Nga Gjergj Angoni
Vëllai ynë, Pirro Angoni, lindi më 16 prill të vitit 1942, në fshatin Progër të krahinës së Devollit, ku asokohe babai, Fahredin Myrteza Angoni, ishte emëruar si Krye-Mësues. Nisur nga kjo, fëmijërinë ai e kaloi për dy vjet në Progër dhe më pas bashkë me familjen, u shpërngulën përfundimisht në qytetin e Korçës. Në moshën katër vjeçare, Pirro mbeti jetim, pasi babanë na e pushkatuan komunistët me urdhër dhe interesim direkt të diktatorit Enver Hoxha, të cilin babai e kishte pasur bashkë qytetar në qytetin e Gjirokastrës, prej nga është origjina e familjes sonë dhe gjithashtu edhe shok shkolle në Liceun Francez, në qytetin e Korçs, ku për më shumë se një vit, Enveri ka jetuar me qera në shtëpinë e gjyshit tonë nga mamaja, Praksithe Shahini.
Pushkatimin e babajt, si dhe e gjithë familja jonë, Pirrua e ndjeu shumë, sepse mbas kësaj, ai vazhdoi që të ritej pa kujdesin dhe ledhatimet e tij, pa historitë dhe tregimet që i tregonte ai, sa herë që e vinte në gjumë. Nuk mbeti ditë, dimër dhe verë, që në orët kur babai, Fahredini, vinte nga puna për në shtëpi, që Pirroja të mos dilte tek dera dhe të ulej në sofatin e shtëpisë, për ta pritur atë! Këtë zakon e vazhdoi për shumë kohë dhe mbas pushkatimit të babait! Një ditë ku ishte shumë ftohtë, Jovanica, një fqinja e jonë, e shikoi Pirron të ulur në sofatin e akullut dhe nga dhimbja që ndjeu për të, e qortoi:
-“Po hyrë brenda mor bir, se je bërë kallkan nga të ftohtët, hyrë brenda”.
-“Jo’ i thonte Pirrua, ‘nuk hyj se po pres babanë që të vijë nga puna…”, dhe Jovanicës i’u mbushën sytë me lot e për të mos e dhënë veten para Pirros së vogël që priste babanë, i cili nuk u kthye më kurrë, u fut menjëherë brenda e ngashëryer! Pra, kaqë shumë e ndjente Pirrua mungesën e të atit. Kur u rrit dhe ca, Pirro shkoi në shkollën fillore dhe 7-vjeçare, e më pas u regjistrua në të mesmen, tek Shkolla ‘Pedagogjike’, të cilën e kreu në Korçë. Mbas mbarimit të Shkollës së mesme, ku doli me rezultate të larta, ai u emërua arsimtar në fshatin Vërzhezhë, të rrethit të Skraparit, ku punoi me përkushtim për disa vite, duke dhënë lëndë të ndryshme.
Në atë rreth, përveç kontributit që dha në edukimin e brezit të ri me profesionin e nderuar të arsimtarit, Pirro gjithashtu morri pjesë në të gjitha aktivitetet artistike dhe sportive të rrethit të Skraparit, ku veçanërisht ai kontriboj në ekipin e futbollit, që asokhe quhej “5 Shtatori”. Pasi shërbeu për disa vjet aty, nga Skrapari u transferua në rrethin e Pogradecit, në zonën malore të Mokrës, në fshatin Slabinjë. Në vitin 1976, atë si dhe motrën tonë, po arsimtare gjithashtu, i përjashtuan nga radhët e arsimit, me motivacionin: “të padëshërueshëm për edukimin e brezit të ri”, gjë e cila erdhi si pasojë e acarimit të luftës famëkeqe të klasave.
Nisur nga fakti se Pirro nuk e kishte kryer akoma shërbimin e detyrueshëm ushtarak, ne si familje menduam që pas pushimit nga puna në arsim edhe pse ai ishte në një moshë relativisht të madhe, ai të bënte ushtrinë dhe pastaj kur të lirohej, me mëndje të fjetur, të përpiqeshim t’i gjenim një punë, siç bëmë me motrën tonë, (Lirika), e cila filloj punë si puntore krahu në punishten e Qilimave këtu në Korçë.
Në atë kohë, dajoja jonë, ishte i organizuar, (siç quheshin ndryshe antarët e Partisë Punë së Shqipërisë) dhe punonte si llogaritar, në një repart ushtarak dhe si i tillë, kishte shokë e miq në ushtri dhe nisur nga kjo gjë, ai u interesua që ta rregullonin nipin e tij, Pirron, në ndonjë repart ushtarak të mirë dhe sa më afër qytetit të Korçës.
Shokët e dajos në Degën Ushtarake, duke e ditur se ishte nipi i tij, por pa e ditur biografinë e familjes sonë, (që kishim babanë të pushkatuar nga Partia), e dërguan Pirron në një repart tre vjeçar, te ‘Lokatorët’ i cili nodhej te Kodra e Zogut në qytetin e Durrësit. Ai repart ishte mjaft ‘komod’, sidomos për një ushtar që vinte nga Korça dhe ishte pranë detit e brenda në qytet, por gjithashtu ai ishte një vend delikat, pasi aty kërkoheshin në radhë të parë, “garancitë politike”.
Vetëm mbas dy muajsh, një nga shokët e tij, që bënte ushtrinë bashkë me Pirron, e kallzoi në komandë për punën e biografisë, e pas kësaj, nuk vonoi shumë, e Pirron e hoqën nga ai repart dhe e dërguan si “ushtar i deklasuar”, në një repart pune. Ky veprim ishte mjaft i rëndë, jo vetëm për Pirron, por gjithashtu dhe për ne, por nuk kishim se ç’të bënim, ky ishte fati ynë! Ne kishim “të ligun brenda” dhe mbi të gjitha, kishim të bënim me luftën famëkeqe të klasave, që na rinte ‘çekan’ mbi kokë, në çdo hap të jetës tonë.
Mbas dy vjetësh, kur ushtarët e grupit të Pirros do të liroheshin, atij i thanë se duhet të rrinte dhe një vit tjetër, me pretekstin se, kur e patën mobilizuar, e kishin dërguar në një repart tre vjeçar. Situata për Pirron u rëndua dhe e mërziti shumë. Ç’do njeri që e ka bërë ushtrinë, veçanërisht në kushte të vështira, sikurse ishin repartet e punës, e kupton fare mirë situatën në të cilën është gjendur Pirro asokohe, kur priste lirimin dita – ditës, t’i thuhej se: do të rrish dhe një vit tjetër ushtar! Kjo ishte e tmershme!
Nisur nga kjo situatë, mbas një telegrami drejtuar Ministrit të Mbrojtjes të asaj kohe, Beqir Ballukut, ku ne ja shpejguam qartë situatën, mbas një muaj Pirron e liruan.
Mbas lirimit nga ushtria, jo vetëm që Pirro nuk mundi të kthehej më në arsim, por megjithë përpjekjet tona si familje dhe të afërmëve tanë, ai mezi siguroi një fletë-pune, për të punuar si punëtor krahu, në Ndërmarrjen Shtetërore të Ndërtimeve, në rrethin e Korçës. Pas, kësaj, me ndërmjetësimin e një miku, u ai fut si nxënës në grupin e hidraulikëve dhe gjithashtu vazhdoj shkollën e mesme natën, pa shkëputje (dega Mekanike), dhe mbas katër vjetësh, që ndërkohë punonte si hidraulik, si punë diplome, mbrojti temën ‘Ngrohja e qytetit, me energji të përfituar nga T.E.C-i’.
Këtë temë që Pirro e mbrojti shkëlqyshëm në një komisjon të ngritur apostafat për problemin e ngrohjes të qytetit, duke çfrytëzuar energjinë e T.E.C-it dhe fitoi titullin “Mjeshtër” në profesionin e hidraulikut dhe vazhdoi që të punojë në ndërmarrje dhe vepra të ndryshme të “pesë-vjeçarve”. Kështu, në punimet për ndërtimin e ujësjellësit në zonën e Pojanit, për të shpëtuar shokët dhe disa punonjës të zonës, ai rrezikoi veten e tij, duke u djegur në shkallën e tretë, për të cilën mjekët nuk i dhanë shpresa! Por, falë profesionalizmit dhe humanizmit të një infermieri, të repartit të djegies, i cili e kuroi për disa muaj, i shpëtoi jetën. Ndërkaq, edhe pse Pirro u dogj dhe rrezikoi jetën, për të shpëtuar shokët e punës, nga ana e shtetit apo e ndërmarrjes ku ai punonte, nuk u tregua asnjë interesim, asnjë kujdes dhe asnjë shpërblim apo falenderim, për aktin e tij që që shpëtoi jetën e aq njerëzve!
Pas shëmbjes së regjimit komunist, në fillimin e viteve ’90-të, Pirro dhe të gjithë ne si familje u angazhuam në proceset demokratike, por ai veçanërisht dha një kontribut të madh në rrëzimin e komunizmit (të parrëzuar akoma) dhe fitores të demokracisë në Shqipëri, duke u bërë një shembull i vlerësueshëm, si nga ana e Shoqatës së Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë të Shqipërisë (dega e Korçës), por edhe nga ana e strukturat e ndryshme përkatëse partiake e shtetërore në Tiranë.
Nisur edhe nga ky kontribut i tij, mbas ndryshimeve demokratike, ai shërbeu në Ndërmarrjen e Pastrim Gjelbërimit në qytetin e Korçës, (në pozicionin e përgjegjësit të atij sektori) duke dhënë një kontribut në zbukurimin e qytetit. Si rezultat, ai u vlerësua nga qytetarët korçarë dhe përveç të tjerave, edhe për ndërtimin e dy shatërvanëve të mëdhenj në sheshin qendror të qytetit.
Më pas, Pirro shërbeu si inspektor në Shkollën Profesionale të Qarkut të Korçës, në degën e Hidraulikës ku dhe dolli në pension. Vëllai ynë, Pirro, ndërroj jetë më 22 korrik 2021, nga një sëmundje e rëndë dhe e pa shërueshme, duke lënë pas bashkëshorten, dy fëmijë, (vajzën dhe djalin), si dhe katër nipa.
Përveç këtyre, Pirrua shkoi i qetë në atë botë, sepse, bashkë me ne anëtarët e tjerë të familjes, në fillimin e viteve ’90-të, pas një kalvari të madh dhe peripecive të shumta, bëmë të mundur gjetjen e eshtrave e babait të tonë të dashur, Fahredin Myrteza Angonit, për të cilën ai (Pirro), pati një rol jo të vogël. /Memorie.al
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al