Një Tiranë përtej reve, mes pentagrameve…

Dec 26, 2024 | 7:55
SHPËRNDAJE

NGA ALBERT HITOALIAJ ALBERT HITOALIAJ

Të shtunën e shkuar, më 21 dhjetor, një grup i vogël spektatorësh, ishin bërë bashkë në sallën e koncerteve “Avni Mula”, në shkollën e muzikës “Servete Maçi”. Ata i bënte bashkë një ftesë: “Ftesë në tinguj”, – një koncert në miniaturë, duarsh “të vogla”, i cili organizohej nga pianistja e talentuar dhe e mirënjohur, Etrita Ibrahimi, pasardhësja e denjë e kompozitorit tonë të njohur, Feim Ibrahimi. Në dukje, ishte një koncert apo një shfaqje modeste, por në cilësinë e emocionit të prodhuar, ai ishte një koncert tejet i veçantë. Programi nuk përmbante emra të njohur, e madje nuk përmbante as muzikantë me eksperiencë shumëvjeçare.

E veçanta e këtij koncerti ishte se të njëmbëdhjetë pianistët e vegjël (dhe ata pak më të mëdhenj se të vegjël), që rroknin moshën nga shtatë në katërmbëdhjetë vjeç, sollën në piano copëza muzike botërore nga më të njohurat, duke i luajtur ato saktë dhe me dashuri të madhe. Nuk u lanë mënjanë as disa nga kompozitorët më në zë të muzikës shqiptare, të cilët edhe pse nuk ishin kuintesenca e koncertit, ishin patjetër dekori më i spikatur. Pianistët e këtij koncerti: Adea H., Aislin Sh., Aria Q., Diona H., Drin P., Elizabeth Z., Luis B., Mattia G., Mei K., Priseas Ll. dhe Vesa C., arritën që të krijojnë atë atmosferë e cila mund të krijohet vetëm përmes një muzike të mirë, të arrirë, një muzike që aktivizon kordat e ndjesitë e holla të ndjeshmërisë njerëzore.

Kjo energji kaq qetësuese që u realizua me sukses përmes pjesëve të përzgjedhura gjithë vëmendje, ishte e tëra e ngjizur nga puna e Etritës. Të gjithë pianistët në koncert janë nxënësit e saj. Kishte mes tyre nga ata që ndiqnin leksione vetëm prej disa muajsh, ashtu siç kishte edhe të talentuar si Mattia, Luisi, Aislina e Elizabetha, të cilët ndjekin mësimet në shkolla muzike, e që janë po ashtu nxënës të Etritës prej vitesh (jo më larg se në datën 23 dhjetor, u mbyll Festivali XIII Mbarëkombëtar “Duete pianistike”, konkurs për piano i organizuar si aktivitet nga EPTA/European Piano Teachers Association of Albania, në të cilin Mattia dhe Luisi zunë vendin e parë, kurse Asilina vendin e tretë). Pjesët e zgjedhura të çonin në kohë, në vende e në dimensione të ndryshme. Gjithëfuqishmëria e muzikës ndihej përmes notave të pianos, të cilat sillnin të gjallë kompozitorët me emër e famë botërore. Edhe më fuqishëm ndihej ndikimi i muzikës, kur luheshin pjesët e kompozitorëve tanë të mëdhenj.

Etrita, teksa bënte prezantimet, nuk harronte pa nënvizuar faktin se muzika jonë ka rëndësi, duhet ruajtur dhe duhet dashur, pasi është pjesë e qenësishme e identitetit tonë. Fjali të thëna thukët, e mesazhe që do u mbeten ndër mend jo vetëm pianistëve që jepnin shfaqje, por edhe spektatorëve. Për të pasur parasysh se si valëzonte ajri përmes tingujve të pianos, mund të përmendim disa prej pjesëve të këtij koncerti: J. Bastien – “Skip to my lou”; Frère Jacques – “Tradicionale franceze”; J. Thompson – “Air”; E. Grieg – “Mëngjesi”; G. Avrazi – “Atdheut”; G. B. Lulli – “Au clair de la lune”; T. Harapi – “Valle”; F. Gruber – “Silent night”; J. S. Bach – “Minuet”; L. V. Bethoven – “Sonantina në Sol Mazhor (Koha e parë); L. Dizdari – “Pjesë”; L. V. Bethoven – “Oda e gëzimit”; J. F. Wade – “Adeste fideles”; W. A. Mozart – “Marshi turk”; P. I. Tchaikovski – Temë nga baleti “Liqeni i Mjellmave”; P. Gaci – “Çobani”; M. Clementi – “Sonatina n. 1, op. 36 (Koha e parë); T. Harapi – “Valle”; F. Ibrahimi – “Valle”; A. Diabelli – “Sonatina n. 5, op. 163; A. Piazolla – “Libertango”, etj., ku disa prej tyre ishin pjesë me katër duar.

Para se të luanin njëri pas tjetrit pjesët e tyre (jo pa emocion!), pianistët e vegjël prezantoheshin e çliroheshin buzagaz pas çdo pjese të luajtur pa gabime. Pas secilës pjesë qëndronin orë të tëra përpjekjeje dhe pune. Kjo disiplinë është pjesa nën ujë e muzikës, sepse që ajo të luhatet aq e lehtë sa ajri, duhet medoemos të kalitet në durimin e provave. Fjalët falënderuese të Etritës, në mbyllje të këtij koncerti fundviti, përmbanin edhe një mesazh të bukur, për pianistët dhe për të afërmit e tyre: “Duhet të jeni mirënjohës ndaj prindërve tuaj për mundësitë që ata ju krijojnë, për të gjitha mundësitë, por sidomos për të qenë në kontakt me muzikën, me të bukurën, sepse duhet dashur e bukura dhe duhet qëndruar larg dhunës…”.

Ishte një mbyllje kuptimplotë, e cila u pasua nga dhuratat surprizë për Vitin e Ri, që pedagoge Etrita u bëri pianistëve të saj të vegjël, mes të cilëve qëndronte edhe Mattia, i biri, pianisti 14-vjeçar i shkollës së muzikës “Servete Maçi”. Qetësia e sallës së koncerteve dhe muzika e krijuar nga duart e emocionuara të këtyre pianistëve të vegjël, kishin krijuar, për sadopak, një realitet paralel, përtej trafikut, përtej zhurmës së Tiranës dhe përtej reve të përditshmërisë së këtij dhjetori. Nëse shpendët fluturojnë deri te retë, duhet thënë se përmes muzikës njeriu fluturon përtej reve… E tillë është fuqia pozitive e saj.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura