Një javë te ‘313’, Ilir Meta zhvillon takimin e parë me familjen e tij! Ja kush e vizitoi në qeli

Oct 28, 2024 | 15:26
SHPËRNDAJE

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i ndodhur prej një jave në qeli për akuzat korrupsion, pastrim parash dhe mos deklarim të pasurisë , ka zhvilluar sot takimin e tij të parë me familjen.

ilir meta arrestim

Gazetarja Klodiana Lala bën me dije se Metën e vizituan sot në qeli djali, vajza e tij dhe motra, pasi SPAK dha leje që ish-presidenti i Republikës të vizitohet në burg nga të afërmit.

Gjatë ditëve të pata te 313-a  Meta ishte vizituar në burg vetëm nga avokati i tij, Genc Gjokutaj.

Kreu i Partisë së Lirisë u arrestua një javë më parë për akuzat korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Për të njëjtat vepra penale akuzohet dhe Kryemadhi.

Ish-presidenti Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë në opozitë, akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për tre çështje korrupsioni; për dosjen e njohur si CEZ-DIA, për përfitimin e vlerave monetare në këmbim të influencës së ushtruar në favor të një kompanie telekomunikacioni si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive me një biznesmen që SPAK e identifikon me inicialet S.M, në emër të të cilit është marrë përsipër ndryshimi i një ligji në Kuvendin e Shqipërisë.

Meta akuzohet gjithashtu për kontratat e konsulencës dhe lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastrimin e produkteve në blerjen e një shtëpie në Tiranë si dhe mosdeklarimin e shpenzimeve mjekësore për periudhën 2013-2019.

Sipas SPAK, akuza të ngjashme ka edhe deputetja Monika Kryemadhi, njëherazi bashkëshorte dhe bashkëpunëtore për dekada e Metës, të cilët ndodhen tashmë në një proces divorci.

Ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho akuzohet për korrupsionit pasiv, ndërsa Ema Çoku- një financuese e LSI ndodhet në masën e detyrimit për paraqitje para oficerëve të policisë gjyqësore për akuzën e pastrimit të parave.

Meta dhe Kryemadhi i mohojnë akuzat dhe e konsiderojnë hetimin kundër tyre si të motivuar politikisht për të sulmuar opozitën në Shqipëri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura