Një vit e tre muaj në fuqi/ Si erdhi vendimi për të shkrirë bordin e karburanteve! Ministrja e Financave jep argumentet

Jun 8, 2023 | 8:51
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Pas një viti e tre muaj nga lufta në Ukrainë dhe prej muajsh stabilitet ndërkombëtar në çmimin e hidrokarbureve, më në fund qeveria mori një vendim për të shfuqizuar Bordin e Transparencës për Çmimin e Karburanteve.

Nga dje, tregtarët e mëdhenj e të vegjël të “arit të zi” do të mund të konkurrojnë lirshëm me njëri-tjetrin në treg, pa një çmim kufi e as dysheme në tregtimin e produkteve gazoil. Bordi i Transparencës u ngrit në 12 mars të vitit të shkuar me qëllimin për të shmangur abuzimet nga ana e kompanive që tregtojnë karburante. Ai u ngrit në një kohë kur si pasojë e luftës në Ukrainë, 1 litër naftë shkoi rreth 300 lekë. Teksa e cilësonte si të vetmin mekanizëm për të mbajtur çmimet nën kontroll, opozita, por edhe ekspertët e hidrokarbureve e kanë etiketuar vazhdimisht si një bord klientelist. Shumicën e herëve nuk i është përgjigjur trendit zbritës të çmimit në bursat ndërkombëtare, ndërsa kur bëhej fjalë për rritje çmimi, vendimi ka qenë i shpejtë në çdo kohë.

MINISTRJA

Ishte ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ajo që njoftoi dje fill pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave vendimin për shfuqizimin e bordit të Transparencës për çmimin e karburanteve. “Një tjetër vendim i rëndësishëm, me fillimin e krizës ngriti një bord të transparencës për kontrollin e çmimeve. Që prej asaj kohe çmimet kanë pasur luhatje të mëdha. Ne vendosëm të përcaktojmë disa marzhe fitimi me qëllim limitimin të efektit të spekulimeve të hidrokarbureve dhe të limitonim abuzimet. Bazuar edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e la në fuqi, ne vendosëm, për shfuqizimin e bordit të hidrokarbureve dhe situatës së veçantë në këtë treg”, deklaroi Ibrahimaj.

I ashtuquajtur “Bordi i Transparencës” i ngritur nga Kryeministri, Edi Rama, është shndërruar prej më shumë se një viti në një “hall” për xhepat e shqiptarëve. Edhe gjatë kohës që të gjithë prisnin shkrirjen e tij, ky bord ka rritur disa herë çmimin në mbledhjet e fundit përgjatë muajit maj në një kohë që çmimi në bursat e huaja vinte në pikiatë. Nga ana tjetër edhe operatorët e tregut pohojnë se nëse Bordi nuk do të ndërhynte, çmimet do të ishin të paktën 5-10% më lirë, pasi kompanitë do të ishin fleksibël të merrnin vetë përsipër rrezikun dhe të blinin më shumë sasi kur çmimi të ishte më i lirë në tregje, ndërsa tani janë të detyruar të bëjnë blerje në baza ditore për shkak të ndërhyrjeve të Bordit.

BETEJA NE KUSHTETUESE

Në 18 prill, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike, duke e konsideruar si të ligjshëm Bordin e Transparencës. Në vendimin e asaj date, “Kushtetuesja” nuk e ka shkrirë Bordin, siç PD kërkonte, por kanë shfuqizuar vetëm një nen të saj, në të cilën speficikon se ai nuk mund të shkrijë vetveten, por duhet të jetë qeveria që merr një vendim të tillë. Që do të thotë, se Bordi nuk duhet të shkrihet me vendim të anëtarëve të tij. Ai vijon të ekzistojë dhe të përcaktojë çmimet e Karburanteve, por tani më nuk do të jetë në tagerin e tyre për të marrë vendimin për t’u shkrirë ose jo. Bordi i Karburanteve u krijua me akt normativ të qeverisë më 12 Mars 2022 për të mbajtur nën kontroll çmimet e karburanteve të ndikuara nga lufta në Ukrainë. Ai është një institucion që është krijuar në një situatë emergjente, siç ishte rritja e çmimeve. E për rrjedhojë, theksohet se situatën e jashtëzakonshme, nuk mund ta përcaktojë Bordi se kur ai do duhet të funksionojë ose jo, por duhet të jetë qeveria që vendosë.

Kështu, Gjykata Kushtetuese rrëzoi si antikushtetuese vetëm pikën e Aktit Normativ që ja lë vetë Bordit në dorë se kur të mbyllet. Por ndërkohë pjesa tjetër e Aktit Normativ me këtë vendim mbetet në fuqi. Ashtu sikurse dhe Bordi i Karburanteve mbetet në fuqi deri kur të vendosë qeveria për ta shfuqizuar. Një vendim në kufijtë e groteskut, kur për një çështje identike, për Bordin e Ushqimeve, Gjykata Kushtetuese u shpreh qartë për rrëzimin e tij si Anti-kushtetues, ndërsa për Bordin e Karburanteve ia kalon topin qeverisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura