Një pasardhës i Kaligulës?

Feb 14, 2021 | 12:08
SHPËRNDAJE

Edmond Tupja

Edmond-Tupja-1

E kush nuk ka dëgjuar të flitet për Kaligulën, perandorin e tretë romak, që sundoi nga viti 37 deri në vitin 41! Siç na mëson zoti Internet, në fillim qeverisja e tij qe premtuese dhe, rrjedhimisht, ai gëzoi një popullaritet të madh tek romakët, tamam si Edi Rama kur erdhi në pushtet para tetë vjetësh duke ngjallur shpresa të mëdha tek jo pak shqiptarë.

Me gjasë, jo kot më kot deputetja socialiste Spiropali e krahasoi para ca kohësh Edi Ramën, ende kryeministër përherë e më zhgënjyes, me Skënderbeun: Jam i bindur që ajo, jo vetëm sa herë kalonte e kalon nga sheshgunga “Skënderbe” e Tiranës, por edhe në imagjinatën e saj pjellorisht servile, e shihte dhe e sheh Shefin e saj Mashkullor e Madhështor duke ngarë me revan, si një Kaligulë i vërtetë, kalin e Heroit tonë Kombëtar (Më falni, por fjala “kalë” me “l”, aspak me ndonjë shkronjë tjetër!)

Megjithatë, vazhdon të na mësojë zoti Internet, Kaligula u shndërrua pak nga pak në një perandor autokratik duke i braktisur dhe eliminuar tërë ata që e kishin mbështetur në përpjekjet e tij për të ardhur në majë të pushtetit ndërkohë që ai ushqente një urrejtje të thellë për Senatin, pra për Këshillin e Lartë të Shtetit. Mjerisht, edhe Edi Rama, dikur basketbollist e më pas pikturist, evoluoi, veçse deri diku si Kaligula, dhe sot ai vepron e sillet, siç e kanë cilësuar disa opinionistë e analistë, si një autokrat i vërtetë me nuanca – do të shtoja unë – prej adoleshenti tekanjoz të llastuar që nuk pranon të zbresë nga kali i pushtetit. (Më falni, por fjala “kalë” përsëri me “l”, aspak me ndonjë shkronjë tjetër!).

Me që ra fjala te kali, çmenduria e Kaligulës u shfaq haptas (gjithmonë sipas zotit Internet) ditën kur ai i dhuroi Incitatusit, kalit të tij të parapëlqyer, pasi i kishte dhuruar tashmë një stallë mermeri të pajisur me një grazhd të fildishtë, edhe një grup skllevërish plus një numër mobiliesh luksoze, si edhe byrde purpuri e kapistra të zbukuruara me gurë të çmuar; nga ana tjetër, thuhet madje se ai kishte ndër mend që Incitatusin ta bënte konsull, pra njërin prej dy magjistratëve që ushtronin autoritetin më të lartë në  kohën kur Roma ishte Republikë. Përveç kësaj, në prag të lojërave të cirkut, ai i urdhëronte ushtarët që t’i detyronin fqinjët të mos bënin zhurmë me qëllim që asgjë të mos e shqetësonte Incitatusin, kalin e vet të shtrenjtë, na informon Suetoni, biografi i tij te libri “Jeta e Kaligulës” (Më falni, por fjala “kalë”  sërish me “l”, aspak me ndonjë shkronjë tjetër!).

Sigurisht, nuk dihet nëse Edi Rama, ende kryeministër përherë e më zhgënjyes, ka ndonjë kalë race në zyrën e tij luksoze, por ndonjë skeptik mund të mëtojë ndoshta që aksh fshatar banor në Surrel, mund t’i ketë vënë në dispozicion ndonjë hamshor  në kështjellën e tij bunkeroze rreth së cilës mbretëron një heshtje gati absolute, anipse unë nuk e besoj një gjë të tillë, sepse, përndryshe, gjuhët e liga do të kishin hamendësuar tashmë se pranë kështjellës bunkeroze në fjalë do të ishte sajuar ndonjë stallë përrallore si ajo e Kaligulës, ku strehohet ndonjë kalë me statusin e Incitatusit, madje do të shtonin se dikush mund të jetë duke i mësuar atij kali shqipen dhe inglishten me qëllim që ky të zgjidhet deputet më 25 prill, sepse deputetët shqiptarë nuk do ta kuptonin gjuhën e mrekullueshme hingëllishte jo vetëm të një hamshori, por edhe të një pele që e ka atë për dashnor (Më falni, por fjala “kalë” gjithmonë me “l”, aspak me ndonjë shkronjë tjetër, kurse fjala “pelë” me “p”, por me tri germat e fundit të pandryshuara!).

Sidoqoftë, zoti Internet këmbëngul të na mësojë se disa autorë seriozë të këtyre dy shekujve të fundit e shpjegojnë sjelljen e Kaligulës me çmendurinë që e kishte pllakosur, hipotezë kjo, së cilës i është përmbajtur qysh në fund të shekullit XIX austriaku Ludwig Quidde, që më vonë do të fitonte çmimin Nobel të paqes. Nga ana tjetër, vjenezi Hanns Sachs, mik i Sigmund Freud-it, në veprën e tij “Bubi ose historia e Kaligulës”, i shpjegonte çrregullimet mendore të Kaligulës me traumat që kishte pësuar në fëmijëri. Të shumtë janë psikiatrit dhe mjekët që kanë studiuar dosjen e Kaligulës duke e konsideruar sjelljen e tij herë si pasojë  të epilepsisë, herë si pasojë të hiperankthit, të hipertiroidisë ose edhe të alkoolizmit (që mund të çojë edhe drejt toksikomanisë).

Së fundi, por jo më së paku, të frikshme janë batutat e Kaligulës (Ah, sa qejf i ka Edi Rama, ende kryeministër përherë e më zhgënjyes, batutat në përgjithësi, aq shumë, saqë shpesh qeveris pikërisht e mjerisht përmes batutash!), si për shembull, tri nga më të famshmet në shqipe – dhe jo në hingëllishte – : “Le të më urrejnë, por me kusht që të më kenë frikë!”, “Pushteti i jep shanset e saj të pamundurës” dhe “Ah, sikur zotat ta bënin popullin vetëm me një kokë!”. Rrjedhimisht, o lexueset dhe lexuesit e mi, ju që më kuptoni, a nuk patën të drejtë miqtë e mi Françesk Armadhi e Namik Arvogli (të cilët, gjithsesi, e kanë shumë qejf Edi Ramën ende kryeministër, ndonëse përherë e më zhgënjyes), kur ma sugjeruan titullin e këtij shkrimi?

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura