“Një jetë në shërbim të njerëzve”, modeli i shkrimit të një monografie letrare! Cili është Dr. Sali Kurti, ”Nderi” i Klubit Letrar

Oct 2, 2024 | 12:07
SHPËRNDAJE

HALIL RAMA/ Pjesëmarrja në Festivalin e 8-të Kombëtar të Poezisë “Muza Budiane” që u mbajt në qytetin e Burrelit para ca kohësh dhe vlerësimi me titullin “Anëtar Nderi” i Klubit Letrar “Pjetër Budi”, janë një tjetër ngjarje e shënuar në jetën e Dr. Sali Kurtit.

Sali Kurti

Pasi ka marrë titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” nga ish-Presidenti i Republikës Bujar Nishani, me dekret Nr.10320, datë 18.05.2017, si dhe titujt “Qytetar Nderi” i Bashkisë Mat; “Mirënjohja” e Këshillit të Qarkut Dibër; “Ambasador i Paqes” nga Federata e Paqes Universale dhe “Njeriu i vitit 2024” i kësaj Federate, titulli “Anëtar Nderi” i Klubit Letrar “Pjetër Budi”, është një tjetër vlerësim i merituar që i shtohet gjerdanit të artë këtij personaliteti me rrezatim mbarëkombëtar. Dhe kjo, jo rastësisht, por në vlerësim të librit të tij ”Një jetë në shërbim të njerëzve”, si modeli i shkrimit të një monografie letrare.

PËRMBAJTJE E PASUR LËNDORE ME TEMATIKË MJAFT TË LARMISHME

Njëzetë e tre artikujt e këtij libri me 294 faqe, janë vërtetë një përmbajtje e pasur lëndore me një tematike mjaft të larmishme. Duke dëshmuar për jetën, autori i këtij libri nxjerr nga pluhuri i harresës, momente, histori jetësore, detaje, njerëz, ngjarje, vende e hapësira, të cilat së bashku shpalosin botën tonë të brendshme dhe të jashtme. Mjafton për këtë qoftë dhe ky perifrazim nga fragmenti “Nën hijen e lisit me qiellin plot ëndrra mbi krye”: “Gjatë verës flinim në oborrin e shtëpisë, poshtë një peme lisi shumëvjeçar. Atje shtronim një dyshek prej byku dhe kalonim natën me biseda e shaka me njëri-tjetrin. Harmonia e madhe që kishim, na bënte t’i harronim rrethanat në të cilat jetonim… (fq.105). Është ky, një rrëfim i çiltër i fëmijërisë së një personazhi që përmes vështirësish të shumta do të ecte i sigurtë në jetë, nga bankat e shkollës, në auditoret e universitetit e deri në drejtimin e institucioneve të rëndësishme të Matit. Brenda këtyre pak radhëve dallojmë stilin e një shkrimtari me frazë të zgjedhur e gjuhë të pasur, duke e bërë kështu mjaftë tërheqës librin e tij. Në “fronin e shkrimit”, Dr.Sali Kurti ka arritur kësisoj ta skalitë fjalën e shkruar dhe ta vendosë atë në piedestalin e afirmimit të vlerave ideoartistike, si shkrues, ndër më të mirët të një monografie letrare. E ndeshim këtë sidomos në artikujt me titujt: “Nga fshati në fshat në kërkim të dijes”, “Ëndrrat filluan të jetësohen”, “Jetëgjati nuk bëhet jetëshkurtër”, “Krijimi i strehëzës familjare”, “Pasioni për tetarin dhe të bukurën në përgjithësi” etj.

Brendia e këtyre artikujve përshkohet me pasqyrimin e mendimit e të vlerave krijuese, për çfarë dëshmon edhe thënia latine “Fjala ikën, e shkrimi mbetet”. Këtë domosdoshmëri autori e ka spikatur në fillim të librit, si moto filozofike dhe këshillë për ata që pretendojnë krijimtari të kësaj lëmie, duke na lënë si testament fjale se: “Harresa, për këdo është shpërblimi më vrastar për mundin e kaq shumë viteve dhe sakrificat e sfidat e përditshme, të cilat ikin e vijnë në valët e jetës sonë”.

Këtë mesazh thelbësor dhe intelektual, Dr.Sali Kurti e përcjell te lexuesi si dritërrëfim për të afirmuar të bukurën, punën dhe vlerat krijuese në përgjithësi. Madje, duket se pikërisht në këtë optikë, e ka vlerësuar atë edhe ish-Presidenti Nishani në fjalën e tij me rastin e dekorimit me titullin “Mjeshtër i Madh”, kur ndër të tjera është shprehur se: “Për fatin e mirë, kemi shumë personalitete si Dr.Sali Kurti, që me pasion, dëshirë, bindje, parime, dinjitet dhe integritet kanë ndërtuar jo vetëm rrugëtimin e udhën e tyre, jo vetëm emrin e tyre, por edhe arritjet e kontributet e gjithë Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve”. Këtë dimension e dallojmë fare qartë në këtë vepër të dr. Sali Kurtit, ku shpalosen ngjarje e fakte historike dhe personalitete krijuese të rrethit të Matit.

Parë nga ky këndvështrim, edhe Drejtuesit e Klubit Letrar “Pjetër Budi”, duke e bërë “Anëtar Nderi” të këtij klubi letrar ndër më të njohurit në rang kombëtar, (ashtu si Presidenti Nishani) kanë vlerësuar, jo vetëm pasionin dhe profesionin, jo vetëm dimensionin e qytetarit e të akademikut, por në tërësi veprën krijuese të doktor Sali Kurtit, idetë dhe kontributet tij. Në librin e tij “Një jetë në shërbim të njerëzve” është evidente fuqia e mendjes, imagjinata, por edhe fuqia e ndjenjave, si dashuria e gëzimi (te ”Krijimi i strehëzës familjare” e “Bekimi si ‘prind’ dhe magjia si ‘ gjysh”), por edhe dhembja e pikëllimi (tek artikulli “Humbja e babait dhe të qenët shtylla e një familjeje të madhe”), si faktorë të krijimit të vlerave.

LIBRI I JETËS

“Një jetë në shërbim të njerëzve” është libri që Sali Kurti ua dedikon familjes, paraardhësve të tij dhe brezave që do të vijnë. Libri i botuar para pesë vitesh nga “Luis Print”, me redaktore prof. as. Jolanda Lila, është modeli i shkrimit të një monografie jetësore. Kjo për faktin se në 294 faqet e tij gjejmë detaje për vitet e vështira të fëmijërisë, pemën gjenealogjike, jetën konviktore dhe studentore në Politeknikumin Mjekësor e Universitetin e Mjekësisë të Tiranës, krijimin e strehëzës familjare, punën si drejtor i Shërbimit Stomatologjik të rrethit të Matit, pasionin për teatrin dhe të bukurën në përgjithësi, bekimin si “prind” dhe magjinë si “gjysh”, etj., Prof. dr. Sali Kurti nuk nguron të shkruaj në këtë libër se si nga një ish – bari dhish, kur sapo kishte mbaruar filloren dhe e kishte të pamundur të vazhdonte shtatëvjeçaren, do të ngjiste shkallët e dijes duke rendur nga fshati në fshat e deri në qytetin e Burrelit, dhe se kur pikërisht, kur priste emërimin si ndihmësmjek për të ndihmuar familjen e shumëvuajtur, do t’i vinte fletëthirrja për ushtar.

Por, asnjëherë nuk u dekurajua. Nga leximi i këtij libri, lexuesi krijon bindjen se arritjet në jetë, në çfarëdolloj fushe, janë kombinim i rrethanave të jashtme të mjegullta me dhunti njerëzore të mbinatyrshme. Më së miri këtë e dëshmon suksesi i tij që është shumatore e një kalvari të gjatë, e një rruge të vështirë e të mundimshme, të përcaktuar nga natyra dhe përkushtimi i tij. Është pikërisht ky përkushtim, që bariu dhe më pas nxënësi i dikurshëm, që darkat e gjenin të lodhur fizikisht, por gjithnjë të përkulur mbi fletore nën dritën e zbehtë të kandilit, duke bërë detyrat e shkollës për të qenë gati për të nesërmen, ka arritur sot deri krijues dhe administrator mjaft i suksesshëm i klinikës “Mat Dental”, ndër më të preferuarat për pacientët e kryeqytetit.

“Profesioni i stomatologut është një profesion delikat dhe kërkon kohën e vetë për t’u bërë i besuar. Ardhja në Tiranë, për mua ishte si të nisja ditën e parë të punës, pasi po vija në një mjedis ku nuk më njihte askush, së paku ashtu mendoja në atë kohë (15 maj 1998). Por shumë shpejt, me mirësjellje dhe me punë cilësore profesionale, pacientët u vendosën në radhë. Në radhët e tyre fillova të shoh shumë matjanë, të cilët i kisha njohur më parë.

Shumica prej tyre vinin enkas nga Burreli në Tiranë për të marrë shërbimin stomatologjik. Unë mendova se i kisha braktisur me largimin tim në Tiranë, por, në fakt, jeta më tregoi se ata nuk mund të më braktisnin mua, edhe pse klinikat stomatologjike nuk mungonin në Burrel…Shumica e tyre kur vinin më shprehnin mirënjohjen e thellë për cilësinë e shërbimit të kryer 30 apo 40 vjet më parë, për mbushje dhëmballe që i kishin rezistuar dekadave, e për shumë procese të tjera, të cilat i bënin ata që të udhëtonin e sakrifikonin për të marrë shërbimin përmes duarve të mia”, shkruan ndër të tjera prof. Sali Kurti në librin e tij “Një jetë në shërbim të njerëzve”(fq.239-240). Dhe vërtetë, nuk mund të ketë kënaqësi e sadisfaksion më të madh se ky, pasi besnikëria e këtyre pacientëve e ka bërë prof. dr. Sali Kurtin ta shohë qenien njerëzore, gjithnjë si të dëlirë dhe pozitive. dhe ta përjetësojë atë në procesin e tij krijues, mjaftë produktiv dhe cilësor.

Ndaj dhe ish-Presidenti i Republikës SH.T.Z. Bujar Nishani, në fjalën e tij me rastin e dekorimit me titullin “Mjeshtër i Madh”, ndër të tjera është shprehur se: “Doktor Sali Kurti ia ka kushtuar jetën profesionit të mjekut, një profesion ky i nderuar, por edhe i vështirë. Me një karrierë të gjatë, gati prej 5 dekadash, ai është kthyer në shembullin e njeriut të punës, duke dalluar për përkushtimin, mirësinë, humanizmin dhe shpirtin e tij krijues”.

Është pikërisht ky vlerësimi i kreut të shtetit shqiptar, në mjediset e Presidencës, në prani të shumë personaliteteve shtetërore, politike e shoqërore, me rastin e akordimit të titullit të lartë “Mjeshtër i Madh”, prof. dr. Sali Kurtit, me motivacionin: “Për kontributin shumëvjeçar në fushën e stomatologjisë, dhënë me ndërgjegje, përkushtim e profesionalizëm të lartë në ndihmë të popullsisë së rrethit të Matit, si dhe në vlerësim të punës së tij në drejtim të përsosjes së shërbimit mjekësor dentar”.

Pikërisht për këto merita dhe veçanërisht për shpirtin human, vlerat njerëzore dhe intelektuale e krijuese që mishëron dhe përçon tek publiku i gjerë edhe nëpërmjet librit të tij “Një jetë në shërbim të njerëzve”, Ai e meriton plotësisht edhe titullin “Anëtar Nderi” i Klubit Letrar “Pjetër Budi”. Ndaj dhe ndjehet më krenar se kurrë si përfaqësues dinjitoz i elitës matjane, si një nga bijtë e Matit me histori të lashtë, djep i kulturës dhe artit kombëtar. Të Matit, ku që nga Pjetër Budi e brez pas brezi, fjala poetike matjane nuk ka shterur kurrë. Dr.Sali Kurti ka të drejtë të krenohet. Tashmë edhe si “Anëtar Nderi” i Klubit Letrar që mban emrin e të Madhit të letrave shqipe, Pjetër Budi, nga Guri i Bardhë i Klosit të rrethit të Matit, në faqen zyrtare të cilit, me të drejtë vlerësohet si poeti dhe prozatori i parë i letërsisë sonë, autor i katër veprave fetare në gjuhën shqipe, organizator dhe udhëheqës i masave popullore në luftën për çlirim nga zgjedha osmane, përkthyes dhe krijues origjinal në fushën e letrave shqipe, për të mbrojtur identitetin etnik e kulturor të popullit tonë.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura