun, ku jetojnë dhjetëra mijëra portorikanë, zonja Harris do të zhvillojë një tubim elektoral me këngëtarin e muzikës “Rap” Fat Joe përpara se të vizitojë një restorant portorikan në Reading me ligjvënësen Ocasio-Cortez. Fat Joe, emri i vërtetë i të cilit është Joseph Cartagena dhe Ocasio-Cortez janë me origjinë portorikane. Ndalesat në këto qytete pasojnë komentet e një komediani në një tubime fushate të zotit Trump, në të cilat sugjerohej se Portoriko ishte një “ishull plehrash”.
Ish-Presidenti Trump, duke rinovuar sloganet e tij “Ta bëjmë Amerikën sërish të Madhe” dhe “Amerika e Para”, e ka bërë imigracionin dhe kritikat e forta ndaj punës së zonjës Harris dhe zotit Biden në katër vitet e fundit tema kryesore të fushatës së tij presidenciale. Ai ka kritikuar demokratët për ekonominë e dobët dhe inflacionin e lartë dhe është zotuar të udhëheqë vendin drejt një “epokë të artë” ekonomike. Ai ka premtuar se do t’i japë fund konflikteve ndërkombëtare dhe do të mbyllë kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara.
Por zoti Trump gjithashtu është rikthyer shpesh tek ankesat për gjyqet, në të cilat ai akuzohet për përpjekje për të përmbysur fitoren e zotit Biden dhe vazhdimisht e ka denigruar Amerikën, duke e quajtur “vend të dështuar”.
Të dielën, ai përsëriti pretendimet e tij të rreme se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 ishin manipuluar dhe tha se ai “nuk duhej të largohej” nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021, duke lënë në hije argumentin e tij përmbyllës “Kamala e shkatërroi. Unë do ta rregullojë.”
Rezultati në 7 shtetet e pavendosura do të jetë përcaktues në shpalljen e fituesit të zgjedhjeve. Zoti Trump fitoi Pensilvaninë, Miçiganin dhe Uiskonsinin në vitin 2016, por i humbi ato në garën ndaj zotit Biden në vitin 2020. Karolina e Veriut, Xhorxhia, Arizona dhe Nevada janë shtetet e tjera vendimtare në zgjedhjet e 5 nëntorit. Zoti Trump fitoi dy herë në Karolinën e Veriut dhe humbi dy herë në Nevada. Ai fitoi në Arizona dhe Xhorxhia në vitin 2016, por i humbi ato në zgjedhjet e vitit 2020./voa
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al