Një grua e mbajnë në krahë, ndërsa një tjetër në çarçaf, momenti kur “Shqiponjat” shpëtojnë të moshuarit nga azili i përfshirë nga flakët

Oct 5, 2024 | 10:50
SHPËRNDAJE

Dalin pamjet nga momenti i shpëtimit të katër të moshuarve në azilin privat në Tiranë që u përfshi nga flakët.

Në pamje shihet momenti kur një efektiv mban një grua në krahë teksa zbret nga shkallët, ndërsa policët e tjerë shpëtojnë një të moshuar duke e mbajtur me çarçarf.

Të moshuarit raportohet se kishin mbetur të bllokuar brenda azilit në rrugën “Ali Visha” dhe u shkuan në ndihmë shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe ato të Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”.

Në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse kanë evakuuar banorët dhe kanë bërë të mundur fikjen e flakëve.

Në spital janë dërguar për ndihmë mjekësore 4 të moshuar, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

 

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe ato të Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në ndihmë të moshuarve të një azili, të cilët kishin mbetur të bllokuar, pasi kishte rënë zjarr.

Më datë 05.10.2024, rreth orës 00:15, Policia ka marrë njoftim se në një azil në rrugën “Ali Visha”, kishte rënë zjarr dhe të moshuarit që akomodohen në ambientet e azilit, kishin mbetur të bllokuar.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, bashkë me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë dhe në bashkëpunim me shërbimin zjarrfikës, kanë evakuuar banorët dhe kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit.

Janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore 4 të moshuar, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe veprimet e para hetimore dyshohet se zjarri ka rënë aksidentalisht”, njoftimi i policisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura